1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

„Po të jetë edhe ajo aty, ne nuk vijmë" - Serbia bojkoton takimin e presidentëve të Evropës në Varshavë

Serbia e anuloi pjesëmarrjen në takimin e 17-të të presidentëve të shteteve të Evropës qendrore e juglindore, sepse në takim është ftuar presidentja e Kosovës. Edhe presidentët e Rumanisë dhe të Sllovakisë po mendohen.

Radoslaw Sikorski, ministri i Jashtëm i Polonisë

Radoslaw Sikorski, ministri i Jashtëm i Polonisë

Ky do të kishte qenë takimi i parë i kryetarit të shtetit serb me presidentin e SHBA, Barack Obama, por Boris Tadiç e anuloi pjesëmarrjen e tij në takimin e nivelit të lartë të Varshavës. Atë e bezdis emri Atifete Jahjaga në listën e miqve të ftuar. Që ministri i Jashtëm i Polonisë ka ftuar edhe presidenten e Republikës së Kosovës, dikur pjesë e Serbisë, kjo e zemëron Beogradin, gjë të cilën kryediplomati i Polonisë,Radoslaw Sikorski nuk mund ta kuptojë:

"Kosovën e kanë njohur deri tani, me sa di unë, 75 shtete. Këtu bëjnë pjesë Polonia dhe shumica e vendeve të tjera anëtare të BE. Pra nuk kishte ndonjë shkak për të mos e ftuar përfaqësuesen e Kosovës. Serbia duhet të vërtetojë gradualisht se i ka kapërcyer demonët e së kaluarës, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE. Meqenëse ne e kemi njohur Kosovën si shtet, vetëkuptohet që e kemi ftuar edhe këtë vend."

Atifete Jahjaga Kosovo Präsidentin Wahl 07.04.2011

Atifete Jahjaga presidente e Kosovës

Qëndrimi serb: Kosova të përfaqësohet nga Kombet e Bashkuara

Serbia kërkon që Kosova të përfaqësohet në takime ndërkombëtare prej Kombeve të Bashkuara. Bisedime të drejtpërdrejta me Jahjagan Tadiçi i refuzon. Edhe presidentët e Rumanisë dhe të Sllovakisë - Traian Basescu dhe Ivan Gasparovic - po mendohet që të heqin dorë nga udhëtimi i tyre në Varshavë. Pra presidenti i SHBA, Obama do të takojë më pak kolegë se 20 kryetarët e ftuar të shtetit. Këshilltari i presidentit të Polonisë, Roman Kuzniar shpreson që bojkotuesit ta mendojnë edhe njëherë hapin e tyre:

"Ne nuk e mësuam sot se disa shtete kanë problem me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por kur ne ftojmë përfaqësuesit e Shqipërisë, Moldavisë ose shteteve të tjera të Evropës Juglindore dhe Qendrore, atëherë nuk ka shkak që të mos e ftojmë presidenten e Kosovës. Le të presim, se ndoshta presidentët e Sllovakisë ose të Rumanisë edhe vijnë. Asgjë nuk është vendosur. Përsa i përket presidentit të Serbisë, situata është relativisht e qartë. Dhe ne e respektojmë këtë vendim."

Pak me ironi e komenton politologu i Varshavës dhe amerikanisti Zbigniew Lewicki shqetësimin për listën e të ftuarve. Një listë, që për mendimin e tij nuk e ka hartuar Radoslaw Sikorski:

"Po të shprehem hapur, janë amerikanët ata që kanë hartuar listën e të ftuarve. Kosova u ftua me dëshirën e qartë të amerikanëve. Prandaj bojkoti nuk na lëndon. Kjo është një çështje e politikës amerikane."

Barack Obama do ta përfundojë në Poloni udhëtimin e tij thuajse njëjavor në Evropë. Të premten në mbrëmje ai ka lënë takim me pjesëtarët e takimit të nivelit të lartë të Varshavës. Midis tyre është edhe presidenti federal i Gjermanisë, Christian Wulff.


Autor: Ludger Kazmierczak/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi