1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Policia indoneziane identifikon atentatorët

Atentatet kundër dy hoteleve në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, sipas policisë janë kryer nga dy anëtarë të organizatës terroriste Xhemah Islamiah. Përdorimi i lëndëve shpërthyese është tipik për këtë grup, u tha.

I maskuari mendohet se është i kryeterroristi i shumëkërkuar Nordin Top

I maskuari mendohet se është i kryeterroristi i shumëkërkuar Nordin Top

Policia indoneziane ka konstatuar identitetin e një terroristi. Sipas informacioneve të gazetave në një regjistrim me video të një kamere përgjimi u dallua një burrë, i cili bën pjesë në grupin terrorist të kryeterroristit të kërkuar, Nordin Top. Gazeta e përditshme Xhakarta Post (Jakarta Post) shkroi se ka mundësi që të bëhet fjalë për Nur Hasbinë, të njohur edhe me emrin Nurdin Aziz, i cili ka qenë shok me njërin nga atentatorët vetëvrasës, të cilët kryen në vitin 2003 një atentat kundër hotelit Marriot në Xhakartë.


Të gjithë këta besohen se kanë përfunduar shkollën islamike të predikuesit Abu Bakar Bashir në Solo të ishullit Java. Abu Bakar Bashiri konsiderohet udhëheqësi shpirtëror i organizatës terroriste Xhemaah Islamiah dhe besohet se ka marrë pjesë edhe në atentatin e parë me bomba në ishullin e pushimeve Bali, në vitin 2002, megjithëse kjo atij nuk iu vërtetua dot kurrë. Që prej lirimit të tij nga burgu, dy vjet të shkuara, i papenguar, ai ka mundësi që të bëjë thirrje edhe më tej në shkollën e tij islamike për luftë të shenjtë.

Forcat e sigurisë dhe policia indoneziane kanë ende punë për të bërë lidhur me masat e sigurisë

Sipas informacioneve të gazetave indoneziane, shkolla islamike në Solo pretendon se nuk ka të bëjë fare me atentatet në Xhakartë. E sigurtë sidoqoftë duket të jetë, se terroristët të maskuar si klientë të hotelit Marriot u regjistruan atje dhe se i montuan bombat në dhomën e tyre në katin e 18-të të hotelit luksoz. Në hotelin Ritz-Carlton ata arritën me sa duket përmes një tuneli të nëndheshëm, i cili normalisht përdoret vetëm nga punonjësit e hotelit, shkruan gazeta e përditshme Xhakarta Post.


Politologu indonezian Suny Tanuvidjaja tha në televizion se kjo tregon se ka pasur mangësi të mëdha në marrjen e masave të sigurisë: "Fakti që ishte e mundur të kryhej një atentat i përmasave të tilla në hotele, në të cilat në fakt vlejnë masa të rrepta sigurie, tregon se forcat e sigurisë dhe policia indoneziane kanë ende punë për të bërë."


Edhe të dielën (19.07), një numër i madh banorësh të Xhakartës shkuan te të dyja hotelet, të cilat u shkatërruan nga bombat dhe vendosën lule në kangjellat që bllokonin hyrjet për në hotel.

"Dorasit janë me siguri të njëjtët njerëz, që kanë kryer edhe më parë atentate të tilla. Ndoshta Xhemah Islamiah, ata janë në gjendje të kryejnë atentate të tilla."

"Unë jam indonezian dhe i tronditur thellësisht që ndodhi sërish diçka e tillë. Ne kemi filluar të tregohemi të shkujdesur me sigurinë tonë, në një kohë kur masat e sigurisë thuhet se janë kaq të mira," - thonë disa banorë.


Në atentatet kundër hoteleve Marriot dhe Ritz- Carlton në Xhakartë, të premten (17.7) u vranë të paktën 8 vetë. Viktimat besohet se janë të gjithë klientë të hotelit nga bota e jashtme. Tri nga viktimat megjithatë nuk janë identifikuar ende. Më shumë se 50 vetë u plagosën, disa prej tyre rëndë.


Autor: Bernd Mush Borowska/Auron Dodi
Redaktor: Dr. Pandeli Pani

  • Data 20.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/It54
  • Data 20.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/It54