1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Po e përçajnë protestat shoqërinë turke?

Demonstruesit janë halë në sy për kryeministrin Erdogan. Me fjalë të ashpra ai përpiqet t'i bëjë ata të heshtin dhe të nxisë përkrahësit e tij kundër tyre. Tashmë flitet për përçarje të shoqërisë.

Prej më shumë se dy javësh zemra e lëvizjes së protestave gjendet në qendër të Stambollit. Në parkun Gezi demonstrojnë studentë, nxënës, intelektualë - shkurt: shtresa e shoqërisë me orientim perëndimor, e cila e sheh veten si motor të lëvizjes. Kritika e tyre, që prej aksioneve të dhunshme të policisë, drejtohet kryesisht kundër stilit autoritar të qeverisjes së kryeministrit Rexhep Taip Erdogan.

Fjalimet dhe deklaratat e tij publike ishin arsyeja që në rrjetet sociale por edhe në shumë mure ndërtesash në qendër të Stambollit u shkruajt me grafiti fjala "luftë civile". Megjithë thirrjet e tij për t'i dhënë fund pushtimit të parkut, demonstruesit të shtunën (15.6.2013) njoftuan se do ta vazhdojnë aksionin e tyre. Përkrahësit e Erdoganit demonstrojnë ndërkaq në Ankara. Tek shumë njerëz po forcohet ndjenja se Erdogani synon të përçajë popullin mes konservatorizmit islamik dhe orientimit perëndimor.

Kundërshti të dukshme

Protestë paqësore në parkun Gezi

Protestë paqësore në parkun Gezi

Fare pranë parkut Gezi banojnë shumë përkrahës të partisë me orientim islamiko-konservator, "Partia për Drejtësi dhe Rritje" (AKP), të kryeministrit Erdogan. Në lagjen Cejtinburnu gratë e mbulura dhe burrat me tespihet e lutjeve janë pjesë e imazhit të qytetit. Ndryshe nga parku Gezi, këtu njerëzit nuk flasin me dëshirë për pikëpamjet e veta politike.

"Erdogani është më i miri. Nuk mund të përfytyrojmë njeri tjetër", thotë një grua me ndrojtje dhe me kokë të ulur për Deutsche Wellen. Kjo është e vetmja gjë që mund të thotë, deklaron gruaja e re. "Kur është fjala për politikë unë nuk them asgjë", thotë një burrë në rrugë. Një çarje të shoqërisë nuk e sheh as Okan Özdemir, i cili deklaron se voton për AKP-në. "Po të shohësh përreth nuk dallon asnjë vijë ndarëse", thotë 28-vjeçari në bisedë me DW. Kjo është vetëm një ide fikse e medieve, thekson Özdemir.

Përpjekja për përçarje si strategji

Kryeministri turk Erdogan

Kryeministri Erdogan kërkon t'i jepet fund demonstrimeve

Dy javët e kaluara Erdogan nuk tregoi asnjë lloj mirëkuptimi për demonstruesit dhe i cilësoi me nënvleftësim si "të dëmshëm për shoqërinë". Ai deklaroi se për lëvizjen mbarëkombëtare të protestave janë përgjegjës "ekstremistë", të cilët i kërcënoi me pasoja penale. Ndërsa përkrahësit e tij kryeministri i paraqet në dritë pozitive. "Ju jeni sjellë me dinjitet dhe logjikë të shëndoshë ditët e kaluara. Nuk keni tenxhere dhe tiganë në duar", tha kryeministri gjatë një fjalimi në aeroportin e Stambollit, një javë më parë, përpara mjëra përkrahësve të tij. Zhurma me tenxhere në rrugë dhe ballkone është kthyer në të gjithë vendin në simbol të protestave. Përkrahësit e tij iu përgjigjën kryeministrit me thirrje fetare si "Ya Allah, Bismillah, Allahu Akbar" dhe deklarata luftarake si "Le të shkojmë, ne do ta shkatërrojmë protestën në sheshin Taksim." Nga ana e tij Erdogan i drejtohet në mënyrë të përsëritur ndjenjave fetare të mbështetësve të tij. Në mënyrë të përsëritur ai tha se demonstruesit kanë shpërndarë alkol në një ditë feste myslimane. Disa grave iu janë grisur shamitë e kokës, është një tjetër akuzë.

"Kjo ka qenë strategjia e tij që në fillim. Kjo është përpjekja e qeverisë për ta paraqitur lëvizjen e protestave si një luftë kulturash. Një luftë mes myslimanëve të devotshëm dhe të këqinjve", thotë studiuesi i shkencave politike dhe sociale, Yasar Adanali, në bisedë me DW. Erdogani sipas tij instrumentalizon fenë, i akuzon demonstruesit se nuk respektojnë simbole fetare. "Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Demonstruesit janë një grupim me shumë shtresa", thekson 32-vjeçari. Qeveria përpiqet të përgjithësojë disa episode dhe t'i paraqesë ato si tipike për gjithë lëvizjen e masave, thotë Adanali.

"Të gjithë në të njëjtën varkë“

Simbol i qendresë paqësore - Gruaja me të kuqe

Simbol i qendresë paqësore - "Gruaja me të kuqe"

Për vendin është e rëndësishme të tregojë unitet, thekson 42-vjeçari Turgay Gülsen, pronar i restorantit Voltaj në lagjen Cejtinburnu të Stambollit. "Të gjithë që jetojnë në këtë vend unë i shoh si vëllezër", thotë votuesi i AKP-së në bisedë me DW. "Të gjithë jemi në një varkë dhe nëse ajo mbytet, ne mbytemi të gjithë bashkë", thotë Gülsen. Ai kritikon para së gjithash dëmet materiale që shkaktojnë demonstruesit. "Përse ata djegin autobusë dhe automatë bankash? Të gjitha ato janë paguar me para nga taksat tona", kritikon Gülsen. Ata janë të drejtë të demonstrojnë por jo të kryejnë akte vandalizmi dhe dëme, thotë ai.

Kryeministrin ai e mbështet para së gjithash për "karizmën e tij me këmbë në tokë", dhe suksesin ekonomik. Gülsen jeton prej 30 vjetësh në Stamboll dhe e kujton shumë mirë racionimin e ujit, që mbizotëronte dikur në metropolin milionësh. "Atëherë ishim 1 milion me probleme me ujin. Tani jemi gati 20 milionë dhe askush nuk ka probleme të tilla", lëvdon Gülsen punën e kryeministrit. Raportet demokratike në vend ai nuk i sheh "të përsosura", por sipas tij ato nuk janë të tilla askund në botë.

Protestat sjellin unitet dhe jo përçarje

Në parkun Gezi janë mbledhur njerëz që nuk mblidheshin prej dhjetë vjetësh, thotë demonstruesja Zeliha Ocak për DW. "Njerëzit këtu nuk mendojnë se po ndahen. Por Erdogan përpiqet t'i ndajë njerëzit. I vetmi provokator në këtë vend është Erdogan", thotë 26-vjeçarja. Edhe besimtarët janë të mirëpritur në park, thekson Ocak. Edhe një demonstrues tjetër, Yilmaz, mendon se në shoqëri nuk ka përçarje. "Ne jemi të gjithë njësoj", thotë 33-vjeçari. Urrejtja apo zemërimi nuk ndihen ende.