1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Plevneliev: "Unë e admiroj humanizmin e Angela Merkelit"

Nga marrëveshja BE-Turqi Bullgaria pret trajtim të njëjtë të të gjithë kufijve mes Turqisë dhe BE, thotë presidenti bullgar Rossen Plevneliev.

DW: Z. President, a mund të kërkojë vala e refugjatëve dhe migrantëve një rrugë të re përmes Bullgarisë, pasi i ashtuquajturi "itinerari ballkanik" është mbyllur?

Rossen Plevneliev: Ne e vëzhgojmë me kujdes situatën në të ashtuquajturin itinerari ballkanik dhe kemi marrë masat paraprake për rastin, që grupe të mëdha migrantësh mund të kërkojnë rrugën përmes Bullgarisë. Këshilli konsultativ për sigurinë kombëtare ndërkohë e ka pasur në rendin e ditës këtë çështje. Ne kemi ndryshuar ligjin e mbrojtjes dhe kemi projektuar një plan reagimi për rastin e një presioni në rritje nga migrantët.

Ne të gjithë jemi të prekur nga kriza e migracionit dhe ajo nuk mund të përballohet, nëse ne reagojmë veçmas dhe secili merr parasysh vetëm interesat kombëtare. Ne kemi nevojë për një zgjidhje të përbashkët europiane dhe për rregulla të caktuara, që të vlejnë për të gjtihë. Përvoja tregon, se mbyllja e njërit apo tjetrit itinerar vetëm sa mund ta thellojë krizën. E njëjta gjë vlen edhe kur migrantët lejohen të kalojnë në vendet fqinjë. Sipas mendimit tim nuk ka asnjë kundërthënie mes respektimit të të drejtave të njeriut, nga njëra anë, dhe një kontrolli të mirë të kufijve nga ana tjetër. Bullgaria u përmbahet në mënyrë strikte detyrimeve të saj ndërkombëtare, këtë e konfirmojnë edhe partnerët tanë. Por njëkohësisht ne llogarisim me më shumë solidaritet brenda BE-së, në mënyrë që vendimet e marra të mund të zbatohen. Gjatë mbledhjes së fundit të ministrave të brendshëm të BE-së u diskutua edhe mundësia e një lëvizjeje të migrantëve drejt vendeve si Italia, Shqipëria dhe Bullgaria, për këtë janë fokusuar edhe masat se si do të reagohet. Shpresojmë që nga partnerët tanë të marrim edhe ndihmat përkatëse, në mënyrë që Bullgaria të mos bëhet një rrugë devijuese, sepse marrëveshje dhe përpjekje të caktuara, për mbylljen e itinerarit ballkanik, shkojnë në këtë drejtim.

Në rast se megjithatë do të ketë një dyndje drejt kufijve jugorë të Bullgarisë me Turqinë dhe Greqinë, parimisht ka dy opcione: ose të ndalen njerëzit në kufi, ose ata të lejohen shpejt që të kalojnë drejt Serbisë apo Rumanisë. Si do të veprojnë autoritetet bullgare?

Ndryshe nga disa vende të tjera, Bullgaria deri tani u është përmbajtur strikt rregullave të BE-së, Dublinit dhe Shengenit. Ne nuk kërkojmë "zgjidhje kreative", për t'iu shmangur problemve dhe për t'i ngarkuar fqinjët. Të gjithë refugjatët dhe migrantët do të regjistrohen në Bullgari dhe do të sistemohen në qendrat përkatëse të grumbullimit të Agjencisë për Refugjatët. Ndërkohë kjo është bërë e ditur dhe pikërisht për këtë arsye presioni i migrantëve ndaj Bullgarisë është shumë më i ulët krahasuar me atë ndaj Greqisë. Krizat e sotme janë globale, zgjidhjet e tyre shkojnë përtej mundëisve të shteteve të veçanta. Ne kemi nevojë për ndershmëri, këtu nuk ka vend për egoizma kombëtare.

A ka Bullgaria nevojë për ndihma të caktuara nga BE-ja lidhur me refugjatët?

Po. Kostot e sigurimit të kufijve dhe të strehimit e trajtimit me ushqim e përkujdes mjekësor për refugjatët e migrantët e rëndojnë shumë buxhetin tonë. Edhe marrëveshja e BE-së me Turqinë duhet të marrë parasysh interesat dhe shqetësimet e Bullgarisë lidhur me presionin në kufi. BE-ja negocion me Turqinë mbi masat e mundshme për kufizimin e numrit të migrantëve nga Turqia për në Europë. Bullgaria insiston, që të gjithë kufijtë e jashtëm të BE-së me Turqinë të sigurohen në të njëjtën masë. BE nuk duhet që të përqendrohet vetëm tek vala e migrantëve nga Turqia drejt ishujve grekë. Bisedimet me Ankaranë duhet të përfshijnë edhe kufijtë e Turqisë me Greqinë e Bullgarinë, pra edhe kufijtë e Detit të Zi mes Turqisë dhe BE-së. Në rast të kundërt do të krijohen premisat për rrugë devijuese. Nga samiti në Bruksel ne shpresojmë të gjejmë mbështetje për këtë pozicion të Bullgarisë.

Zgjedhjet parlamentare në tre lande të Gjermanisë treguan, se shumë njerëz në Gjermani kanë shqetësim serioz prej valës së refugjatëve dhe migrantëve dhe se ndihen të pasigrutë. Në Gjermani dhe në botën e jashtme dëgjohen zëra, se vërtetë e përshëndesin qendrimin humanitar të kancelares Angela Merkel, por theksojnë se nuk është e garantuar një zgjidhje e problemit në praktikë. Sipas mendimit tuaj, si mund të harmonizohen dy aspektet: humanizmi dhe siguria e qytetarëve?

Unë nuk shoh asnjë kundërthënie mes qendrimit human ndaj refugjatëve nga njëra anë dhe garantimit të sigurisë nga ana tjetër. Ne duhet në radhë të parë të jemi njerëz të mirë, humanë dhe tolerantë. Njëkohësisht humanizmi ynë nuk duhet ta cënojë sigurinë. Komportimi i çmuar dhe i qendrueshëm, që ruajmë ne europianët që nga Rilindja, është humanizmi, ndjenja dhe emocioni për të gjithë njerëzit që vuajnë dhe kanë nevojë për ndihmë. Vlerat tona dhe përvojat tona historike janë forca jonë - dhe jo dobësia jonë. Duket të jetë e thjeshtë të ndërtosh mure të reja dhe t'i dëbosh të tjerët. Vetëm se: kjo na bën ne indiferentë dhe shumë shpejt do të konstatojmë, që pas mureve të ndërtuara prej nesh nuk do të ketë mbetur më asgjë e vlefshme për t'u mbrojtur! Por kundrejt migrantëve ekonomikë ne duhet të jemi të ndershëm dhe t'u bëjmë atyre të qartë, se ne nuk jemi në gjendje t'i garantojmë çdo individi jetën më të mirë të shpresuar. Njëkohësisht Europa është në gjendje, që të bëjë më shumë kundër shkaqeve, që i detyrojnë këto njerëz të marrin arratinë. Unë e admiroj humanizmin dhe njerëzillëkun e kancelares Angela Merkel. Në një kohë jashtëzakonisht të vështirë ajo jep një shembull për një politikë të përgjegjshme dhe të orientuar nga vlerat - në dallim nga të tjerë politikanë në Europë, që mendojnë dhe veprojnë me dritshkurtësi të nxitur vetëm nga interesat e gushta të politikës partiake.

Rossen Pleëneliev është sipërmarrës bullgar, politikan i partisë konservatore bullgare dhe ish-ministër për Zhvillimin rajonal të vendit. Më 30 tetor 2011 ai u zgjodh president i vendit.