1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Polakët mbështesin Ukrainën evropiane

Me interesim të madh polakët ndjekin ngjarjet në Ukrainë. Vendi fqinj ka për ta rëndësi të madhe politike dhe ekonomike. Dhe kjo ka të bëjë me frikën e Polonisë nga rritja e ndikimit rus në rajon.

default

Deputeti polak Marcin Swiecicki mes demonstruesve pro perëndimorë në Kiev

Zhvillimet në Ukrainë ndiqen me vemendje në Poloni: Nëse Ukraina bie përsëri nën hegjemoninë e Rusisë, rradhën do ta ketë Polonia, kjo është frika e shumë polakëve. Në rradhë të parë përkrahësit e partisë së djathtë konservatore polake "Ligj dhe Drejtësi" (PiS) të Jaroslav Kaczynskit mbështesin këtë tezë. Dhe ata nuk janë pak. PiS mund të zëvendësojë në zgjedhjet e ardhshme në Poloni "Platformën qytetare" në pushtet të kryeministrit Tusk. Sikur kjo të ndodhë me të vërtetë, do të shtohen edhe ndjenjat antievropiane dhe histeria antiruse në dritën e ngjarjeve në Ukrainë, paralajmëroi së fundi Jerzy Urban, gazetar polak, satirik dhe politikan.

Një rol kyç në lindje

Jaroslaw Kaczynski

Jaroslaw Kaczynski

Por edhe pa Kaczynskin gjendja në Ukrainë i shqetëson polakët. Ukraina është krahas Gjermanisë fqinji më i madh i Polonisë, një vend me një potencial gjigand politik, ekonomik dhe demografik. "Çdo vend do që fqinjët e tij të jenë stabilë, të zhvillohen ekonomikisht dhe të kapërcejnë krizën", thotë Wojciech Kononczuk i qendrës polake për studimet e Lindjes (OSW) në Varshavë. "Nga këndvështrimi polak Ukraina luan krahas Rusisë një rol kyç në Lindje". Ajo është e rëndësishme për marrëdhëniet e Polonisë me Rusinë, si dhe për rolin e Rusisë në rajon. "Prandaj është në interesin e Polonisë, që Ukraina të lidhet me strukturat perëndimore dhe të mos bjerë në varësi të Rusisë", thotë eksperti.

Çështja nuk është të përjashtohet Rusia nga Perëndimi, por e kundërta, shton ai. "Polakët e dinë shumë mirë se një Ukrainë demokratike dhe pranë Evropës do të ndikonte pozitivisht edhe në proceset demokratizuese dhe transformuese në Rusi. Prandaj Moska reagon në mënyrë kaq alergjike ndaj përpjekjeve për afrim të Ukrainës me BE", thekson Kononczuk. Ky është edhe shkaku, përse për BE tensionet e brendshme në Ukrainë janë një çështje me rëndësi të madhe.

Pa Ukrainën Rusia nuk mund të bëhet perandori

Besuch des polnischen Präsidenten Komorowski in der Ukraine

Pamje nga një vizitë e presidentit polak Komorowski në Ukrainë

Poloninë dhe Ukrainën i lidh një kulturë, histori dhe e tashme e përbashkët. Para Luftës së Dytë Botërore pjesë të tëra të Ukrainës së sotme perëndimore i përkisnin Polonisë. Kur pas Luftës së Dytë Botërore fuqitë fituese i rindanë sferat e interesit dhe vendosën disa kufij të rinj, këto territore i kaluan Ukrainës, që ishte atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Qindramijëra polakë u transferuan me detyrim nga Ukraina në Poloni, qindramijëra ukrainas u detyruan të shkonin nga Polonia në BS. Shumë lidhje kanë mbetur të gjalla deri sot.

Por ka edhe arsye politike për interesin e Polonisë për zhvillimet në Ukrainë. Frika nga Rusia luan një rol shumë të madh. "Politika polake ndaj shteteve postsovjetike është një pjesë e taktikës së dobësimit të Rusisë dhe një demontim e perandorisë ruse. Zhvillimi i standarteve demokratike, perëndimore në shtetet postsovjetike dhe minimi i sistemit politik të Rusisë janë pasojat e kësaj politike", thotë Andrzej Szeptycki i institutit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të universitetit të Varshavës. Ai citon fjalët e analistit politik amerikano-polak Zbigniew Brzezinski, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit amerikan Xhimi Karter. Në librin "Vizioni strategjik. Amerika dhe kriza e pushtetit global" të botuar në vitin 2012 ai shkruan: "Pa Ukrainën, Rusia nuk do të jetë perandori. Disa vende të Evropës Lindore, si Polonia dhe Ukraina, në sajë të madhësisë së tyre, vendndodhjes dhe potencialit të tyre ekonomik dhe ushtarak kanë një ndikim të vërtetë në balancën e fuqisë në Evropë."

Solidaritet

Polen Ukraine Grenzübergang

Pikë kalimi kufitar Poloni-Ukrainë

Polakët janë një ndihmë e rëndësishme për opozitën ukrainase. "Ata shpërndajnë informacione në Perëndim dhe mobilizojnë atje opinionin publik", thotë analisti politik Kazimierz Woycicki, i cili në vitet 80-të ka qenë madje vetë anëtar aktiv i opozitës demokratike në Poloni. Ashtu si shumë polakë, ai ka shkuar këto ditë së bashku me shkencëtarë të tjerë dhe me studentë në Kiev për të përjetuar protestat nga afër.

Përveç përfaqësuesve të mediave polake dhe OJQ-ve në Majdan janë shfaqur edhe politikanë të njohur, ndër të tjerë kreu i opozitës polake Jaroslaw Kaczynski, ish-kryetari i Parlamentit Evropian Jerzy Buzek dhe nënkryetari i Parlamentit Evropian Jacek Protasiewicz.

Dhe në fillim të dhjetorit parlamenti polak u solidarizua në një rezolutë me ukrainasit, që kërkojnë të bashkohen me BE-në. Parlamentarët shprehën shqetësim për përdorimin e forcës kundër protestuesve dhe siguruan se Polonia do të bëjë gjithçka, në mënyrë që dyert e Europës të mbetën të hapura. "Nëse themi sot, se Ukraina nuk na intereson, atëherë mund t'u rekomandojmë ukrainasve, që të blejnë një biletë për në Moskë", tha në televizionin polak ish-presidentit polak, Aleksander Kvashnjevski.