1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Podium diskutimi për përvojën e zbardhjes së periudhës së komunizmit në Shqipëri

Enti Federal për dokumentet e Shtazit ka dhënë ndihmesë të madhe për zbardhjen e krimeve të komunizmit e po përpiqet ta kalojë këtë përvojë edhe në vende të tjera të lindjes.

default

Në janar të vitit të ardhshëm mbushen 20 vjet, që kur dokumentet e sigurimit të shtetit  të RDGJ-së i mori në dorë shoqëria civile. Që atëherë, çdokush ka të drejtë të kërkojë dosjen e tij në Entin Federal për dokumentet e Shtazit, drejtoresha e të cilit, Mariane Birthler, është zgjedhur me një konsensus të gjerë nga parlamenti gjerman. Në bashkëpunim me qendrën për Evropën Lindore ai organizoi në Berlin një podium për përvojën e zbardhjes së periudhës së komunizmit në Shqipëri.

Merkel besucht Stasi Zentrale

Kancelarja Merkel (majtas) viziton Entin Federal për dokumentet e Shtazit

Për Besim Ndregjonin, kryetarin e shoqatës së të përndjekurve të Shqipërisë, moshapja e dosjeve është  një nga problemet më të mëdha të shoqërisë së sotme postkomuniste. "Është një handikap i madh që të arrish sot, pas 19 vjet pluralizëm, të shikosh të njëjtat fytyra në politikë", ankohet ai. Besim Ndregjoni fajëson politikanët për instrumentalizimin e ligjit për fushatë elektorale dhe kritikon mediet e të rinjtë, që nuk po tregojnë interesin e duhur.

Mungesa e interesimit për të kaluarën komuniste në Shqipëri është pasojë e mënyrës se si shoqëria sillet me të kaluarën, thotë politologu Egin Ceka, duke pasur parasysh debatin për ligjin e lustracionit. "Njerëzit kanë një lloj apatie, kur shohin se mënyra, se si veprohet me të kaluarën komuniste është një mënyrë që nuk i prek ata. Sepse lustracioni faktikisht nuk prek 99 përqind të popullatës shqiptare. Në qoftë se ligji do të ishte i tillë që do e prekte gjithsecilin, atëherë interesi do të ishte shumë i madh".

Günter Bormann, Jurist

Günter Bormann, jurist nga Enti Federal për Dokumentet e Shtazit

Gjermania shembull pozitiv

Një shembull pozitiv në këtë drejtim është Gjermania. Ligji i dosjeve të sigurimit të shtetit e ka lustracionin, pra pastërtinë e figurave të rëndësishme në politikë, në rend të dytë. Dhe kjo është bërë qëllimisht thotë Gunter Borman nga Enti Federal për Dokumentet e Shtazit. "Ideja e hapjeve të dosjes me qëllime lustracioni është një koncept i ngushtë. Sepse lustracioni ngjall shpresën për një ligj, që vendos se kush ka të drejtë të jetë në një post e kush jo. Një ligj i tillë nuk mund të ekzistojë. Ne në Gjermani i kemi hapur dosjet dhe në bazë të tyre ofrojmë informacione për deputetët. Por janë votuesit ata, që do të vendosin për zgjedhjen, apo jo të tij", thotö Borman.

Rrugë alternative për memorizimin e së kaluarës

Besim Ndregjoni e sheh një problem të madh zhvillimin e shoqërisë shqiptare të mëvonshme, pa sqaruar krimet e komunizmit. "Vitet ikin dhe viktimat po pakësohen", paralajmëron ai. Ai tani po kërkon tani alternativa të tjera për trajtimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri: Ngritjen e një qendre joqeveritare për dokumentimin e së kaluarës komuniste.

Ide e mirë, mendojnë të gjithë, por mungojnë paratë, thotë gazetari i Deutsche Welles, Pandeli Pani: "Në Shqipëri nuk mungon interesi për trajtimin dhe memorizimin e periudhës së terrorit komunist, por problem është mungesa e fondeve. Për këtë arsye bashkëpunimi me institucione të tilla, si ato gjermane për Shtazin, do të ishin me shumë interes edhe në drejtim të edukimit politik."

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 16.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L3fN
  • Data 16.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L3fN