1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Po tani? Skenare të formimit të një qeverie

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Zgjedhësi foli, por qeveria nuk krijohet dot. Tani janë shumë gjëra të mundura. Dhe disa varen nga shkathtësia e Presidentit Federal.

Papritur të gjithë prozhektorët janë drejtuar nga ai. Frank-Walter Steinmeier, sipas protokollit numri 1 në shtetin gjerman, duhet të shpëtojë atë që njëherë dështoi: një koalicion qeveritar. Dhe ai është i detyruar madje ta bëjë këtë, kushtetuta gjermane i jep atij me nenin 63 kompetenca të rëndësishme për krijimin e një qeverie. Në vend që të përfaqësojë, Steinmeieri tani duhet të veprojë politikisht. Një punë, që i përshtatet ish-diplomatit të parë të Gjermanisë. Si ministër i Jashtëm, "kryetari flokëargjendtë i fisit" ishte mjeshtër i fjalës së artë.

Ora e Presidentit-diplomat

Si ministër i Jashtëm, stili i tij pajtues konsiderohej anë e fortë e tij. Por këtë herë atij i duhet edhe të kërkojë. "Më mirë të mos qeverisësh, se sa të qeverisësh në mënyrë të gabuar", pati thënë Christian Lindner pas dështimit të negociatave. Presidenti Federal mendon ndryshe. Ai që konkurron për përgjegjësi politike, nuk duhet të tërhiqet "kur e ka atë në duar". Reagimi i Steinmeier-it për dështimin ishte i qartë: fjala e fundit për koalicionin Xhamajka nuk është thënë ende. Sepse tani po flet ai - dhe flet me të gjithë pjesëmarrësit.

Deutschland Schloss Bellevue Gespräch zu Koalitionsverhandlungen Die Grünen (picture-alliance/dpa/J. Denzel/Bundesregierung)

Të Gjelbrit tek presidenti gjerman Steinmeier

Nuk ka ekzistuar kurrë: Një qeveri minoriteti

Do të kishte qenë një premierë. Një aleance të përbërë nga unionistët dhe FDP-ja do t'i mungonin 29 vota. Unionistët dhe të Gjelbrit do të kishin një deficit prej 42 deputetësh. Kjo e kthen qeverisjen në një mision të pashpresë. Mbetet rreziku i përhershëm i lojërave taktike të partive. Këtë SPD-ja me 20 përqindshin e saj mund ta frenojë në njëfarë mënyre - të paktën vende vende. Me këtë ajo nuk do ta hante fjalën, se një koalicion të madh me unionistët ajo nuk dëshiron më. Aleanca e unionistëve me socialdemokratët më shumë se u ndëshkua me 14 përqind të votave më pak që mori në zgjedhje.

Varianti tjetër do të ishte më spektakular: një puç te partitë unioniste kundër kancelares së vazhdueshme. Vrasje politike mbretërish - të dështuara dhe me sukses- ka pasur edhe në demokracinë partiake të mbarë gjermane. Në vitin 1989 Helmut Kohli i shpëtoi në kongresin e partisë në Bremen për pak një rrëzimi. Pak para rrëzimit të Murit ai qe në gjendje që ta entuziazmonte partinë e rebeluar me lajmin nga Hungaria, që atje qenë hapur kufijtë për refugjatët nga RDGJ. Hyrja e tij në librat e historisë dihet që nisi vetëm më pas. Në vitin 1995, socialdemokratët treguan në kongresin e Manheimit të partisë së tyre se si pa paralajmërim dhe pa zhurmë qenë në gjendje që të ndahen nga kryetari i partisë, Rudolf Scharping.

Por si te CDU në 1989, ashtu edhe te SPD më 1995 prisnin të gatshëm pasardhësit: Lothar Spät dhe Oskar Lafontaine. Kurse pas Merkelit nuk është askush që pret të jetë pasardhës.

Zgjedhje të reja

Edhe në këtë çështje është Presidenti Federal që i mban frerët në duar. Që të zgjidhet Merkeli kancelare ka nevojë një shumicë absolute. Vetëm nëse këtë shumicë ajo nuk e siguron në raundin e tretë, Presidenti Federal mund ta shpërbëjë Bundestagun dhe të shpallë zgjedhje të reja brenda 60 ditësh. Sipas sondazheve, dy të tretat e gjermanëve duan zgjedhje të reja, po të dështojnë përfundimisht negociatat mes partive.

Sipas gjendjes së punëve, për një fushatë të re elektorale mund të gëzohet vetëm AfD. Vetë dështimi i deritashëm i negociatave e ndihmon. Liberalët shihen që prej së dielës si ngatërrestarë kokëfortë.