Policia kineze shtyp protestat - Në arrest edhe gazetarë gjermanë | Bota | DW | 28.02.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Policia kineze shtyp protestat - Në arrest edhe gazetarë gjermanë

Policia kineze u përpoq të pengonte me forca të shumta policore një numër protestash në disa qytete të mëdha të vendit. Kjo është e diela e dytë në radhë që në Kinë ka protesta sipas shembullit të vendet arabe.

default

Protesta në Pekin

Qendra e Pekinit ishte mbushur të dielën me qindra patrulla policësh në uniformë dhe të veshur civilë. Ata u përpoqën të pengonin grumbullimet e njerëzve në rrugën tregtare Wangfujing ose protestat e mundshme.

Kalimtarëve dhe gazetarëve të huaj u kërkohej pjesërisht edhe me vrazhdësi që të vazhdonin rrugën. Kush refuzonte merrej prej forcave të sigurimit të veshura me uniforma civile. Njoftohet se janë arrestuar shumë persona dhe se në veprim ishin edhe skuadrat e qenëve të policisë si dhe policia ushtarake.

Flash Galerie Chinesische Netizen starten Jasminerevolution in China

Në Pekin policia ndaloi përkohësisht një sërë gazetarësh të huaj, ndër ta edhe gjermanë

Policia ndaloi edhe reporterë dhe ekipe televizive të huaja, ndër ta edhe dy ekipe të kanalit të parë dhe të dytë televiziv publik gjerman ARD dhe ZDF.

Korrespondentja Christine Adelhardt thotë: "Ne, domethënë kameramanin, operatorin e zërit dhe mua, na mbajtën katër orë në një ndërtesë dhe gjatë kësaj kohe na morën në pyetje punonjës të ndryshëm. Na thanë se nuk kishim leje për të xhiruar në atë rrugë dhe se kishim shkelur ligjin. Pastaj kërkuan që të shihnin materialin që kishim xhiruar, ne refuzuam dhe ata donin të na e merrnin, por ne sërish refuzuam. Në fund na lanë të shkonim, por pasi kërkuam falje.“

Ekipi tjetër gjerman u mbajt në arrest për gjashtë orë dhe u lirua pasi u mor në mënyrë të ngjashme në pyetje dhe kërkoi me detyrim falje.

Autoritetet kineze po përpiqen me një angazhim masiv të forcave të rendit për të penguar protestat sipas modelit arab. Në internet ishte bërë një thirrje anonime për të marrë pjesë këtë të dielë në shëtije proteste në mbi 20 qytete të Kinës.

China Proteste Polizei

Kalimtarëve u kërkohej pjesërisht edhe me vrazhdësi që të vazhdonin rrugën

Autoritetet kanë vënë nën kontroll të rreptë aktivistët për të drejtat e njeriut. Në stacionet e metrosë së Pekinit shihej prania e policisë, dhe në të gjitha rrugët që të çojnë në rrugën Wangfujing kishte postblloqe kontrolli të policisë, në të cilat kontrolloheshin rreptë edhe gazetarët e huaj. Po ashtu në orën që parashikohej të mbahej "protesta e jaseminëve" në rrugën Wangfujing hynë makinat e pastrimit që filluan të lajnë rrugën me ujë.

Prania e madhe policore u vërejt edhe në qytete të tjera të Kinës, si p.sh. në Shangai ku policët shpërndanë rreth 200 persona.

Pa i përmendur drejtpërdrejt thirrjet e protestës, kryeministri kinez, Wen Jiabao, premtoi se do të intesifikojë luftën kundër probleme sociale të vendit. Në një forum në internet ai pranoi se në radhët e popullsisë ka pakënaqësi: "Në rast se rritja e çmimeve shoqërohet me korrupsion, njerëzit bëhen të pakënaqur dhe kjo mund të çojë në probleme të rënda sociale.“

Kryeministri premtoi një ndarje më të drejtë të të ardhurave dhe një luftë më të fortë ndaj inflacionit. Për të përballuar çmimet e ushqimeve dhe të banesave duhet që ekonomia kineze të rritet në të ardhmen më ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme. Wen premtoi një rritje prej 7%. Vitin e kaluar Kina pati një rritje ekonomike prej mbi 10%.

Autor: Ruth Kirchner/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 28.02.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10QNW
  • Data 28.02.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10QNW