1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Plot zell për të vepruar - Spanja dhe presidenca e BE-së

Për herë të katërt qysh pas antarësimit në BE në vitin 1987, Spanja merr presidencën e BE-së. Çfarë presin spanjollët dhe çfarë pret Evropa prej presidencës spanjolle?

default

Pas entuziastit të Evropës dhe të besuarit të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, Felipe González, dhe politikanit konservator e skeptik ndaj Evropës, José María Aznar, i cili madje donte ta bllokonte kushtetutën evropiane, me socialistin José Luis Rodríguez Zapatero si kryeministër Spanja ka rigjetur një qëndrim më miqësor ndaj Evropës. Zapatero madje është një ndër të paktët socialdemokratë që vazhdojnë të qeverisin në Evropë, i cili merr tani drejtimin e presidencës së BE-së.

Spanjollët - Interes në rritje për Evropën

Mbi 90% e spanjollëve parimisht janë në unanimitet: ata janë për antarësimin e vendit në BE dhe sepse nga fondi i BE-së është derdhur një pjesë e madhe e ndihmave për modernizimin e Spanjës. Sot këto para gjithnjë e më shumë po investohen në Evropën Lindore, gjë që nuk ndryshon gjë në drejtim të preferencës së spanjollëve për Evropën, thotë Alfonso Egea, i cili ka përpiluar studimin "Fundación Alternativas" lidhur me spanjollët dhe Unionin: "Interesi për Evropën është në rritje. Në të ardhmen do të jetë edhe një detyrë e presidencave të BE-së në rotacion që ta bëjnë Evropën më të prekshme për qytetarët. Unioni në gjashtë muajt e ardhshëm do të jetë një nga temat e mëdha këtu: qëndrimi i spanjollëve ndaj Evropës nuk varet prej fondeve të BE-së. Sidoqoftë spanjollët ndryshe nga të tjerët ratifikuan në referendum kushtetutën për BE-në. Ky qëndrim ka arsye historike në vendin, ku ka mbizotëruar diktatura e Frankos. Evropa gjithmonë është konsideruar si model referimi për transformimin politik.“

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Spanjë, qershor 2009.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Spanjë, qershor 2009.

Programi i së ardhmes - Evropa 2020

Por pikërisht spanjollët janë ndërkohë të preokupuar me probleme thelbësore: vendi ka një kuotë papunësie gati 20%, borxhet e shtetit po rriten vrullshëm. Këtij problemi qeveria do t' i bëjë ballë me më shumë investime në fushën e shkencës dhe arsimit. Në nivelin e BE-së qeveria do t'i bashkangjitet së ashtuquajturës "strategjia e Lisbonës", e vendosur përpara dhjetë vjetësh.

Spanjollët demonstrojnë kundër krizës ekonomike në vend, shtator 2009.

Spanjollët demonstrojnë kundër krizës ekonomike në vend, shtator 2009.

Programi i ri i së ardhmes duhet të quhet Evropa 2020, shpjegon Diego López-Garrido, Sekretar Shteti për çështjet e Evropës: Objektivat e strategjisë së Lisbonës janë lënë në harresë. Ndonëse këto do të ishin objektivat e duhura, qeveritë nuk i kanë zbatuar ato. Për këtë arësye ne duhet ta koordinojmë më mirë politikën ekonomike kombëtare në Evropë. Objektivat e shoqërisë së dijes, të teknologjisë së informacionit, të luftës kundër ndryshimit të klimës dhe për një "ekonomi të gjelbër", duhet të bëhen pjesë e një strategjie të përbashkët të zhvillimit. Ne duhet të mbikqyrim që këto objektiva të përmbushen. Kjo është një sfidë e madhe, përpara së cilës ndodhet BE-ja. Gjermania mund të jetë në këtë drejtim një model."

Temë e rëndësishme e presidencës - mbrojtja nga dhuna në familje

Prej vitesh Spanja përpiqet gjithashtu që të vendosë një temë tjetër në rend të ditës së BE-së: në Spanjë grave të kërcënuara prej partnerëve ose ish-partnerëve të tyre u ofrohet mbrojtje nga policia, ekziston një ligj për mbrojtjen e gruas nga dhuna si dhe policë, prokurorë dhe gjyqtarë të specializuar në këtë drejtim. Megjithatë në vitin 2008 janë vrarë 70 gra prej burrave të tyre. Në disa vende të tjera të BE-së këto shifra janë edhe më të larta, e megjithatë në nivel evropian kjo lloj dhune as që hetohet. Sekretari i Shtetit López-Garrido: „Kjo do të jetë një temë qendrore e presidencës sonë. Ne kemi nevojë për një plan aksioni evropian për mbrojtjen nga dhuna në familje. Ndoshta ka miliona gra në Evropë, që vuajnë prej kësaj. Ne duam të krijojmë një observator evropian për këtë. Përveç kësaj paralelisht me urdhërarrestin në nivel evropian duhet të ketë edhe mbrojtje nga policia."

Politika e jashtme - prioritet amerikano-latinët në Evropë

Sa i përket politikës së jashtme Spanja do ta shfrytëzojë presidencën, për t'u angazhuar si avokate e interesave të amerikano-latinëve në Evropë. Spanja bën thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik. Nisur nga pozita gjeografike e saj Spanja ka një interes të madh në zhvillimin e zonës së Mesdheut. Por influenca e Spanjës në politikën e jashtme do të jetë e kufizuar: Për herë të parë unioni do të përfaqësohet në këtë drejtim nga Catherine Ashton si "Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme" të Unionit. Krahas Presidentit të ri të Këshillit Herman van Rompuy roli i kryeministrit të vendit, që kryeson presidencën, do të jetë më modest se deri më sot. Megjithatë Spanja dëshiron që përfaqësuesit e rinj të BE-së të kenë një prezantim të profilizuar politik. Studiuesi i shkencave politike Alfonso Egea mendon: „Varet gjithmonë nga qeveritë kombëtare. Ndonëse ka detyrime politike për një politikë të përbashkët, deri në realizimin e kësaj do të duhet kohë. Kjo bën që njerëzit e thjeshtë të zhgënjehen. Në Evropë flitet shumë për balancimin e institucioneve dhe të rajoneve, por flitet pak për balancimin në politikë. Presidenti i ri i BE-së duhet të flasë më shumë për politikën. Çfarë do të bëjë ai, i var ai shpresat tek novatorizmi, tek një politikë sociale evropiane, apo preferon tregjet e lira? Të tilla debate përmbajtësore mungojnë. Në Evropë deri tani nuk ka alternativa të vërteta politike. “

Autor: Hans-GünterKellner / Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 09.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPXl
  • Data 09.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPXl