1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Po Kosova, ç’mund të bëjë?

12 diplomatë nga Kosova po mësojnë në Berlin në teori dhe praktikë se si me ose pa dashje mund të influencojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ministri i shtetit Gernot Erler me disa nga diplomatët nga Kosova

Ministri i shtetit Gernot Erler me disa nga diplomatët nga Kosova

E njihni Nikita Hrushovin? pyet ambasadori, duke tundur këpucën e tij të majtë në ajër. "Yes, yes", murmurisin të pranishmit. Pastaj dëgjohet një krismë: “Bum!"

Nuk jemi në poligon, por në një seminar diplomacie në ministrinë e jashtme gjermane në Berlin. Trajnuesi, një ambasador i vjetër me përvojë, përplas këpucën mbi tryezë duke imituar gjestin legjendar të ish-kryeministrit rus para OKB-së në vitin 1960. Pastaj vazhdon shpjegimin: Ndërsa njerëzit asokohe e kuptuan atë si një shpërthim të pakontrolluar të temperamentit rus, siç u bë e ditur më vonë, ky gjest ishte paramenduar fare mirë nga ana e Hrushovit, i cili kishte marrë me vete një këpucë të tretë: Amerikanët duan mesazhe të qarta, i kishin thënë këshilltarët e tij, prandaj edhe Hrushovi zgjodhi këpucën për të thënë “Jo dhe pikë!”

"Cili është efekti që sjell një “Jo!” pra një “No” ose “NJET!”? pyet ambasadori më tej. Sidomos efektin e kësaj të fundit, “njet”-it rus, të pranishmit e njohin mirë dhe vazhdojnë ta ndjejnë ende në çdo hap të punës së tyre. Ata janë 12 diplomatë nga ministria e jashtme e Kosovës dhe me siguri që pa atë “jo“ nga ana Rusisë do ta kishin pasur më të lehtë fillimin e karrierës diplomatike. Por në kursin e sotëm nuk është fjala për "Jo"-në ruse në lidhje me Kosovën, por për teknikën e negociatave.

Vetëm tre nga nëntë meshkujt dhe tri femrat janë aktivë në seminarin që zhvillohet në anglisht. Njëri prej tyre është Emrush Ujkani, drejtor i departamentit të marrëdhënieve me BE-në dhe NATO-n në ministrinë e punëve të jashtme të Kosovës. Ai ka bërë edhe kurse të tjera të ngjashme në Austri dhe Belgjikë: “Dallimet nuk janë shumë të mëdha, pak a shumë të njëjtat gjërat mësohen kudo”, thotë ai. “Mund të them se në Gjermani vihet re më shumë ndikimi i sistemit federal. Për ne kjo do të thotë se atashehun kulturor duhet ta adresosh në ministritë e secilit land, e jo në atë federale”.

Ideja për t’u ofruar diplomatëve të rinj të Kosovës një program trajnues erdhi nga ana e Gjermanisë. Ministria e punëve të jashtme të Kosovës nuk hezitoi ta pranonte programin, por u detyrua ta shkurtonte dhe ta ngjeshte atë në një afat kohor brenda një muaji. Kjo, pasi, përveç përfaqësuesit aktual të Prishtinës në Berlin, Vilson Mirdita, 11 diplomatët e tjerë janë drejtorë dhe zyrtarë të lartë të ministrisë dhe përbëjnë mbi një të katërtën e stafit aktual të saj.

Por kjo sakrificë ia vlen, thotë Haxhi Bajraktari, drejtor i departamentit të marrëdhënieve rajonale. “Ne këtu takojmë shumë diplomatë të vjetër me përvojë, të cilët i kanë shërbyer Gjermanisë në kohë shumë të vështira”. Ish-gazetari i KTV-së gjen interesante sidomos reflektimet e diplomatëve ndaj së kaluarës. "Gjykimi i tyre shpeshherë nuk ka qenë i saktë dhe realist”.

Një nga rregullat e rëndësishme të diplomacisë është që në takimet prezantuese të mos bësh pyetje të drejtpërdrejta, thotë ambasadori trajnues. Pra mos thuaj: “Do të dëshironim të përmirësonim gjendjen e rrugëve në vendin tuaj”. Por: “A jeni të kënaqur me infrastrukturën e vendit tuaj?” Pyetja është e hapur dhe përgjigja që vjen mund të lërë hapësirë për negociata të mëvonshme.


Një orë më vonë, në një takim me zëvendësministrin e punëve të jashtme Gernot Erler, diplomatët e rinj kanë mundësi ta vënë në praktikë atë që kanë mësuar. Takimi është i ngrohtë dhe miqësor, por ministri, i cili vetë nuk është diplomat karriere dhe preferon t’i thotë gjërat shkoqur, u bën të njohur gazetarëve përshtypjen e tij: "Ishte interesant fakti që të gjitha pyetjet ishin pak a shumë: Ç’mund të bëjë Gjermania për këtë apo atë problem? Ua ktheva pyetjen duke u thënë: Me rëndësi është se çfarë duhet të bëjë Kosova. Shpresoj që këta kolegë të rinj të kenë kuptuar nga ky kurs që të mos ua lënë gjithmonë të tjerëve përgjegjësinë për mungesën e përparimeve në vend”, tha politikani socialdemokrat duke ilustruar kështu më së miri një rregull të mësuar një orë më parë: Kush bën pyejte të drejtpërdrejta, mund të marrë edhe ndonjë përgjigje të pakëndshme.

  • Data 12.03.2009
  • Autor Anila Shuka/Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HABn
  • Data 12.03.2009
  • Autor Anila Shuka/Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HABn