1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Policia franceze godet rrjetin e hajdutëve të xhepave

Policia franceze bastisi të martën (25.09) tri kampe rome në lagjjet e veriut të Parisit dhe ndaloi dhjetë persona. Ata akuzohen se kanë detyruar fëmijë që të vjedhin pasagjerët në rrjetin e metrove të kryeqytetit.

Policia franceze largon romët

Policia franceze largon romët

Operacioni përfshiu 200 oficerë policie, të cilët zbarkuan në kampet e distriktit të punëtorëve në Aubervilliers, Stains dhe Saint-Denis, raportuan zyrtarë të policisë vendase. Po sipas të njëjtave burime zyrtare bëhet e ditur se tre anëtarë të tjerë të këtij rrjeti u arrestuan në Rumani.

Bastisjet erdhën pas një hetimi të bërë nga shërbimet policore në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, i cili nisi vitin e kaluar, pasi minorenë të shumtë keqtrajtoheshin dhe detyroheshin për të lypur, nën kërcënimin e dhunës.

Burimet thanë se dhjetëra telefonë celularë, që u qenë vjedhur pasagjerëve të metrove u gjetën në kampet e kontrolluara nga policia. Një zyrtar policie tha se rrjeti përbën rreth "75% të vjedhjes së xhepave në metrotë pariziene."

Zbrazja e kampit Saint-Priest pranë Lionit

Zbrazja e kampit Saint-Priest pranë Lionit

Ky operacion lidhet gjithashtu edhe me zhurmën e krijuar nga pastrimi i parave në Rumani. Qeveria franceze po përpiqet të arrijë, që 15 mijë romët që jetojnë në kampet e improvizuara të kthehen në vendet e tyre të origjinës, kryesisht në Rumani dhe Bullgari.

Kritikohet mbyllja e kampeve

Politika e mbylljes së kampeve të emigrantëve dhe e riatdhesimit të romëve, duke i stimuluar ata me 300 euro për t'u kthyer është kritikuar gjerësisht. Kritikët deklaruan se romët do t´i përdorin paratë e dhëna nga Parisi për të blerë bileta autobusi e për t´u kthyer mbrapsht në Francë.

Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara, Navi Pillay së fundmi shprehu shqetësim në lidhje me mbylljen e detyruar të kampeve të romëve në Francë. Rumania, një ndër dy shtetet më të varfëra në Bashkimin Evropian, ka pakicën më të madhe të romëve në Evropë. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të censusit aty jetojnë 620 mijë romë, ndërsa në bazë të grupeve lokale të të drejtave, numri real i tyre është më shumë se dy milion.

Autor: Elona Elezi (rb-bbm/ach/mm/yad)

Redaktoi: Auron Dodi