1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Policët bullgarë në Dortmund

Numri më i madh i azilkëkuesve ballkanas në Gjermani vjen nga Serbia, por edhe bullgarët vijnë në Gjermani, edhe pse Bullgaria është pjesë e BE. Në këtë rrugë janë nisur edhe policë.

Policët bullgarë kanë ardhur për herë të dytë në Dortmund, ku prej anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian në vitin 2007 kanë ardhur shumë bullgarë të varfër, kryesisht nga qyteti Plovdiv, më mirë thënë nga rajoni i banuar me romë Stolipinovo. Dortmundi në vitin 2011 ka pasur probleme të mëdha me prostitucionin.

Problemi me prostitucionin është zgjidhur, por policia në Dortmund edhe më tej ka probleme të mëdha me plaçkitësit dhe hajnat kryesisht nga Bullgaria. Ndaj nga Bullgaria në Dortmund kanë ardhur dy policë, të cilët jo vetëm që e flasin gjuhën bullgare, por e njohin edhe mentalitetin e kriminelëve të atjeshëm. "I kam njohur disa prej tyre", thotë Atanas Georgiev, polic nga Plovdivi, i cili në Dormund ka ardhur së bashku me kolegun e tij nga Sofja, Dimitar Dimitrov. Inspektori Georgiev ka punuar më parë për 15 vite në rajonin e banuar me romë në Stolipinovo dhe është i bindur se mund të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve që ata shkaktojnë në Dortmund.

Çdo i pesti bullgar ka qenë i ndjekur penalisht

Policët gjermanë dhe bullgarë patrullojnë në rrugët e Dormundit me rroba civile dhe pa armë. Armët e tyre të vetme janë njohuria e njerëzve dhe strukturave të kriminelëve, thotë Detlef Rath, drejtor i stacionit policor në Dortmund. Kjo është shumë e rëndësishme për një qytet ku ka më shumë se 1.700 bullgarë dhe 300-350 kriminelë të dyshuar. "Këtu në veri të qytetit problemet janë më të mëdha, thotë shefi i policisë në Dortmund Norbert Wesseler, i cili shpreson se në bashkëpunim me kolegët nga Bullgaria gjendja do të përmirësohet. Në veçanti, kur dihet se qytetarët e Bullgarisë dhe Rumanisë do të kenë të gjitha të drejtat në BE, pra edhe të kërkojnë punë në ndonjë vend tjetër. "Ne si polici nuk e dimë se sa bullgarë të tjerë do të vijnë tek ne, por duhet të jemi të përgatitur për valë të reja", thotë ai.

Atanas Georgiev dhe Dimitar Dimitrov policë bullgarë në Dortmund

Atanas Georgiev dhe Dimitar Dimitrov policë bullgarë në Dortmund

Ideja për bashkëpunim me policët bullgarë ka ardhur nga Bullgaria. Së shpejti këtu do të vijnë edhe punonjës social nga Bullgaria, pasi shumë migrantë nuk flasin gjuhën gjermane. Ky është një prej shkaqeve pse ata shpesh bien pre e qarqeve mafioze dhe strukturave kriminale, thotë mjekja Marita Hetmeuer. "Kur ata vijnë këtu duhet të paguajnë të gjitha gjërat. Por pasi nuk kanë para dhe e kuptojnë se nuk do të gjejnë shpejt ndonjë vend pune, atëherë futen në vëshitrësi. Ndaj kërkojnë para prej të tjerëve dhe kështu futen në qarqet kriminale". Në rajonet ku jetojnë këta romë, kanë rënë dukshëm qiratë, sepse askush nuk do të jetojë në këto zona.

Në fund asgjë

„Duhet të kujdesemi për njerëzit, që jetojnë këtu", thotë Diane Jegers nga autoritetet e qytetit. Problemet më të mëdha,, me të cilat përballen këta persona, janë mosnjohja e gjuhës, papunësia dhe frika nga autoritetet e shtetit. Këto pengesa duhet të tejkalohen, thotë Jegers. Ekspertët thonë se kushtet kryesore për punësimin e tyre janë njohja e gjuhës dhe kualifikimet e domosdoshme. Por ata nuk i kanë këto kualifikime, ndaj nuk kanë shansa për një punë.