1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Plenkoviq: "Kroacia përfiton nga Gjermania e fuqishme"

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq të hënën (12.12.) zhvilloi takime me kancelaren Merkel e kryetarin e Bundestagut Norbert Lammert. Për DW ai flet për rritjen e populizmit e rolin e Kroacisë në zgjerimin e BE-së.

Deutsche Welle: Zgjedhjet e fundit dhe referendumet në BE tregojnë përhapjen e populizmit. Sa relevante është kjo për Kroacinë?

Trendi i fuqizimit të partive antisemitiste po vazhdon si pasojë e disa krizave në Evropë - krizës institucionale, financiare, ekonomike, krizës së Shengenit, krizës së refugjatëve... Kjo po manifestohet në mbarë Evropën. Në zgjedhjet e fundit në Kroaci kam insistuar që partia ime - HDZ - të jetë gjeneratore e retorikës së ndryshimeve dhe kulturës së dialogut. Ne kemi pasur një fushatë pozitive të orientuar drejt ardhmërisë, që duhet të jetë sinjal për kolegët në BE se mund të fitosh edhe me fushatë afirmative. Ne kemi folur për masat financiare dhe zhvillimore që u shkojnë në favor të rinjve, bujqësisë, sipërmarrësve dhe zhvillimit të përgjithshëm të vendit. Kroacia është vendi më i ri në BE, por është një shembull i stabilitetit dhe mbështetës i anëtarësimit në BE, por edhe partner i besueshëm për zgjidhjen e krizave.

Cila është strategjia e HDZ në luftën kundër populizmit në Kroaci?

Populizmi në Evropë po shfrytëzon pasigurinë e njerëzve dhe po cënon identitetin e BE, duke ofruar zgjidhje jo reale që shpesh përçajnë shoqërinë. Ne duhet t'i rezistojmë skepticizmit evropian, kur bëhet fjalë për vendime tepër të rëndësishme. Edhe në vendin tim ka tendenca për rritjen e populizmit. Jemi të vetëdijshëm për këtë dhe jemi duke punuar në forcimin e institucioneve. Mënyra e vetme të jemi të suksesshëm është qëndrueshmëria e punës sonë në realoizimin e programeve.

Anëtarësimi në BE ende atraktiv

Në kongresin e fundit të CDU në Gjermani, Angela Mekel sërish nënvizoi rëndësinë e BE-së. Mendoni se anëtarësimi në BE është ende atraktiv për vendet kandidate?

Së pari dua të uroj kancelaren Merkel për rizgjedhjen në postin e kryetares së CDU, që është parti simotër e HDZ, brenda partive evropiane. Me politikën e saj të përgjegjshme dhe të vendosur Merkel ka dhënë një kontribut të madh për forcimin e BE në arenën ndërkombëtare. Jam i bindur se do ta udhëheqë CDU-në drejt fitores edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm

.

Sa i përket pyetjes suaj, përkundër sfidave, BE edhe më tej garanton prosperitet ekonomik dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vendet evropiane nuk do të humbin interesin për anëtarësim në BE. Përkundrazi, duhet të jenë edhe më të vendosura në momentet vendimtare. Si kryeministër i Kroacisë, unë angazhohem për vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE, në veçanti në Evropën Juglindore. Në këtë kuadër, më së shumti angazhohem për integrimin e Bosnje-Hercegovinës.

Kroacia në prag të anëtarësimit ka premtuar se do të jetë një lloj ure mes Brukselit dhe Ballkanit. Mendoni se Ballkani ka shanse për anëtarësim?

Mendoj se Kroacia ka një shans unik që të ndërlidhë vendet e BE-së me Evropën Juglindore. Politika e qartë proevropiane e qeverisë kroate duhet të nxisë edhe vendet e rajonit që të përcaktohen për anëtarësimin në BE. Shembulli i Kroacisë tregon se transformimi i shoqërisë dhe shtetit është i mundur, që mundëson vendosjen e standardeve evropiane. Ndaj mendoj se me rritjen e rrethanave gjeopolitike dhe rritjen e faktorëve që cënojnë sigurinë, ky rol i Kroacisë do të jetë edhe më i rëndësishëm.

Ju keni biseduar edhe me përfaqësuesit e diasporës kroate në Gjermani. Mendoni se kanë ndryshuar gjërat pas ardhjes këtu të dhjetëra mijëra kroatëve vitet e fundit?

Sipas llogarive tona, në Gjermani aktualisht jetojnë 500.000 shtetas të Kroacisë, apo kroatë me nënshtetësi gjermane. Pas futjes së Kroacisë në BE, numri i kroatëve në Gjermani është shtuar. Roli i diasporës sonë është shumë i rëndësishëm edhe për qeverinë time. Kroatët në Gjermani janë një urë e fuqishme lidhëse mes vendeve tona, si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik. Mundësia e punësimit, shkollimit dhe përgatitjes profesionale në Gjermani kanë qenë gjithmonë tërheqëse për punëtorët, studentët, shkencëtarët dhe sipërmarrësit. Besoj se numri më i madh i tyre do të shfrytëzojë një kohë lirinë e lëvizjes në BE dhe më pas do të kthehet në Kroaci.