1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Policia pengon protestat e gazetarëve në Maqedoni

Qindra gazetarë, nën drejtimin e këshillit inicues për lirimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, dolën të protestojnë para muzeut të VMRO-së në shprehje të indinjatës ndaj dënimit me burgim për gazetarin Kezharovski.

Qindra gazetarë, nën drejtimin e këshillit inicues për lirimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski u mblodhën të mërkurën (23.10.2013) në mesditë për të protestuar para muzeut të VMRO-së për të shprehur indinjatën ndaj dënimit me burgim për gazetarin Kezharovski. Por numri i madh i forcave special të policies e pengoi tubimin e protestuesve , edhe pse protesta e gazetarëve ishte paralajmëruar me kohë.

Gazetarët protestues disa herë tentuan të shpërthejnë kordonin e policisë, mirëpo prej çasti në çast numri i policisë speciale rritej dhe ishte e pamundur që protestuesit t’i afroheshin muzeut të VMRO-së, ku sot u zhvillua ceremonia e përvjetorit të luftës revolucionatre të VMRO-së. Shoqatat e gazetarëve dhe organizata joqeveritare, kishin ftuar gazetarë dhe qytetarë të dalin masivisht në mbrojtje të lirisë së shprehjes. Protestuesit ishin të veshur me bluza të zeza me mbishkrimin “Liri për Kezharovskin”. Gazetarët e mbledhur mbanin në duar parrulat me thirrje:“Mos e arrestoni fjalën”, “ Liri për Kezharovskin”, “Cili gazetar e ka radhën të arrestohet?’’, “ Nuk mund të na e mbyllni gojën”.

Protestuesit: Nuk do të lejojmë që të ndalohet liria e shprehjes në Maqedoni

Nga Këshilli inicues për lirimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, thonë se pushteti me pengimin e protestës edhe një herë dëshmoi se është i vendosur për ta censuruar fjalën dhe shprehjen e lirë në Maqedoni. Sipas tyre, numri i madh i forcave speciale të policisë, tregon se Maqedonia po shndërrohet në një shtet policor. Redaktori i gazetës “ Nova Makedonija”, Zoran Dimitrovski, thotë se protesta ishte paqësore dhe pushteti nuk duhet të frikësohet nga gazetarët. “Ne në mënyrë simbolike përzgjodhëm që protesta të mbahet para muzeut të VMRO-së , ku sot shënohet 120 vjetori i luftës revolucionare e cila kishte për qëllim lirinë. Por, ky pushtet nuk ka asnjë pikë të përbashkët me konceptin e lirisë. Mënyra se si u pengua kjo protestë, është turp për Maqedoninë”, thotë Zoran Dimitrovski.

Ne nuk do të na frikësojë prania e madhe e forcave speciale të policisë, ne nuk jemi frikacakë dhe do të vazhdojmë ta ngremë zërin e protestës ndaj bllokimit të fjalës së lirë, thotë gazetari Borjan Jovanovski. “Ne nuk do të lejojmë që puna e gazetarëve në Maqedoni t’i ngjajë Bjellorusisë apo vendeve ku ndalohet shprehja e lirë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat evropiane dhe botërore të gazetarisë, të cilat na japin përkrahje të plotë për mbrojtjen e fjalës së lirë të gazetarit”, shprehet Jovanovski.

Në mesin e protestuesve ishte edhe bashkëshortja e gazetarit të burgosur, Marina Kezharovska. Ajo para të pranishmëve foli për tragjedinë e tmerrshme që e goditi familjen e saj. Ajo ende nuk beson se një gazetar mund të dënohet me 4 vite burgim , në një shtet i cili pretendon të jetë në familjen e Bashkimit Evropian. “Protesta e gazetarëve, edhe pse u pengua, mua më bën krenare, më jep shresë se pushteti aktual në Maqedoni do të vetëdijësohet dhe se burgosja e bashkëshortit tim do të jetë e fundit në radhët e gazetarëve. Ai është i pafajshëm , faji i vetëm i tij për gjyqësorin është se ai ka dashur me shkrimet e tij të jetë sa më objektiv dhe të promovojë gazetarinë hulumtuese që i mungon Maqedonisë” , shprehet Maria Kezharovska.

Kryeredaktori i televizionit Alsat M , Muhamet Zeqiri, thotë se ndërhyrja e policisë speciale në pengimin e protestës paqësore të gazetarëve, është edhe një dëshmi se jetojmë në një shtet policor. “ Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet t’i mbyllim sytë, sepse në të kundërtën çdo gazetari mund t’i ndodhë ajo që i ndodhi edhe gazetarit Tomisllav Kezharovski”, shprehet Zeqiri.

Protesta përfundoi me ndezjen e qirinjve duke simbolizuar vdekjen e lirisë së shprehjes së lirë në Maqedoni.