1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pokeri për postet drejtuese në BE - Juncker fituesi i zgjedhjeve

Në përpjekjet për postin e presidentit të Komisionit të BE-së nga të gjitha partitë mbështetet kandidati i konservatorëve Jean-Claude Juncker. Në samitin e BE-së ka edhe rezistencë – madje nga radhët e konservatorëve.

Kancelarja Angela Merkel deri në sezonin e pushimeve të verës do që të merret vendim për presdientin e ardhshëm të Komisionit të BE-së dhe për postet e tjera drejtuese. Pas samitit të posaçëm në Bruksel Merkel deklaroi, se presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy ka marrë mandatin, që me Parlamentin e sapozgjedhur të BE-së dhe me 28 vendet anëtare përmes „konsultimeve në frymë miqësore“ në javët e ardhshme të arrijë një marrëveshje, se cili do të jetë pasuesi i presidentit aktual të Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso.

Pas bisedimeve që belgu do të zhvillojë me krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së duhet të dalë me promozimin e një kandidati. Ky duhet të votohet më pas me shumicë absolute nga parlamenti.

Konservatorët pas fitores së zgjedhjeve të dielën (25.4.2014) dolën si forca më e madhe në Parlamentin Europian. Kryetarët e grupeve parlamenatre në parlemtnin e BE-së e mbështesin kandidatin e Partisë Popullore Europiane për postin e presidentit të Komisionit. Edhe rivali i tij në zgjedhje Martin Schulz është i gatshëm ta pranojë këtë. Në këtë mënyrë është kapërcyer pengesa e parë në rrugën drejt postit kryesor të BE-së.

Merkel/ EU-Gipfel

Kancelarja gjermane Angela Merkel në samitin e BE-së, Bruksel, 27.05.2014

Kryesimi i komisionit nuk është i sigurtë pavarësisht firtores në zgjedhje

S'ka asnjë dyshim, Juncker i plotëson shumë nga ato që duhet të ketë një president i Komisionit: Ai ka përvojë, është poliglot, ndjek një politikë të moderuar, të paktën ai mund të pranohet si kandidat kompromisi prej shumë qeverive. Por ai ka edhe dobësi të dukshme. Në debatet elektorale Juncker dukej i lodhur dhe pa entuziazëm. Në kontekstin europian ai njihet vetëm brenda qarqeve të BE-së. Veç kësaj ai - me të drejtë - konsiderohet si pjesë tërësisht e sistemit të Brukselit, një sistem ky, kundër të cilit bënë një fushatë të sukseshme partitë ekstreme dhe antieuropiane. Madje qysh në fillim Juncker-it iu desh që të luftojë në rrugën drejt postit të presidentit të Komisionit të BE-së kundër rezistencës së vendeve anëtare, që duan t'u rikthehen më shumë kompetenca kombëtare.

Në pokerin për postin kryesor të BE-së ka rezerva ndaj Juncker edhe brenda kampit të konservatorëve. Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban theksoi: "Qëndrimi ynë është, që të mos ketë një lidhje automatikisht mes rezultatit të zgjedhjeve dhe emërimit." Orban e pati bërë të qartë edhe më parë, se deputetët e partisë së tij Fidesz-Partei, që janë pjesë e Partisë Popullore Europiane, nuk do ta mbështesin luksemaburgasin. Skeptik u shpreh edhe kryeministri liberal i Suedisë, Fredrik Reinfeldt: "Ne nuk ishim pro idesë për emërimin e kandidatit kryesor."

Edhe kryeministri britanik David Cameron, partia e të cilit i përket kampit konservator, por nuk është pjesë e grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane, ka rezerva ndaj Jean-Claude Juncker. Megjithatë Cameron e refuzon edhe kandidatin socialdemokrat gjerman, Martin Schulz.

Në përgjithësi kryetarët e grupeve parlamenatre të Parlamentit të BE-së e mbështesin Jucnker. Tani ai duhet të fillojë të përpiqet për të arritur shumicën në parlament. Vetëm pas kësaj Partia Popullore Europiane mund ta emërojë atë si kandidat dhe Juncker të pranohet si president i Komisionit. Por ato mund të emërojnë edhe një person tjetër. Kancelarja Angela Merkel që para zgjedhjes së Juncker si kandidat kryesor i konservatorëve është shprehur, se nuk do të ketë automatizëm.

E megjithatë vet kandidatët gjatë fushatës kanë bërë reklamë që presidenti i Komisionit të zgjidhet prej qytetarëve. Juncker vet ka paralajmëruar, në rast se ndodh kështu demokracia europiane do të pësojë një krizë, sepse zgjedhësit do të ndihen të zhgënjyer. Me këtë ai ka menduar edhe për karrierën e vet.