1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

'Po' e qartë për kushtetutën e re në Egjipt

Shumica e egjiptianëve që dolën në zgjedhje miratuan njëzëri kushtetutën e re të vendit. Në përgjithësi pjesëmarrja në votime nuk ishte shumë e lartë. Tani është hapur rruga për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Rezultati i referendumit mbi kushtetutën e re konsiderohet si një test i rëndësishëm për shefin e ushtrisë, Abdel Fatah al-Sisi. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes është që nga shkarkimi i presidentit islamik Mohamed Mursi nga ushtria në fillim të korrikut të vitit të kaluar, njeriu më i fuqishëm në Egjipt. Votimi mund të inkurajojë al-Sisin për të kandiduar për postin e presidentit.

Në foto, Abdel Fattah al-Sisi

Në foto, Abdel Fattah al-Sisi

Miratim gati 100 për qind

Siç njoftoi portali proqeveritar i lajmeve "Al-Ahram" , 98 për qind e votuesve kanë votuar me 'Po'. Rezultati është i bazuar në të dhënat paraprake të numërimit të votave në 26 nga 27 krahinat e vendit. Pjesëmarrja në mesin e 53 milionë egjiptianëve me të drejtë vote sipas të dhënave të ndryshme ishte në mes të 37 dhe 55 për qind. Edhe pse pjesëmarrja nuk mund të quhet e kënaqshme prapëseprapë referendumi mund të shihet si një sukses: në referendumin për kushtetutën e islamistëve në fund të vitit 2012 morrën pjesë vetëm 33 për qind e elektoratit, prej tyre vetëm 63 për qind votuan me 'Po'.

Projekt-kushtetuta u miratua nga ajo pjesë e popullsisë e cila ka përkrahur largimin e Mursis nga pushteti. Vëllazëria myslimane e shpallur në dhjetor si organizatë terrroriste bëri thirrje për bojkotimin e referendumit. Të martën, ditën e parë të votimit, sipas të dhënave zyrtare si pasojë e trazirave janë vrarë 11 njerëz. Të mërkurën për dallim gjendja ishte relativisht e qetë. Forcat e sigurisë kanë arrestuar gjatë dy ditëve të referendumit mbi 440 njerëz.

Pamje nga numërimi i fletëvotimeve

Pamje nga numërimi i fletëvotimeve

Forcohen kompetencat e ushtrisë dhe gjyqësorit

Kushtetuta e re është një version i ripërpunuar i dokumentit të cilin Mursi e kishte nënshkruar një vit pas mbajtjes së një referendumi.

Pasazhet me një orientim të fortë islam u hoqën dhe u zgjeruan kompetencat e ushtrisë, gjyqësorit dhe policisë. Kushtetuta e re gjithashtu forcon - të paktën në letër - liritë e qytetarëve. Ligi parashikon që në të ardhmen gratë dhe burrat të kenë të drejta të barabarta.

Në bazë të kushtetutës së re, sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësisht këtë vit, duhet të zgjedhen një parlament dhe president i ri.