1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plani i Ban Ki Mun mund të ketë efekt negativ edhe për Maqedoninë

Fatos Musliu18 Nëntor 2008

Opinione nga Maqedonia për planin gjashtëpikësh të Ban Ki Mun, i cili kundërshtohet nga qeveria kosovare.

https://p.dw.com/p/FxSW
Parlamenti ShkupFotografi: picture-alliance/ dpa

Zbatimi eventual i planit gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, paraqet rrezik edhe për Maqedoninë dhe vendet tjera të rajonit. Ky është vlerësimi i ekspertëve për çështjeve juridike dhe politike në Maqedoni, Jeton Shasivari dhe Biljana Vankovska.

Shasivari thotë se pas këtij plani fshihen elemente të shtetësisë për serbët e Kosovës. Miratimi i këtij plani dhe vënia e tij në jetë në Kosovë në fakt mund të reflektohej mjaft negativisht dhe do të shkaktonte një efekt domino për Maqedoninë kur dihet që në Maqedoni ka pjesë të territorit maqedonas me shumicë shqiptare.

Shasivari: “Mendoj se klasa politike ndërkombëtare që i merr vendimet në nivel ndërkombëtar duhet të jetë më e vetëdijshme për këto fakte. Do jetë një efekt domino që nuk do i dihej fundi. Për shembull, edhe në Mal të Zi kemi një pjesë bukur të madhe të territorit të populluar me shqiptarë, po ashtu e kemi edhe në Luginën e Preshevës”, deklaron Jeton Shasivari ekspert juridik.

Profesorja e universitetit të Shkupit, Biljana Vankovska, thotë se faktori ndërkombëtar duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për Kosovën dhe duhet të punojë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës e jo të lejojë ndarjen eventuale të Kosovës në baza etnike.

Vankovska: "Me krijimin e tërësive të pastra etnike parashtrohet pyetja ku do të ndalet ai proces, mos ndoshta do të vazhdojë në Maqedoni me ndonjë redefinim të ri të rregullimit kushtetues. Bosnja është një bombë me sahat, me shumë çështje të pazgjidhura, kështu që mendoj se faktori ndërkombëtar duhet të tregojë përgjegjësi më të madhe dhe të jetë më i ndjeshë për atë që bën", vlerëson ekspertja maqedonase.

Ndërsa nënkryetari i BDI-së, Rafis Aliti thotë se partia e tij e mbështet fuqishëm qëndrimin e autoriteteve kosovare në mbrojtjen e kushtetutës së Kosovës. Nëse pranohen gjashtë pikat e Ban Ki Mun , ato do të reflektojnë negativisht jo vetëm në shtetet për rreth Kosovës por edhe më gjërë. “Nuk është mirë dhe e pranueshme për askend që në Kosovë të kemi sovranitet të dyfishtë, përkundrazi ai është një shtet i pavarur dhe i tërë komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë këtë fakt”, thotë nënkryetari i BDI-së Rafis Aliti.