1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Polemikë mbi kushtet në burgjet izraelite

Vdekja e të riut palestinez në një burg izraelit ka shkaktuar polemika për shkaqet e saj. Fjala është më shumë për sqarimin mjekësor të çështjes.

Ku fillon tortura dhe ku mbaron ajo? Kjo është pyetja, për të cilën grinden izraelitët dhe palestinezët, që kur 30 vjeçari baba fëmijësh, Arafat Xharadat vdiq në një burg izraelit. A janë të dy brinjët e thyera, që diagnostikoi ekipi i përbashkët palestinezo-izraelit i autopsisë, pasoja të keqtrajtimit? Jo, thonë izraelitët: Dy brinjët janë thyer, kur mjekët u përpoqën, për ta ringjallur të burgosurin. Palestinezët e shohin këtë ndryshe: Ata flasin për hematoma të rënda në kurrizin e të burgosurit duke i parë ato si shenja të torturave, që i janë bërë Xharadatit.

Për Lior Ben Dor, zëdhënës i ministrisë së Jashtme izraelite, motivet për pohimet e palestinezëve janë të qarta. Ai supozon se palestinezët duan ta instrumentalizojnë politikisht vdekjen e Xharadatit. Pohimi se i burgosuri ka vdekur nga përdorimi i dhunës, është pjesë e një fushate palestineze kundër Izraelit: "Por me realitetin ajo nuk ka të bëjë aspak", tha Ben Dor në bisedë për DW.

Vdekje në burg

Megjithatë mbeten pyetje të hapura. Që nga viti 1967, sipas organizatës joqeveritare palestineze "Al Haq", rreth 200 palestinezë kanë vdekur në burgjet izraelite: një numër i lartë, që mund të shpjegohej së paku pjesësisht edhe me trajtimin e të burgosurve palestinezë. Të burgosurit janë si "bomba me sahat", thotë Lior Ben Dor: "Ata, që ndodhen në burgjet izraelite, ndodhen atje, sepse kanë marrë pjesë në sulmet armiqësore dhe terroriste kundër Izraelit dhe qytetarëve të tij." Disa prej këtyre të burgosurve posedojnë informata, që janë të domosdoshme për mbrojtjen e Izraelit dhe qytetarëve të tij. Prandaj të burgosurit merren edhe në pyetje. Por edhe nëse ne përdorin ndaj tyre metoda të caktuara, ato përputhen gjithnjë me marrëveshjet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare", thotë Ben Dor.

Shavan Jabarin, drejtor i "Al Haq", e kundërshton këtë pikëpamje. Arrestimet bazohen pjesërisht në fajësimet si ai, që të burgosurit kanë gjuajtur me gurë, ose kanë marrë pjesë në demonstrata. Të tjerët mbahen në burg për arsye administrative. Deri tani nuk janë akuzuar për asnjë krim "ndaj të cilit të burgosurit mund të mbroheshin."

Sharje dhe papastërti

Se çfarë metodash përdoren në marrjet në pyetje, e ka dokumentuar organizata izraelite për të drejtat e njeriut B´Tselem në një raport të publikuar në vitin 2010. Sipas tij shumica e qelive, ku të burgosurit dërgohen para se të merren në pyetje, janë pa dritare. Një e katërta e të burgosurve të pyetur, thotë B´Tselem, raportojnë për një ventilim artificial, ose shumë të nxehtë, ose shumë të ftohtë. Të tjerë ankoheshin për tualete me erë të keqe, ose për dyshekë dhe batanije të pista. Gjatë marrjes në pyetje të burgosurit rrinë ulur në një karrige të fiksuar dhe nuk janë në gjendje të lëvizin aspak. Disa nga të burgosurit, të pyetur nga B´Tselem, kanë treguar për marrje në pyetje për ditë të tëra, pa vënë gjumë në sy. Një e treta rrëfen për sharje dhe një e dhjeta për dhunë fizike.

Tortura si instrument politik?

Metoda të tilla, shkruan gazeta palestineze Al Quds me rastin e vdekjes së Arafat Xharadat-it, përdoren qëllimisht nga autoritetet izraelite të burgut. "Ato nuk janë as të rralla dhe as të pazakonta, por rrjedhin direkt nga pushtimi. Megjithëse torturat burojnë nga autoritetet e sigurisë, ato gjejnë bekimin dhe mbështetjen e instancave politike dhe juridike të Izraelit." Këtë mendim përfaqëson edhe Shavan Jabarin: "Izraeli e konsideron trysninë ndaj të burgosurve palestinezë si pjesë të instrumenteve të saj politikë."

Sipas B´Tselem momentalisht në burgjet izraelite ndodhen rreth 4600 palestinezë. Si reagim ndaj vdekjes së Arafat Xharadat-it ata hynë për një ditë në grevë urie. Një pjesë e tyre duan ta vazhdojnë atë, disa madje pa afat. "Unë kam përshtypjen, se orteku po bëhet gjithnjë e më i madh", thotë Jabarin.

Palestinians hold portraits of their relatives held in Israeli jails during a demonstration to show solidarity with prisoners on hunger strike, in the West Bank city of Ramallah May 11, 2012. Hundreds of Palestinians on hunger strike in Israeli jails said on Friday they would shun vitamin supplements and prison clinics in an escalation of their mass protest against detention conditions. REUTERS/Mohamad Torokman (WEST BANK - Tags: POLITICS CIVIL UNREST)

Demonstratë solidariteti në Ramallah me të burgosurit në grevë urie në Izrael

Frikë nga një Intifadë e tretë

Izraelitët akuzojnë palestinezët dhe sidomos autoritetet e autonomisë palestieneze, se duan të tërheqin sa më shumë vëmendjen para vizitës së presidentit amerikan Barack Obama në fund të marsit në Izrael dhe në territoret autonome palestineze. Mahmud Abbas, kreu i autonomisë plaestineze, e shfrytëzoi tragjedinë për një sulm politik, shkruan gazeta izraelite Israel Hayom: "Kjo është e drejta e tij, por hapi palestinez do të thotë se Ramallahu largohet nga pozicioni i tij i deklaruar i bashkëpunimit me Izraelin." Abbas nxit me qëllim polemika, kritikon gazeta izraelite.

Këtë e kundërshtojnë palestinezët. Duhet menduar për të mbrojtur veten dhe për ta çuar rastin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, lexon në Al Quds. Që kur autoritetet e autonomisë u ngritën në OKB në statusin e shtetit vëzhgues, ky hap i është mundur për palestinezët. Konflikti po merr dimensione gjithnjë e më të forta. Nëse ai mund të zgjidhet edhe me mjete paqësore, është e diskutueshme. Vëzhguesit flasin ndërkohë për mundësinë e një Intifade të tretë.