1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Platforma elektorale e ekologjistëve gjermanë - Optimizëm pas kongresit të partisë

Rrallë kanë qenë Të Gjelbrit kaq optimistë sa në kongresin e tyre në Berlin. Ata duan të dalin më në fund nga opozita dhe të zëvendësojnë qeverinë liberalkonservatore. Por me ç'strategji?

"Përmbledhje fjalësh pa përmbajtje" janë premtimet zgjedhore të Partisë Demokristiane, "një qese plot me bileta të dështuara". Kryetarja e partisë Claudia Roth ishte në formë të mirë, kur dha sinjalin e nisjes për fushatën zgjedhore të të gjelbërve në kongresin e tyre. Kancelarja Angela Merkel ishte fillimisht pro energjisë bërthamore, pastaj kundër, dikur ajo e nxiste mbrojtjen e klimës, tani e frenon atë. Mirëpo për këto, "kancelarja e teflonit" [shtresë plastike për tiganët] nuk merr përgjegjësi. Delegatët u çuan në këmbë dhe brohoritën, kur Roth shpalli synim kryesor të zgjedhjeve zëvendësimin e qeverisë liberalkonservatore. "Qeveria e ardhshme do të jetë kuqegjelbër (socialdemokratë-ekologjistë)."

Kryetarja e partisë Claudia Roth duke folur para delegatëve më 27.04.2013 në Berlin

Kryetarja e partisë Claudia Roth duke folur para delegatëve më 27.04.2013 në Berlin

Por cilat tema janë të forta sa duhet, për ta larguar kancelaren me popullaritet nga zyra e saj? Të pyetur në lidhje me këtë të gjelbrit hezitojnë një çast. Programi zgjedhor 150-faqësh është voluminoz dhe gjithëpërfshirës. Prej kohësh Partia Ekologjiste nuk përqendrohet më në radhë të parë te mbrojtja e mjedisit.

Deficite drejtësie

Krahas kthesës energjetike të gjelbrit i preokupon sot para së gjithash tema e "drejtësisë sociale". Shumë njerëz (këtë ata e përjetojnë gjatë punës në bazë) ndihen "të braktisur": Paga të ulëta, me të cilat pothuajse nuk jeton dot, pishina të mbyllura në komuna të varfëruara, pensionistë që presin radhën për një gjellë të ngrohtë në qendra bamirëse.

Qeveria liberalkonservatore ka dështuar në këtë pikë, mendojnë të gjelbrit. Kur, përveç kësaj, të pasurit i shmangen tatimit dhe i transferojnë paratë e tyre në llogari jashtë vendit, atëherë ndjesia e drejtësisë në shoqëri është prishur në masë të konsiderueshme, thonë ata.

"Në sektorin social duhen ndryshuar me themel disa gjëra", kërkon në bisedë për Deutsche Wellen delegati Alexander Maul nga Saarlouis. Si shembull ai përmend vendet e shumta të punës që janë të pasigurta. "Të pushosh e të mendosh se në Gjermani gjërat janë shumë mirë dhe se ajo është motori i Evropës, kjo është një gënjeshtër", thotë Maul. Kush i shikon me kujdes infrastrukturën, rrugët dhe shinat në Gjermani, e di që duhen investuar para. "Mirëpo kancelarja ia fsheh këtë popullit."

Për Jutta Bruns, e cila kandidon për në Bundestah në afërsi të Frankfurtit mbi Main, te drejtësia bën pjesë edhe barazia për gratë: "Unë e konsideroj këtë një temë shumë të rëndësishme. Me përfytyrimin e vjetër për gruan nuk kemi shans për të ardhmen." Të gjelbrit, të cilët i zenë postet e tyre me po aq shumë gra sa edhe burra, anagazhohen në programin e tyre zgjedhor në mënyrë konsekuente për barazinë gjinore. Ata e kanë halë në sy që në Gjermani sot gratë fitojnë shumë më pak sesa burrat. Me qesëndi u shoqërua në kongresin e partisë kursi i kancelares, për t'i përkrahur gratë në zënien e posteve në bordet mbikëqyrëse të sipërmarrjeve të shënuara në bursë vetëm pas vitit 2020.