1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Plevneliev presidenti i ri i Bullgarisë - Fitorja e tij konfirmim i qartë për GERB në pushtet

Kandidati i qendrës së djathtë Rossen Plevneliev, fitoi balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Bullgari. Me 52.5% të votave ai mundi rivalin Ivailo Kalfin, i cili konkuronte për socialistët.

default

Rosen Plevneliev

Bullgarët kanë zgjedhur një president liberal, i cili është pro Bashkimit Evropian. Në përgjithësi mirë. Por zgjedhja e Rossen Plevneliev-it do të thotë gjithashtu se i gjithë pushteti në Bullgari është tani në duart e një partie të vetme - të partisë qeveritare GERB (Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë) të kryeministrit Bojko Borisov. Në këtë mënyrë në mes të mandatit të tij qeverisës Borisov (edhe në zgjedhjet komunale që u zhvilluan në të njëjtën kohë) siguron një konfirmim masiv të elektoratit.

Meritat për suksesin në zgjedhjet presidenciale janë kryesisht të kryeministrit dhe nuk kanë të bëjnë shumë me kandidatin Plevniev, i cili deri para pak kohësh ishte pothuajse i panjohur në Bullgari. Në qeverinë e kryeministrit Borisov ai ka drejtuar për dy vite ministrinë për Zhvillim Rajonal. Kështu që nuk është rastësi që në Bullgari flasin ndërkohë për një model Putin-Medvedev. Vetëm, ndryshe nga Moska, kryeministri në Sofje është politikisht shumë më i fortë se presidenti, i cili ka më shumë detyra reprezentative. Ndërtimi më i shpejt i infrastrukturës, reduktimi i varësisë energjetike nga Rusia dhe udhëheqja e një politike properëndimore - këto ishin mesazhet kryesore të tij gjatë fushatës. Megjithatë në një çështje shumë të diskutueshme, e cila bie në fushën e kompetencave të tij ai u pozicionua shumë qartë. Ish-punonjësit e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit komunist, të cilët mbajnë ende poste të larta diplomatike (një shembull është ambasadori bullgar i sapo tërhequr nga Berlini), duhet të lirojnë vendet për diplomatët e rinj. Me këtë kërkesë presidenti i ri ia ka dalë mjeshtërisht ta verë me shpatulla pas muri rivalin e tij, kandidatin e majtë Ivailo Kalfin. Kjo për faktin se në kohën sa Kalfin ka qenë ministër i Jashtëm, ai i ka mbrojtur për një kohë të gjatë diplomatët agjentë.

Për situatën e tanishme ekonomike dhe politike në Bullgari Plevniev, nuk mundi dhe nuk donte të premtonte asgjë të rëndësishme. Ndryshe nga Greqia fqinje dhe vendet e tjera të Evropës Jugore anëtare të BE-së, shteti bullgar është me të vërtetë financiarisht shumë stabil, por bullgarët janë qytetarët më të varfër të BE-së. Kujdesi shëndetësor dhe sistemi i arsimit janë në një gjendje katastrofike, struktura e moshës së popullsisë mund ta fusë shumë shpejt në kolaps fondin e sigurimit të pensioneve, urrejta ndaj pakicës rome është në rritje të pandalshme. Në këtë sfond, vota e së dielës dhe konfirmimi indirekt i qeverisë nuk kanë rrjedhë logjike.

Shpjegimi i vetëm është popullariteti i kryeministrit Boiko Borisov, i cili bazohet në një populizëm të moderuar, që tërheq vëmendjen e medias me inskenime të partisë së tij dhe të kandidatëve të tij. Kjo për faktin se GERB, është parti drejtuese tipike, e cila edhe pse i ka shtrirë në mënyrë masive strukturat e saj në mbarë vendin, prapëseprapë nuk ka profil të qartë politik dhe i mungon stafi i kualifikuar (me disa përjashtime). Por fakt është se strukturat e partisë kanë qenë shumë aktive dhe nganjëherë kanë punuar edhe jashtë kuadrit ligjor për të arritur suksesin e në garën presidenciale.

Në vend flitet për një shumë prej rreth 50 milionë eurosh, të cilat siç duket janë shpenzuar për blerjen e votave. Jo vetëm opozita bullgare, por edhe vëzhguesit e OSBE-së, socialistët dhe të Gjelbërit në Parlamentin Evropian kanë folur për presion, parregullsi dhe mashtrim në zgjedhje. Megjithatë Partia Popullore Evropiane dhe sidomos Unioni Kristiansocial (CSU), në Bavari e mbështesin vazhdimisht Borisovin dhe "partinë simotër" GERB. Nuk është çudi, që në këto kohëra shumë të vështira politike evropiane, deputetët e GERB-it dhe presidenti i ri në Sofje janë një ndihmë e mirëpritur në Parlamentin Evropian.

Autor: Alexander Andreev

Redaktoi: Esat Ahmeti