1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Policia e Kosovës merr kompetenca në kufi me Shqipërinë

Policia kufitare e Kosovës merr kompetencat nga KFOR-i për patrullimin e kufirit me Shqipërinë. Zyrtarë të forcave paqeruajtëse thonë se policia e Kosovës gradualisht po arrin kapacitet që t'i mbikqyrë vetë kufijtë.

Prishtina

Prishtina

Policia e Kosovës arrin të përmbushë një objektiv të saj shumë të rëndësishëm, të patrullojë kufirin me Shqipërinë pa ndihmën e KFOR-it. Zyrtarë të forcave paqeruajtëse thonë se ky hap është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Zëdhënësi i KFOR-it nga Brigada shumëkombëshe Jugperëndim, Françesko Frigiola, i tha DW-së se KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë policinë e Kosovës edhe pse bart një pjesë të përgjegjësive në patrulimin e kufirit me Shqipërinë.

“KFOR-i vazhdon t'i mbajë kompetencat në përgjithësi për kufijtë e Kosovës. Por në kufirin Kosovë-Shqipëri tash do të patrullojë policia e Kosovës. Nëse policia kërkon ndihmën e forcave paqerujatëse për ndonjë rast, ato janë të gatshme të intervenojnë dhe të vendosin forca në rajone të ndryshme”, thotë Françesko Frigiola. Ndërkohë, udhëheqësi i policisë kufitare të Kosovës, Shaban Guda, thotë për DW se bartja e përgjegjësive nga KFOR-i te policia kufitare e Kosovës për një pjesë të kufirit është një hap i rëndësishëm për vendin, sepse kjo do të jetë një plus në procesin e stabilizim-asociimit dhe që ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufijve që ndërlidhet edhe me liberalizimin e vizave.

“Pse kemi ardhur deri tek kjo pikë, sepse me Shqipërinë kemi të shënuar vijën kufitare që është një element thelbësor për të ditur se deri ku shtrihet sovraniteti territorial i Kosovës dhe deri ku policia kufitare e Kosovës mund të shtrijë autoritetin e vet”, thotë Shaban Guda.

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse, thonë se gradualisht policia e Kosovës do të marrë kontrollin e kufirit edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Kosova ka të shënuar vijën kufitare me Maqedoninë, mirëpo jo edhe me Malin e Zi dhe Serbinë. Udhëheqësi i policisë kufitare të Kosovës, Shaban Guda, thotë se sa më shpejt që Kosova të shënojë gjithë vijën kufitare të saj do të jetë më lehtë për policinë kufitare të Kosovës që të parandalojë dukuritë negative.

“Shpresojmë që qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi së shpejti do të dakordohen për shënjimn e vijës kufitare ndërmjet dy vendeve. Për këtë ka një vullnet të mirë. Nuk mund të themi se kur do të shënjohet vija kufitare me Serbinë që përben 50 përqind të vijës kufitare të Kosovës, sepse policia kufitare e Kosovës nuk ka bashkëpunim me policnë kufitare të Serbisë. Ky bashkëpunim akoma realizohet vetëm nga KFOR dhe policia e misionit EULEX”, thotë Shaban Guda.

Vija kufitare e Kosovës është e gjatë 763 kilometra. Në bazë të rezolutës 1244 të KS-it mbi bazën e së cilës forcat paqeruajtëse akoma qëndrojnë në Kosovë, ato janë përgjegjëse për tërësinë tokësore të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 28.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N8yG
  • Data 28.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N8yG