1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Plani gjerman për bujqësinë në vendet afrikane

Ministria për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim synon që me një program të ri të luftojë urinë. Një plan prej 10 pikash ka në qendër zhvillimin e bujqësisë e sigurimin e ushqimeve.

Ministri gjerman i Ndihmës për Zhvillim, Dirk Niebel

Ministri gjerman i Ndihmës për Zhvillim, Dirk Niebel

Bashkimi Evropian ka siguruar më parë mish pule për Beninin dhe Ganën, apo pluhur qumështi për Burkina Fason në vlerë prej 10 miliardë eurosh. Por pasojat për prodhuesit në Afrikë ishin shumë të rënda sepse asnjë prej tyre nuk mund të konkurronte me prodhuesit evropianë të cilët subvencionohen nga BE-ja. Qeveria gjermane do të angazhohet që në të ardhmen të mos ketë subvencione të BE-së për prodhuesit që eksportojnë në këto vende. Ministri gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, flet për një ndryshim shumë të rëndësishëm.

"Prandaj qeveria gjermane do të bëjë shumë të qartë se ne duam të ndryshojmë politikën e deritanishme. Vetë fakti që Qeveria gjermane ka vendosur për ndryshime të tilla do të thotë se ne do të angazhohemi që vendimet të zbatohen menjëherë. Por kjo nuk do të thotë se edhe do t'ia dalim t'i zbatojmë këto vendime. Ky është një sinjal i qartë se ne si një ekonomi e fuqishme dhe e orientuar drejt eksportit duam ndryshime", theksoi Niebel. 

Si mund të luftohet uria?

Gra në Kongo

Gjendje e rëndë edhe në Kongo

Ndërkohë jo vetëm në Gjermani është bërë e qartë se uria mund të lulftohet vetëm përmes stimulimit konsekuent të bujqësisë rajonale afrikane dhe jo përmes eksportimit të mallrave të gatshme atje. Në 15 vitet e fundit kjo nuk është bërë si duhet. Për zhvillimin agrar dhe sigurimin e ushqimeve në këtë rajon jepen ndihma gjermane në vlerë prej rreth 700 milionë eurosh, që do të thotë rreth 11 për qind e ndihmave të përgjithshme gjermane.

"Miliona prodhues të vegjël bujqësorë në vendet në zhvillim të cilët prodhojnë vetëm për nevojat e veta kanë nevojë për ndihma për të shtuar prodhimin e tyre në mënyrë që ta shesin në treg dhe të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Prodhuesit e vegjël bujqësorë janë si sipërmarrje të vogla dhe janë të domosdoshëm për zhvillimin e vendit. Në qoftë se duam të mbështesin seriozisht partnerët tanë në jug të Afrikës, atëherë duhet të nisemi nga mbështetja e bujqësisë", pohon ministri Niebel. 

Rregulli dhe kushtet e domosdoshme

Ministri gjerman Niebel në Togo

Ministri gjerman Niebel në Togo

Për të qenë të suksesshëm duhet të bëhet edhe përgatitja profesionale e bujqëve, të cilëve duhet t'u sigurohet edhe toka dhe uji për të arritur rendimente më të larta. Në këto rajone duhet të krijohet një rend politik dhe një administrim më i mirë. Duhet të funksionojë drejtësia dhe të krijohet infrastruktura e domosdoshme për transportimin dhe magazinimin e mallrave. Të gjitha këto elemente parashikohen me planin dhjetëpikësh të cilin e ka hartuar Ministria gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për dy vitet e ardhshme. Përveç ndihmave emergjente pas katastrofave natyrore, në këtë plan përfshihet edhe tema "Landgrabbing", pra blerja apo marrja me qira e sipërfaqeve të mëdha të tokës në vendet e varfëra nga koncernet ndërkombëtare. Investimet private në vendet në zhvillim duhet të jenë të mundura, thotë politikani liberal, por duke respektuar kushtet e përcaktuara më parë.

"Nuk mund të ketë dëbime të njerëzve që jetojnë atje. Banorët e këtyre tokave duhet të përfshihen në prodhim. Të gjitha marrëveshjet duhet të arrihen me një transparencë maksimale. Duhet bërë transparente sasia e tokave që është dhënë me qera për të siguruar që mjetet e paguara për këto toka të shkojnë në buxhetet e familjeve që u takojnë. Duhet pasur kujdes që në këto toka të mbillen bimë të nevojshme për këto rajone", thotë mimistri Niebel.

Plani parashikon punimin e të gjitha tokave pjellore. Niebel pohon se duhet pasur shumë kujdes se çfarë mallrash mund të eksportohen në këto vende, për të mos dëmtuar bujqësinë e vendeve të cilat janë në gjendje të prodhojnë më shumë.

Autor: Sabine Kinkartz/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM