1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Policia shqiptare gjendet para sfidave shumë të mëdha.

Intervistë me Michael Colbuorn, shef i Misionit policor të BE-së në Shqipëri.

Tirana

Tirana

Deutsche Welle : Zoti Colbourne, PAMECA 3 është rrjedhojë e një sërë misionesh europiane, që kanë mbështetur policinë shqiptare. E gjitha ka nisur pas 1997-ës me MAPE. Çfarë ka ndryshuar që atëherë në detyrat dhe perspektivat?


Michael Colbuorn : Misioni MAPE ka qenë një hap shumë i rëndësishëm duke ndihmuar në realizimin praktik të punës ekzekutive të policisë, pas një konflikti. Ai ka ndihmuar për të rivendosur ligjin dhe rendin, që e ka stabilizuar Shqipërinë dhe rajonin. Nga kjo u krijuan pastaj ECPA dhe PAMECA, që u përqëndruan më shumë në ndihmën për policinë e shtetit. PAMECA 2 pastaj e drejtuar nga Gjermania, ka mbështetur edhe prokurorinë. Tani ne përqëndrohemi më shumë në vënien në praktikë të ndryshimeve. Ne kemi mbërritur në një pikë, ku kemi parë shumë strategji dhe raporte. Shumë trajnime kanë shkuar kot, sepse ato që janë përgatitur, janë larguar pastaj nga posti. PAMECA 3 përqëndrohet në kryerjen e reformave të qëndrueshme, pikërisht tani, kur Shqipëria është në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Deutsche Welle: Do të thotë kjo, që PAMECA mbështet në të njëjtën mënyrë shtyllat e ndryshme të policisë dhe të sistemit të shtetit ligjor?


Michael Colbuorn: PAMECA 2 ka mbështetur shumë prokuroritë dhe sistemin e drejtësisë. Ne jemi përqëndruar në mbështetjen e gjithë sektorit të shtetit të së drejtës, pra drejtësisë dhe punëve të brendshme. Ne tani kemi tri programe motra për Shqipërinë: PAMECA 3 punon shumë ngushtë me policinë e shtetit, EURELIUS është një program i BE-së për mbështetjen e drejtësisë, që bashkëpunon shumë ngushtë me këshillin e lartë gjyqësor dhe me gjykatat dhe realizon reformat që janë të nevojshme aty. Shtylla e tretë është një projekt binjak, i udhëhequr nga Spanja dhe i mbështetur nga Italia, që merret me prokurorinë shtetërore. Derisa këto sektorë të mos i shohim si një të tërë, nuk do të mund të sigurojmë një proces efikas kriminalistik dhe ligjor. Ne e kemi kuptuar, se kritika jonë në të kaluarën ka kaluar pa u vënë re, sepse policia, prokuroria e shtetit dhe gjykatat kanë punuar më vete. Me misionet ndihmëse të BE-së jemi përpjekur, që ta përcaktojmë më mirë sistemin kriminalistik ligjor dhe të kontribuojmë që kjo të kuptohet më mirë nga partnerët tanë shqiptarë.


Deutsche Welle: Sa reale ju duket që këshillimi juaj përvetësohet?


Michael Colbuorn: Ne duhet ta pranojmë, që policia shqiptare, por edhe shërbime të tjera policore në rajon gjenden para sfidave shumë të mëdha. Policia e shtetit shqiptar ka një moshë 96 vjeçare, por vetëm një pjesë e vogël e kohës ka të bëjë me përvojën demokratike. Ne na është dashur të arrijmë transformime substanciale në një kohë shumë të shkurtër. Kjo do të thotë, ne kemi venë në lëvizje shumë zhvillime. Prandaj për ne ka rëndësi, që policia e shtetit ta përvetësojë këtë dhe të fillojë ta verë në praktikë në trajnimet e veta atë që kemi përcjellur ne. Ata duhet t´i përvetësojnë këto njohuri dhe të ecin përpara. Prandaj tani bashkëpunojmë në të gjitha sektorët: në menaxhimin financiar, në menaxhimin e personelit dhe në rradhë të parë në sektorin e trajnimit dhe të menaxhimit të trajnimit strategjik. Vetëm kështu mund të ketë qëndrueshmëri.


Deutsche Welle: Ku hasni vështirësitë më të mëdha?


Michael Colbuorn: Nqs do t´i vësh në jetë ndryshimet, duhet nganjëherë të ndërhysh direkt në procedurat e zakonshme të punës. Akoma përpilohen direktiva e përgjithme të veprimit (Standard Operating Proceedures) për policinë shqiptare. Shumë është bërë në nivele të larta në sektorin e legjislacionit dhe të vendimeve administrative, gjë që sjell rezultat. Por pyetja mbetet: A ka kjo edhe efekt praktik? A e bëjnë njerëzit, atë që kërkohet prej tyre? Edhe prandaj jemi shumë prezent në rajon. Ne kalojmë kohën me drejtuesit e policisë në bazë, me oficerë të shkëlqyer, që e kuptojnë mirë punën e policisë lokale dhe kanë një frymë partneriteti, për të cilët ka rëndësi që t´i bëjnë një shërbim klientit, qytetarit. Ne kemi kolegë të tillë në aeroport, në pikat e kontrollit në kufi. Këto janë shembuj fanstastikë, se si mund t´i bësh shtetet e BE-së të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Ne nuk mund t´i lëmë vetëm. Ne duhet t´i mbështesim të këtillë njerëz, derisa mendimi i tyre modern të dominojë organizimin. Ne punojmë me njerëz të tillë për të nxitur ndryshimet.

(AV/ACA)



  • Data 24.01.2009
  • Autor Intervistën e zhvilloi Fabian Schmidt
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GfKZ
  • Data 24.01.2009
  • Autor Intervistën e zhvilloi Fabian Schmidt
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GfKZ