1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pojani: Vizita e zëvendëskryeministrit Ilir Meta në Serbi me mjaft rëndësi

Ajo hap rrugën për një bashkëpunim konkret në fusha që të gjitha së bashku i shërbejnë stabilizimit të rajonit

default

Pamje nga Beogradi

Për ish-diplomatin e karrierës Petraq Pojani marrëdhëniet historike mes Tiranës e Bogradit nuk kanë qënë të lehta, në mjaft raste problematike dhe të acaruara. Kjo sipas tij ka shumë arsye, por kryesorja është për shkak të Kosovës. Vizitën aktuale të zëvendeskryeministrit dhe ministrit të jashtëm, Ilir Meta në Serbi, ai e përshkruan si të domosdoshme, pasi Shqipëria e ka për detyrë që të zhvillojë sa më mirë marrëdhëniet me fqinjët, marrëdhëniet rajonale, thotë ai për DW.

Petraq Pojani, drejtor i Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë.

Petraq Pojani, drejtor i Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë.

Kriter kryesor i nxitur nga BE bashkëpunimi rajonal

Petraq Pojani, drejtor i Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë, një organizatë joqeveritare në Shqipëri, mendon se “është një nga kriteret kryesore që BE dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë nxisin ndërtimin e bashkëpunimit rajonal. Kjo si një fillesë, një element shumë i rëndësishëm për integrimet e mëtejshme të Shqipërisë”.

Vizita e shefit të diplomacisë shqiptare nuk duhet të ngatërrohet me problemin që Serbia nuk njeh Kosovën dhe në këtë pikë Shqipëria nuk pajtohet me të, thotë Pojani për DW.

“Vizita nuk është në dëm të qëndrimit të politikës bazë të Shqipërisë në marrëdhëniet tona me Kosovën, të cilën e njohim si shtet të pavarur. Përkundrazi, kjo vizitë ka rëndësi sepse ajo hap rrugën për një bashkëpunim konkret në fusha që të gjitha së bashku i shërbejnë stabilizimit të rajonit. Të tilla janë lufta kundër krimit të organizuar, kooperimi konkret ekonomik etj. Në fund të fundit cilido duhet ta shikojë nga jashtë që kjo është e dobishme edhe për ecurinë e forcave progresiste në Beograd. Ndaj vizita është për t'u përshëndetur dhe kjo duhet të kuptohet nga të gjithë faktorët në këtë mënyrë. Në çdo rast Shqipëria do të ndjekë një politikë të fqinjësisë së mirë. Me të gjitha vendet e tjera”.

Raportet Shqipëri-Serbi duhen parë në kuadër afatgjatë

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit ish-diplomati Petraq Pojani i shikon jo në funksion të ngjarjeve të ditës, por në një kuadër vizionar afatgjatë. Një vizion i tillë kur as Serbia nuk ka se ku të shkojë tjetër veçse drejt një riformulimi të marrëdhënieve në rajon. Sepse ato e çojnë në një integrim të mëtejshëm të vetë Serbisë, të vetë rajonit të Ballkanit Përendimor në BE.

“Ne kemi patur probleme të vështira edhe me fqinjë të tjerë, edhe me Greqinë dhe me Italinë, në tërë historinë tonë. Por nuk ke si të kundërshtosh, të luftosh kundër bashkëpunimit me fqinjët. Kjo është në interesin e Shqipërisë, të Serbisë, të Kosovës, të gjithë Ballkanit”, thotë ai për DW.

Petraq Pojani është një diplomat karriere prej më shumë se 40 vjetësh. Ai ka shërbyer në poste të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, si dhe në krye të përfaqësive diplomatike shqiptare në vende të tjera. Në vitin 2001 ai u emërua si ambasador në Beograd, për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Serbisë. Më herët ai ka drejtuar edhe misionin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 12.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MRbR
  • Data 12.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MRbR