1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Politikë e re për Sirinë? Bisedimet me Bashar al-Asad-in

Në samitin e BE-së, kancelarja Angela Merkel u shpreh se duhet tërhequr në bisedime edhe kreu i shtetit sirian, Bashar al-Asad. Ekspertja për Lindjen e Afërt Kristin Helberg paralajmëron për keqkuptimet e mundshme.

Deutsche Welle: Bashar al-Asad,- deri më tani i cilësuar nga perëndimi edhe si kriminel lufte - do të duhet të përfshihet në bisedimet direkte për Sirinë, sa do ta donte ai këtë?

Kristin Helberg: Duhet thënë se regjimi i Asadit është pjesë e negociatave në të vërtetë që nga viti 2012. Në këtë kuptim Merkel nuk ka thënë ndonjë gjë të re. Rregullisht janë zhvilluar bisedime me regjimin e Asadit, të drejtuara nga Staffan de Mistura, i dërguari i posaçëm i OKB-së në Siri. Ai është rregullisht në Damask. Pra nuk është diçka e re. Nuk duhet keqkuptuar pra që tani Asadi pranohet si partner, pra si partner në luftë kundër Shtetit Islamik për të biseduar me të për refugjatët. Këtë Merkel nuk e ka thënë dhe nuk mendoj se do të bëj një gjë të tillë.

Pse nuk kemi asnjë rezultat nga dialogu deri më tani?

Po qe se flet me përfaqësuesit që kanë qenë në bisedimet në Gjenevë apo Montro dëgjohet shpesh të thuhet se regjimi i ka lënë të dështojnë bisedimet, sepse vetë Asadi nuk ka ndonjë interes apo shkak të bisedojë për një ndryshim pushteti apo dorëzim pushteti, sepse regjimi ende në shkallë ndërkombëtare gjen mbështetje, sidomos nga Irani, milicët Hizbollah në Liban, që luftojnë në krah të Asadit. Shtojmë këtu Rusinë, e cila deri më tani ngre dorën në mbështetje të Asadit. Pavarësisht se sa i dobët është Asadi në vendin e tij, kjo mbështetje është pengesë për kompromis në bisedime.

Deklaratat e Merkelit të lenë të kuptosh se Asadi mund të ndikojë në gjetjen e një zgjidhjeje. Sa ndikim ka ai ende në vend?

Bashar al-Assad është ushtarakisht shumë i dobët në vend. Rajonet që ai kontrollon në qendër të Damaskut dhe rajonit bregdetar ai mund t'i mbajë vetëm me mbështetjen masive të Iranit, Hizbollahut dhe Rusisë. Megjithatë Moska kërkon të farkëtojë një aleancë ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik dhe të përfshijë këtu edhe Asadin.

21.08.2014 DW Quadriga Studiogast Kristin Helberg

Kristin Helberg

Ky do të ishte një gabim i madh. Sepse Asadi në të vërtetë nuk lufton kundër Shtetit Islamik, ai lufton në krah të IS kundër të gjitha grupeve të moderuara të kryengritësve. Përveç kësaj ai nuk ka se çfarë t'i ofrojë trupave të koalicionit kundër IS. Ky koalicion ka nevojë për trupa tokësore. Kush lufton në terren kundër IS? Njësitë kurde të mbrojtjes popullore dhe disa grupe kryengritësish, jo trupat e Asadit. Ato marrin arratinë nga IS. Ushtria siriane është gati e shpërbërë. Asadi nuk ka as numër të mjaftueshëm ushtarësh për të mbrojtur në mënyrë efektive rajonet e tij.

Pra reagimet për të folur me Asadin janë një strategji e gabuar?

Me Asadin duhet negociuar për dorëzimin e pushtetit. Ai ka pranuar ndërkohë se nuk mund ta kontrollojë Sirinë dhe prandaj i dorëzon rajone të caktuara. Por po qe se Asadi nuk mund ta kontrollojë vendin, dhe askush nuk do që IS të instalohet aty, kemi nevojë për një rrugë të tretë, një alternativë në vend të Asadit. Për këtë duhet të ndalen njëherë sulmet ajrore të regjimit, sepse ato shkatërrojnë çdo lloj angazhimi civil dhe rrënojnë çdo lloj strukture alternative komunale. Bombat e Asadit e kanë forcuar Shtetin Islamik dhe janë bërë tani mekanizmi më i suksesshëm i rektruimit për IS. Njerëzit radikalizohen dhe pranojnë në fund IS si forcë mbrojtëse të sunitëve.

Nga lufta e Asadit në provincat e Alepos dhe Idlibit në veri, në periferitë e Damaskut dhe në jug të vendit vriten më shumë sirianë se nga IS në Siri- ndër ta çdo ditë dhjetë fëmijë. Kjo është arsyeja kryesore që shumë sirianë marrin arratinë dhe IS është bërë kaq e fortë. Ne kemi nevojë për një tranzicion politik për të luftuar Shtetin Islamik. Sepse vetëm kur sirianët të mos bombardohen më nga ajri, ata mund të bashkohen në luftë kundër IS. Prandaj duhen krijuar zonat e mbrojtura për civilët ose ndryshe zonat e ndalim-fluturimit.

Cila do të ishte zgjidhja më urgjente për momentin?

Paralelisht me përpjekjet diplomatike për të cilat angazhohet ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier kemi nevojë për rritjen e presionit ushtarak. Për sa kohë Asad ndjehet i sigurtë dhe nuk sheh asnjë arsye të dorëzojë pushtetin, nuk do ta bëjë këtë. Zonat e ndalim-fluturimit do të ishin një masë që do ta detyronin atë të kthehej në tavolinën e bisedimeve. Kjo i duhet marrë Putinit si premtim.

Pra një strategji më e mirë do të ishte: Negociata me Rusinë, por jo gjunjëzim. Putin duhet të tregojë aftësi për kompromis. Në rast se ai do të ishte i gatshëm të mbështeste një alternativë politike në vend të Asadit, atëherë mund të bëhemi bashkë në luftë kundër IS. Një sërë grupesh opozitare siriane kanë rënë në ujdi për një plan veprimi në rast të një tranzicioni të pushtetit. Ata janë të gatshëm të negociojnë pa parakushte, por në fund duhet të ketë një dorëzim të vërtetë të pushtetit. Në rregull, me Asadin mund të bisedohet, por jo të qeveriset.

Kancelarja gjermane përmendi Asadin si njërin nga aktorët, me të cilin duhet biseduar, por cilët janë aktorët e tjerë që duhen përfshirë patjetër në këto bisedime?

Të gjithë palët e përfshira në konflikt duhet të ulen në tryezën e bisedimeve. Po ashtu këtu bën pjesë edhe Irani që udhëheq luftën për mbijetesë të Iranit, Rusia dhe fuqi të tjera rajonale si Arabia Saudite, por para së gjithash Turqia, e cila është mjaft e prekur nga ky konflikt. Partneri më i vështirë do të jetë Irani. Interesat e tij në Siri synojnë mbajtjen gjallë të Hizbollahëve libanezë, dhe askush nga opozita nuk do të jetë gati për një lëshim të tillë. Nga ana tjetër interesat ruse për ruajtjen e pushtetit në rajon mund të zbusin të tjerët.

Ka rrezik që Rusia të vërë gurë në rrota në bisedimet me Asadin?

Çfarëdolloj deklarate nga politikanët perëndimorë që sinjalizon gatishmëri për bisedime e gëzon Putinin, sepse ai mendon që në fund të fundit po del llogaria që ka bërë ai – pra që të mbajë në pushtet Bashar al-Asadin e marrë në mbrojtje. Por unë besoj se në të vërtetë Rusia aktualisht po përgatit terrenin për kohën pas Asadit. Kushdo që të vijë në pushtet duhet të llogarisë me Rusinë aty, sepse prezenca ushtarake ruse ndërkohë aty është aq e madhe, saqë me Rusinë duhet bashkëpunuar.

Ekspertja për Lindjen e Mesme Kristin Helberg ka rapotuar për botën arabe dhe islamike nga viti 2001-2008 zyrtarisht si korrespondetja e vetme e akredituar nga perëndimi në Siri.