1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Po ndryshon Serbia prioritetet në politikën e jashtme?

Serbia ka hequr dorë nga projektrezoluta e mëparshme dhe i ka dërguar të mërkurën Asamblesë së Përgjithshme një propozim tjetër. Ky lë hapësirë për interpretime të ndryshme të qarqeve zyrtare.

Kryeministri serb Mirko Cvetkovic dhe ministri gjermani jashtëm, Guido Westerwelle.

Kryeministri serb Mirko Cvetkovic dhe ministri gjermani jashtëm, Guido Westerwelle.

Të kënaqura me këtë propozim janë të gjitha pylët zyrtare: pala serbe, autoritetet e Kosovës si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që sipas analistëve, kjo kënaqësi bazohet vetëm tek mundësia e interpretimeve të ndryshme, e jo edhe tek zgjidhja e vërtetë e problemeve.

Qeveria e Kosovës kumtoi se projektrezoluta e re e Serbisë "është në harmoni të plotë me realitetin e ri në Kosovë dhe në rajon". Kjo qeveri rikonfirmon gatishmërinë për raporte të mira me Serbinë, duke shtuar se me Beogradin nuk do të bisedojë kurrë për pavarësinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Reagimet e përfaqësuesve të serbëve në Kosovë janë të ndryshme. Marko Jakshiq pohon se kjo është një humbje e rëndë e diplomacisë serbe. Ndërsa Rada Trajkoviq mendon se ka qenë e gabueshme përpjekja e Serbisë për të kundërshtuar mendimin e GJND-së. Trajkoviq paralajmëron se serbët nuk duhet të jenë një dëm kolateral për Serbinë. "Neve nuk na duhet një politikë joserioze, e cila mund të përdoret vetëm për qëllime të brendshme politike dhe që nuk është reale. Nuk mund të ketë rezultate pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare", thotë Trajkoviq.

Disa analistë shqiptarë në Kosovë paralajmërojnë se në negociatat e ardhshme, që do të zhvilloheshin në bazë të propozimit të ri serb, pala kosovare do të jetë nën presion ndërkombëtar, për të pranuar një lloj statusi special për veriun e Kosovës.

Në anën tjetër Svetlana Gjurgjeviq - Lukiq, zëvendësdrejtore e Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd pohon se me heqjen dorë nga propozimi i mëparshëm për dënimin e secesionit të Kosovë, Serbia në mënyrë indirekte ka hequr dorë nga kërkesat e saj të mëparshme për mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare. "Kjo do të jetë shumë e rëndësishme për shumë vende, të cilat më parë kanë kundërshtuar procesin e shkëputjes. Miratimi i projektrezolutës së re do të ketë pasoja për të drejtën ndërkombëtare dhe zhvillimet e ardhshme brenda Kombeve të Bashkuara", pohon ajo.

Fotomontage Flaggen Serbien EU Symbolbild NO FLASH

Sipas kryetarit të Klubit Përparimtar, Çedomir Antiq, Serbia është gjetur pas presioneve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare në një situatë shumë të palakmueshme. "Serbia tani në fakt i ka pranuar kornizat e Planit të Ahtisarit. Pra ato që deri tani i kemi refuzuar, tani ia propozojmë Kombeve të Bashkuara për miratim dhe shpresojmë se do të miratohen. Mbase pas miratimit tek ne do të organizohet edhe ndonjë festim", thotë në mënyrë cinike Çedomir Antiq.

Analistët serbë janë të mendimit se me këtë propozim, Serbia do të ndryshojë në masë edhe prioritetet e deritanishme në politikën e jashtme. Deri tani pohonte se angazhohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për ruajtjen e Kosovës. "Kjo tingëllonte mirë, por në realitet ishte vështirë të realizohej. Shpesh janë dëgjuar mendime të autoriteteve të larta se Kosova ka më shumë prioritet. Ndërsa me këtë harmonizim të rezolutës me BE, duket se në të ardhmen praktikisht prioriteti kryesor do të jetë BE-ja", pohon Svetlana Gjurgjeviq - Lukiq. Sipas analistëve serbë, kushti kryesor për afrimin e Serbisë me BE-së në të ardhmen do të jetë normalizimi i raporteve me Kosovën.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7sz
  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7sz