1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Po ngec motori gjermano francez i BE-së? Merkel dhe Sarkozy takohen të hënën në Berlin

Merkel nuk pranon se ka mosmarrëveshje me presidentin francez për politikën që duhet ndjekur në menaxhimin e krizës së BE-së. Por diferencat vazhdojnë të ekzistojnë. Takimi i së hënës përgatit samitin e ardhshëm të BE.

Merkel dhe Sarkozy nuk janë të një mendjeje në këtë krizë.

Merkel dhe Sarkozy nuk janë të një mendjeje në këtë krizë.

"Unë nuk mendoj kështu", iu përgjegj kancelarja federale gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung kur e pyeti nëse motori gjermano- francez i Bashkimit Evropian ka filluar të ngecë. Angela Merkel tha se ajo ka rënë dakord me presidentin francez , Nicolas Sarkozy. Një takim me Sarkozy-në i planifikuar për t'u mbajtur në Berlin u anullua një orë para ardhjes së Sarkozy-së. Si Zyra e Kancelares po ashtu si Pallati i Presidentit e prezantojnë shkakun dhe procesin e anullimit në mënyra të ndryshme. Gazeta franceze Le Figaro shkruan se Sarkozy është tërhequr sepse nuk kishte mësuar më parë për planet e fundit gjemane të kursimeve. Zyra e Kancelares përmendi axhendën e ngjeshur me takime të Kancelares. Takimi pritet të mbahet të hënën e ardhshme (14.06.10).

Qeveria ekonomike e diskutueshme

Angela Merkel kërkon që të 27 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së të marrin në dorë koordinimin e politikës ekonomike dhe financiare. Presidenti francez favorizon një qeveri ekonomike në të cilën të marrin pjesë 16 vendet anëtare të bashkimit monetar. Përveç kësaj Franca kërkon të krijojë një organizëm të ri, një Sekretariat koordinimi për zonën e euros, i cili do të drejtonte politikën financiare të shteteve anëtare duke u marrë vesh me Bankën Qendrore Evropiane. Qeveria gjermane mendon se kjo do të prekte pavarësinë e Bankës Qendrore.

No-Flash Griechenland Debatte Bundestag

Van Rompuy i kënaqur

Presidenti i përhershëm i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, tha në një vizitë në Berlin ditën e enjte (10.06.2010), se dhe ai është kundër krijimit të këtij organizmi. Megjithatë duhet bërë koordinimi më i mirë i politikës financiare. Këtë e tregoi kriza aktuale financiare dhe e borxheve. Duke patur parasysh pikëpamjet e ndryshme midis Gjermanisë dhe Francës, dy vendeve të euros, Van Rumpoy paralajmëroi: "Ne nuk duhet ta fryjmë shumë këtë çështje."

Presidenti francez Sarkozy vazhdon të refuzojë paketën e kursimeve për konsolidimin e buxhetit. Kjo do të ushtronte presion mbi koniukturën, thuhet në Paris. Kurse qeveria gjermane ka marrë vendime për kursime të mëdha vitin e ardhshëm. Edhe shumë vende të tjera të BE-së të futura në borxhe thurin plane për kursime. BE pati njoftuar se deficitet e shtuara duhet të ulen deri në vitin 2013.

Ndryshim të Pakteve të BE-së?

Para zhvillimit të takimit të nivelit të lartë të BE-së, të enjten e ardhshme (17.06.2010) Gjermania kërkon që vendet e euros t`i nënshtrohen kontrollit të më madh buxhetor nga Komisioni i BE-së dhe vendeve të tjera anëtare. Ndryshimet e duhura në Paktin e Stabilitetit, qeveria gjermane kërkon t`i përfshijë në Paktin e BE-së. Ndryshimet duhet të ratifikohen nga të gjitha vendet e BE-së. Këtë proces Franca nuk e ka pranuar deri tani. Ratifikimi i Pakteve të ndryshuara të Bë-së do të ishte i vështirë të bëhej në Francë. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, tha në Berlin se ndryshimet e pakteve nuk janë shumë të rëndësishme. Kryesorja është se duhet vepruar me vendosmëri: "Në këtë periudhë krize na duhet unitet dhe një linjë e përbashkët, të cilës t`i detyrohen të gjithë."

NO FLASH EU Griechenland Finanzkrise Zapatero Herman Van Rompuy und Jose Manuel Barroso

Së bashku kërkojnë Merkel dhe Sarkozy të arrijnë që Bashkimi Evropian të ndalojë të ashtuquajturat shitjet e shkurtra dhe bastet me sigurimet e kredive të papaguara. Merkel und Sarkozy i kanë shkruar një letër Komisionit të BE-së. Këto instrumenta spekulativë duhet të kenë shkaktuar krizën e borxheve në Greqi. Në Gjermani shitjet e shkurtra të sigurimeve të kredive të papaguara janë ndaluar që më 19 maj. Komisioni i BE-së pati premtuar se do të bëjë një ndalim të tillë para samitit të G-20. Me sy kritik shihet sidomos Britania e Madhe.

Autor: Bernd Riegert / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti