1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia në Kosovë po zhvillon hetime, nëse në vend ekziston një rrjet trafikimi organesh.

Arben Muka7 Nëntor 2008

Policia në Prishtinë ka arrestuar dy mjekë kosovarë, të cilët në bashkëpunim me një mjek turk në një ambulancë private i kanë transplantuar ilegalisht një veshkë një shtetasi izraelit.

https://p.dw.com/p/FpPD
Fotografi: AP

Policia në Kosovë po mban në arrest dy mjekë të njohur kosovarë të përfshirë në transplantim ilegal organesh në njerëz. Dy mjeket kosovarë Lutfi Dervishi dhe Tuna Pervorfi në bashkëpunim me një mjek me përkatësi turke, Yusuf Erçin Sënmez, i kanë transplantuar një veshkë një shtetasi izraelit në një ambulancë private në Kosovë"medicus". Veshkën konfirmohet se e ka shitur për shtetasin izraelit në mënyrë vullnetare një i ri turk, i cili tani nën përkujdesjen e policisë po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Transplantimi i organeve të njerëzve ndalohet me ligj në Kosovë, për faktin që në ligj specifikohet qartë se në Kosovë nuk ka kushte për operime të tilla. Policia është duke hetuar, nëse personat e arrestuar janë të përfshirë në rrjete të trafikimit të organeve të njerëzve, apo vetëm kanë kryer transplantime. Zedhënësi i policisë Veton Elshani.

"Duke marrë parasysh faktin, që trafikimi me organe njerëzore nuk është një dukuri që zhvillohet vetëm brenda një shteti, por kalon kufijtë, kjo konsiderohet të jetë krim i organizuar dhe në këtë kuadër nga policia do të hetohet e tërë linja. Tash për tash, hetimet i kemi të orientuara ka lindja në këtë rast ka Turqia dhe Izraeli, por do të hetohen edhe linja tjera të mundshme", thotë zëdhënësi Elshani.

Gjatë tre muajve të fundit çështja e trafikimit të organeve të njerëzve përfshiu mediat e rajonit sidomos ato serbe, ku thuhej sa pas luftës qindra serbë janë bartur nga Kosova në një fshat në Shqipëri, ku iu janë hequr organet dhe ato janë shitur diku nëpër vendet e Evropës perendimore. Burimi i këtyre informatave ishte një libër i ish kryeprokurores së Tribunalit të Hagës Karla Del Ponte, e cila ngrehte dyshime për trafikim organesh. Kjo çështje dhe rasti i fundit i transplantimit ilegal të organeve në Prishtinë sipas qeverisë së Kosovës nuk ka asnjë lidhje njëra me tjetrën. Zëvëndëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuci thotë se në këtë mes është e përfshirë drejpërdrejt politika e Serbisë, e cila për synim ka degradimin e institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

"Dyshimet e ngritura në librin e Karla del Pontes janë vërtetuar se kanë qenë shpifje natyrisht në këtë mes kanë kontribuar edhe të tjerët. Ndërsa, rasti i transplantimit të organeve në Prishtinë është një veprim ilegal mjekësor, që unë do të thoja se nuk ka lidhje me luftën dhe të kaluarën dhe me këtë dëshiroj të them se këto dy raste nuk kanë ngjashmëri, aq me pak kur rasti i fundit është i luftuar legalisht nga Kosova, ndërsa dyshimet e Karla del Pontes janë vetëm shpifje", thotë zëvëndëskryeministri Kuci.

Sidoqoftë policia në Kosovë sa i përket rastit të transplantimit të organeve të njerëzve në Prishtinë thotë, se është duke kërkuar një mjek turk i përfshirë drejpërdrejt në këtë çështje dhe nëse shumë shpejt nuk arrin ta arrestojnë atë, do të lëshojë një fletarrest ndërkombëtar. Një ditë më parë mediat turke raportuan se mjeku turk, Yusuf Erçin Sënmez, e ka të ndaluar që ta ushtrojë profesionin e mjekut në Turqi, sepse ai është pjesë e mafias se transplantimit të organeve të njerëzve. Gjithmonë sipas mediave turke organet zakonisht janë shitur nga dhurues vullnetar nga Evropa Lindore, ndërsa përfituesit e organeve zakonisht kanë qenë shtetas të Izraelit, që kanë pagur rreth 100 mijë dollarë për një organ, zakonisht veshkë.