1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika dhe simbolika: Çmimi Karl i Madh për Macronin

Catherine Martens
10 Maj 2018

Macroni është Presidenti i dytë francez që e merr Çmimin Karl i Madh. Në ceremoni ai e përsëriti vizionin e tij për Evropën, kurse kancelarja Merkel që mbajti fjalën e nderit e vlerësoi atë personalisht.

https://p.dw.com/p/2xVNa
Verleihung Internationaler Karlspreis an Macron
Fotografi: Getty Images/AFP/P. Stollarz

Akti solemn nuk mund të ishte më i madh dhe më francez në bashkinë e Ahenit. Për të përshëndetur mbajtësin e sivjetëm të Çmimit Karl i Madh, Emmanuel Macron u intonua uvertura nga "La Bourgeois Gentilhomme" e Molierit, me muzikë të Jean-Baptiste Lully, e shfaqur si premierë për Ludvigun XIV, mbretin e diellit, në Oborrin e Versajës.

Emmanuel Macron është burri i dytë i shtetit pas François Mitterand-it që e merr Çmimin Karl i Madh për "vizionin e tij frymëzues për rithemelimin e Projektit Evropian dhe për luftën e tij pasionante kundër nacionalizmit dhe izolacionizmit", ky është motivacioni për Çmimin. Si bartës i shpresave, i cili jep "impulse të reja", si "mendimtar i guximshëm pararojë për ripërtëritjen e ëndrrës evropiane". Këtë guxim Macroni ia tregoi Evropës kur e mori postin e Presidentit nën tingujt e Himnit Evropian. Dhe si mendimtar pararojë u pozicionua ai me fjalimin e tij që tërhoqi shumë vëmendje dhe që u komentua shumë në Sorbonë vjeshtën e kaluar, ku ai u shpreh për një Evropë përparimtare, të mëvetësishme.

Fjala për nder të tij: më shumë personale se politike

Verleihung Internationaler Karlspreis an Macron
Fotografi: Getty Images/AFP/P. Stollarz

Me ankth pritet fjala për nder të Macronit nga ana e kancelares gjermane. Me të lidhet shpresa, që Angela Merkel do t'u japë tani përgjigje propozimeve të tij për reforma për BE - këtu në Ahen, në këtë vend, ku që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore janë nderuar për angazhimin e tyre për Evropën arkitektë të mëdhenj të bashkimit të Evropës, si Robert Schumani. Por shpresa zhgënjehet.

Në një fjalim krejtësisht personal, Angela Merkeli e çmon zellin e palodhshëm të Presidentit francez dhe "entuziazmin e tij, me të cilin ai është në gjendje të marrë me vete të lëkundurit". Në pika thelbësore ajo megjithatë mbetet te e përafërta. Kur Emmanuel Macron flet në Ahen sërish në favor të një buxheti të Eurozonës dhe për më shumë kompensim fiskal, Angela Merkeli mbetet në terrenin e zakonshëm. Ajo nuk i përgjigjet kërkesës së Macronit për të hequr dorë nga tabutë nacionale dhe për të lejuar për shembull shërbime transfertash brenda BE. Në vend të kësaj ajo bën një kthim pas në histori dhe flet për meritat e "projektit të paqes" Evropë.

Deutschland Treffen von Angela Merkel, Emmanuel Macron und Petro Poroshenko
Fotografi: picture-alliance/dpa/President of the Ukraine Press-Service/M. Palinchak

Fjalë të qarta drejton ajo në adresë të Rusisë. Ajo e shfrytëzon debutimin e saj në Ahen për ta falenderuar shprehimisht Presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko për rrugën e deritashme drejt një Ukraine "në siguri dhe në paqe". Edhe në adresë të SHBA ajo shprehet me një mesazh të qartë: "Evropa duhet ta marrë fatin e saj vetë në dorë". Ka kaluar koha, thotë ajo, kur SHBA e mbronin Evropën, tha Merkeli.

Merkeli dhe Macroni për sovranitetin e Evropës

Verleihung Internationaler Karlspreis an Macron
Fotografi: Getty Images/AFP/L. Marin

Këtu ajo i afrohet Macronit, i cili e ripërtërin në Ahen apelin e tij për një sovranitet më të fortë evropian. Evropa nuk duhet të ketë frikë, nuk duhet t'u nënshtrohet "tiranisë së ngjarjeve", por duhet të luftojë për "autoritetin e demokracisë". Merkeli kujtoi në fjalën e saj të nderit për Macronin se Franca dhe Gjermania u afrohen shpesh "nga anë të ndryshme objektivave të përbashkëta", por që gjithmonë kanë "gjetur rrugë" në fund.

Gjithsej 850 mysafirë nga e gjithë bota priti salla e Kurorëzimit e Bashkisë së Ahenit këtë vit për ceremoninë e Çmimit. Çmimi Karl i Madh u krijua më 1950 me iniciativën e qytetarëve me ndikim të Ahenit - një fakt që duhet t'i pëlqejë Presidentit Macron, meqenëse suksesin e tij ai e bazon në lëvizjen "En Marche". Macroni do të vazhdojë ta shtyjë përpara Evropën, do të përpiqet që të shkruajë histori evropiane.