1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Po shpëtimit të euros - Sllovakia miraton fondin e zgjeruar të shpëtimit

Si vendi i 17 dhe i fundit i Eurozonës, Sllovakia miratoi fondin e zgjeruar të shpëtimit të euros, EFSF. Për këtë u desh të rrëzohej qeveria në Bratislavë. Në mars mbahen zgjedhje të parakohshme.

Kryeministrja sllovake Iveta Radicova.

Kryeministrja sllovake Iveta Radicova.

Parlamenti i Sllovakisë të enjten (13.10.2011) miratoi zgjerimin e fondit të shpëtimit për euron, EFSF. 114 deputetë nga kampi qeveritar dhe ai opozitar votuan pro, vetëm 30 deputetë votuan kundër. Tre parlamentarë abstenuan. Me votën miratuese të vendit të fundit nga gjithsej 17 vendet e Eurozonës, mund të hyjë tani në fuqi financiarisht dhe funksionalisht fondi i zgjeruar për shpëtimin e euros.

Rezultati i votimit të parlamentit sllovak u bë i mundur falë vendimit të qeverisë konservatoro-liberale në largim, për të mbajtur para kohe zgjedhjet parlamentare, të planifikuara për vitin 2014. Tani zgjedhjet do të mbahen në 10 mars 2012. Caktimi i afatit të zgjedhjeve të parakoshme ishte kushti i opozitës socialdemokrate me kryetarin e tyre Roberto Fico, për të miratuar zgjerimin e fondit të shpëtimit të euros.

Kryeministrja Iveta Radicova të martën (11.10.) e kishte lidhur votimin e parë për ombrellën e shpëtimit me një mocion besimi për qeverinë e drejtuar prej saj. Neoliberalët (SaS), partnerë në koalicion, refuzuan të jepnin votën pro. Kështu votimi për fondin e shpëtimit të euros dhe mocioni i besimit për qeverinë dështuan në votimin e parë.

Më pas opozita dhe përfaqësues të kampit qeveritar ranë dakord për zgjedhje të reja. Opozita socialdemokrate e kishte kushtëzuar vazhdimisht votën pro fondit të shpëtimit me dorëheqjen e qeverisë.

Votimi i parlamentit sllovak pritej me tension, pasi për hyrjen në fuqi të fondit të shpëtimit ai duhet të miratohet nga të gjithë anëtarët e Eurozonës. Edhe BE shtoi trysninë ndaj Bratislavës pas Jo-së të martën në parlament. "Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive të kapërcejnë pozicionet e tyre afatshkurtra politike dhe në mundësinë e parë të radhës të garantojnë pranimin e shpejtë të vendimit", deklaruan kryetari i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso dhe Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy.

Për Sllovakinë me 5,5 milionë banorët e saj, pesha në fondin e shpëtimit është 7,7 miliardë euro. Nga ana tjetër vendi deri tani ka përfituar mjaft nga anëtarësimi në BE dhe në Eurozonë. Me ndihmën e mjeteve të BE-së dhe investimeve të huaja, Sllovakia është bërë një nga vendet kryesore eksportuese të automobilëve në BE.

Pa miratimin e 17 shteteve të eurozonës, ombrella e zgjeruar e shpëtimit nuk mund të fillonte nga puna. Kjo ombrellë do të marrë dhe instrumente të reja, për të reaguar më shpejt. Kështu në të ardhmen fondi mund të blejë obligacione të vendeve në vështirësi financiare, qofshin ato shtetërore apo të investuesve. Gjithashtu vendet e prekura mund të marrin kredi si masa paraprake ndihme dhe vendet e Eurozonës mund të marrin para për t'u ardhur në ndihmë instituteve të tyre financiare, në gjendje të vështirë.

Autor: Stephan Stickelmann / E. Xhani (afp, dapd , dpa, rtr)
Redaktoi: A. Dodi

DW.COM