1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Policia shqiptare në ofensivë ndaj “kështjellës së kanabisit” në Lazarat

Grupe të armatosura po bëjnë rezistencë me armatime të rënda. Drejtuesit e policisë këmbëngulin se s'do tërhiqen pa asgjesimin e mbjelljeve e rezervave të kanabisit dhe vënien në pranga grupeve të inkriminuara të zonës.

Fshati Lazarat me një popullsi më shumë se 5 mijë banorë është bërë shumë i njohur për kultivimin e kanabis sativa. Rreth 240 km larg Tiranës dhe vetëm rreth 30 km nga kufiri mes Greqisë dhe Shqipërisë, Lazarati prej afër dy dekadash kishte tiparet e një qendre administrative shumë autonome, aq sa në dekadën e fundit ishte jashtë kontrollit policor. Dhjetra reportazhe dhe investigime të gazetarëve vendas dhe të huaj (mes tyre dhe Deutsche Welle) kanë raportuar për “parajsën” e të mbjellave dhe të korrurave të hashashit, depozitë që tregtohej me çdo mjet të mundshëm transporti brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Nga fundjava e kaluar rreth 800 forca policore, duke përfshirë dhe njësitë e ndërhyrjes speciale dhe forcave elitë janë në një operacion në shkallë të gjerë për të vënë nën kontroll situatën. Në procesin e depërtimit shkallë shkallë në brendësi të fshatit policia ka hasur në kundërshtimin e armatosur të disa grupeve lokale, që kanë goditur me armë të kalibrit të rëndë

Vendosmëria e forcave policore për kontroll ndaj zonës

Drejtori i policisë së shtetit Artan Didi është vetë në terren duke menaxhuar situatën. Ai tha mesditën e së martës për mediat, se prej 2 muajsh policia ka zhvilluar një fushatë ndërgjegjësimi në rradhët e banorëve të Lazaratit, që të pengohej mbjellja e kësaj bime narkotike. Por, sipas tij, kur kjo nuk dha rezultat, ndaj dhe policia është në operacion kundër dy objektivave, asgjesimit të kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike dhe grupeve kriminale, që po i bëjnë rezistencë policisë së shtetit.

“Ne jemi futur në një pjesë të Lazaratit. Nuk e menduam si gjë të lehtë, ndaj nuk u nxituam të ndërhynim më parë. Kemi nisur këtë operacion, që mund të vazhdojë në varësi të situates, që paraqitet atje. Duam ta mbyllim këtë operacion pa viktima. Policia është e detyruar nga ligji të mos tërhiqet”, ka deklaruar Didi

Në orët e para të ditës së martë një anëtar i forcave special është plagosur me armë zjarri, por pa rrezik për jetën. Policia ka përsëritur apelin për banorët e zones, që të distancohen nga elementët kriminalë. Një grup personash, që dyshohet se kanë kundërshtuar me armë njësitë policore dhe kanë sulmuar një ekip televiziv lokal duke u djegur automjetin dhe pajisjet e punës është arrestuar.

Terren i vështirë për ndërhyrje

Kultivimi i kanabisit bëhej pothuaj nga të gjithë banorët e fshatit

Kultivimi i kanabisit bëhej pothuaj nga të gjithë banorët e fshatit

Ferdinand Dervishi, reporter në televizionin informativ ABC, prej shumë vitesh ka investiguar në çështje të bujshme kriminale. Sipas tij mosndërhyrja për një kohë të gjatë në Lazarat lidhet me historinë e kultivimit masiv të kanabisit në këtë zonë që në vitet 2003-2004. Pikërisht kultivimi pothuaj nga të gjithë banorët i kanabisit, lidhjet e shumta familjare e miqësore, që ata kanë mes tyre, por edhe mbrojtja nga politika, bënë që në Lazarat, në afërsisht 10 vjet, të mos shkelte këmba e shtetit, thotë Dervishi për DW.

“Në 8 vitet e pushtetit të PD-së policia në asnjë rast nuk ndërhyri në Lazarat. Kjo ndërhyrje nuk u bë, sepse banorët në shumicën e tyre votojnë këtë forcë politike, por ajo nuk u bë, sepse u morën më shumë parasysh pasojat e ndërhyrjes. U logjikua se humbja e jetës, qoftë e një polici, apo një banori të zonës, do të kompromentonte çdo lloj ndërhyrjeje, qoftë të suksesshme, për eleminimin e fenomenit të kultivimit të drogës në Lazarat”.

Ferdinand Dervishi nga Televizioni ABC e shikon operacionin aktual të policisë si një aksion të radhës, një ndërhyrje parciale, si një goditje vetëm të një objekti të veçuar nga fshati.

“Uroj që jehona mediatike të mos tjetërsojë aksionin e policisë, nëse ai është menduar, përgatitur dhe zhvilluar si parcial. Pasi vazhdimi i ndërhyrjes në gjithë fshatin, nëse kjo nuk është e planizuar, mund të jetë i rrezikshëm”.

Grupe kriminale me suport të fuqishëm ekonomik

Gazetari Artan Hoxha, autor i emisionit të përjavshëm investigativ “Xhungël” në Televizionin News 24, kujton se Lazarati është shfaqur i frikshëm që në gusht të vitit 2004, kur një helikopter italian i misionit Inter-force u godit me mitroloz nga nje grup kriminal nga ky fshat, në kohën kur ishte duke filmuar parcelat me lëndë narkotike. Sipas tij, ky fshat u kthye në një qendër të rrezikshme prodhimi dhe trafikimi “jo thjesht në grykat e shumta të zjarrit dhe armatimin e fuqishëm, që është në përdorim, por edhe në fuqinë e madhe ekonomike e financiare, që kanë tashmë në zotërim grupet e strukturuara kriminale aty. Sasia e madhe e kanabisit e kapur në Shqipëri, Itali e Greqi, gjatë 5 muajve të parë të këtij viti me origjinë nga Lazarati, i kalon 50 tonët, duke treguar përmasat e frikshme, që kanë arritur tashmë grupet kriminale të narkotrafikut në Lazarat”.

Lazaratit ishte gati e pamundur t'i afroheshe

Lazaratit ishte gati e pamundur t'i afroheshe

Artan Hoxha thotë për DW se përfshirja masive e trupave policore dhe njësive speciale dëshmon jo thjesht për vendosmërine e këtij aksioni, por edhe synimin për të shembur përfundimisht mitin e pathyeshmërise së grupeve kriminale, që veprojnë në Lazarat

Anti trafiku i narkotikëve të trajtohet si problem shumëdimensional

Eksperti i çështjeve të rendit dhe sigurisë, Bujar Rama, që ka punuar për disa vjet si funksionar i lartë i shërbimeve inteligjente në Shqipëri, e shikon problemin e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike si shumëdimensional. Sipas tij, ky problem është politik, duke argumentuar se shumë politikanë të lartë deri dhe anëtarë të parlamentit aktual dhe ndër vite, janë me lidhje dhe njihen si inspirues të organizatave kriminale. Nuk ka mundësi që grupet e trafikantëve të shfaqnin kaq agresivitet për të thyer ligjin, pa suportin e qarqeve politike, thotë Rama për DW.

“Kjo është dhe një çështje konstitucionale, që kërkon ndërhyrje të mirëmenduar. Kur është miratuar Kushtetuta e Shqipërisë më shumë se 15 vite më parë, në pjesët ndaj luftës kundër krimit të organizuar u bë një përshtatje nga legjislacioni i një vendi fqinj me Shqipërinë, një model që dhe vetë në atë vend gjeneron problem në luftën kundër trafiqeve. Është problem mentaliteti, sepse në Shqipëri është ngulitur në pjesë të ndryshme të popullates, këto nuk janë pak, mendimi i fitimit në kohë të shpejtë dhe në rrugë kriminale. Gjithashtu është dhe problem social, sepse vendimarrja në këtë vend ka bërë shumë pak për të konkretizuar politika sociale, të punësimit dhe të rritjes së mirëqënies në përgjithësi.”

Bujar Rama shton se trafiku i lëndëve narkotike duke qenë një fenomen rajonal dhe më gjerë, kërkon ndryshime në Kodin Penal të Republikës. Sipas arsyetimit të tij, jo të orientohemi gjithmonë nga ashpërsimi i ligjveve, por dhe t'i zbusim.

“Disa vende, ku futet dhe Shqipëria, kanë një qasje të konsiderimit të këtij trafiku si vepër e rëndë penale, por në disa vende të tjera qëndrimet janë më liberale deri dhe në lejim të përdorimit të tyre. Shikoni, burgjet janë plot me të akuzuar, ose të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, kjo duhet shikuar me limite, duhet shikuar dhe si një kosto për shoqërinë. Autoritetet policore dhe të sigurisë janë të fokusuar aktualisht në Lazarat dhe rrethina, por fenomeni ‘Lazarat' është më i gjërë dhe zgjidhjet për të duhet të jenë të sinkronizuara, të përfshihen në diskutime politikanët, por dhe institucione të ndryshme, shoqëria civile etj.