1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polemikë për buxhetin në koalicionin qeverisës gjerman

Eliana Xhani11 Prill 2008

Polemika në qeverinë gjermane mbi buxhetin e vitit 2009 është shkallëzuar. Ministri gjerman i financave Peer Steinbrück i konsideron të tepruara plan-shpenzimet e disa ministrive.

https://p.dw.com/p/DfjE
Arka
ArkaFotografi: AP

Ministria e financave ka kërcënuar madje se në rast nevoje do t'a hartojë buxhetin për vitin e ardhshëm pa përfshirjen e ministrive të ekonomisë, arsimit, zhvillimit dhe transporteve.


Lidhur me këtë temë shkëpusim nga komenti në "Frankfurter Rundschau": Ministri i financave Peer Steinbrück ia shprehu inatin katër kolegëve të kabinetit, dy të kuqve dhe dy të zinjve. Një lëvizje taktike mjeshtërore? I inatosuri rrezikon që të hidhet si tigër dhe të përfundojë si lëkurë. Kancelarja nuk mund të lejojë që ai t'u marrë ministrave të tjerë autoritetin e hartimit të buxheteve respektive. Shpërthimi i Steinbrück-ut i jep Merkelit mundësinë të ushtrojë kompentecën e saj të dhënies së direktivave. Kjo do të thotë që ajo duhet të nxisë arritjen e kompromist. Të kursehet diçka më pak dhe të investohet diçka më pak. Më i rëndësishëm do të ishte ndërgjegjësimi se deformimi i reformës së ndihmës për të papunët dhe asaj të pensioneve për shkak të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kontribuoi në rrënimin e disiplinës financiare. Në këtë drejtim zemërimi i ministrit të financave është legjitim", mendon komentatori i "Frankfurter Rundschau".


Mbi të njëjtën temë citojmë nga "Thüringer Allgemeine": "Të ardhurat e bollshme fiskale gjatë dy viteve të fundit kanë çuan në mendjelehtësi. Në vetvete çdo shpenzim shtesë është i justifikuar. Gjatë drejtimit të takimit të G-8-s Angela Merkel u angazhua për më shumë ndihmë për zhvillim. Kjo vazhdoi me investimin e 3 për qind të arritjeve ekonomike në kërkim dhe zhvillim shkencor. Por spiralja e premtimeve filloi të rrotullohej gjithnjë e më shpejt për pensione më të larta, kohë më të gjatë ndihme për të papunët, më shumë ndihmë financiare për banesat, për studentët dhe mbështetjen e familjeve. Për të gjitha këto kancelarja ka dhënë fjalën dhe gjen natyrisht mbështetjen e ministrave përkatës. Për këtë arsye ministri i financave Steinbrück pret pak përkrahje në kabinet dhe jep alarmin më kot pasi askush nuk ia vë veshin," përfundon "Thüringer Allgemeine" me të cilën mbyllim edhe pasqyrën e shtypit.