1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Plani Ahtisari - bazë për integrimin e veriut të Kosovës

Sipas përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës, plani i Marti Ahtisarit mbetet bazë për integrimin e veriut të Kosovës duke përjashtuar çdo mundësi që veriu të ketë një lloj autonomie të veçantë. Beogradi nuk e pranon planin

Veriu i Kosovës

Veriu i Kosovës

 Qeveria e Kosovës bëri të ditur edhe një herë se i vetmi plan që mund të integrojë pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, është plani i Marti Ahtisarit dhe zbatimi i tij. Qeveria në Beograd vazhdon të mos e pranojë këtë plan, madje, sipas kryenegociatorit serb, Borko Stefanoviq, ajo kërkon bisedime me Prishtinën për veriun e Kosovës, kërkesë kjo që u refuzua kategorikisht nga Prishtina zyrtare. Qeveria e Kosovës, pas vendosjes së doganierëve në dy pikat kufitare me Serbinë, shpalosi një plan, siç e quajti kryeministri Hashim Thaçi, udhërrëfyes, me të cilin parashikon një sërë investimesh në veri, të gjitha këto brenda kornizave të planit të Marti Ahtisarit.

“Ky plan siguron zhvillim të qëndrueshëm duke përfshirë infrastukturën dukshëm të përmirësuar të shërbimeve komunale, arsimin, shërbimet e shëndetësisë, për të rinjtë pajisjet dhe mjetet për punë nëpërmjet inkubatorit të biznesit dhe skemave të trainimit profesional të sponzorizuara nga qeveria e Kosovës”, thotë kryeministri Thaçi.

Thaçi vlerëson planin Ahtsari

Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës

Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës

Sipas Thaçit pakoja e Ahtisarit nuk e ndalon ndihmën e Serbisë për serbët e Kosovës, duke u bërë thirrje atyre që të mbështesin nismat e qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut. “Qeveria e Kosovës beson se interesi i komuniteteve që jetojnë në veri të Kosovës më së miri mbrohet me anë të angazhimit dhe me mbështetjen e institucioneve të Kosovës së pari, e pastaj edhe me mbështetjen pozitive dhe vullnetit të mirë të Republikës së Serbisë, në ofrimin e ndihmës për komunitetin në një mënyrë të koordinuar, transparente të përgjegjshme ashtu siç parasheh plani i Marti Ahtisarit”.

Por të gjitha këto për Serbinë janë të papranueshme. Për analistin politik Driton Lajqi pakoja e Marti Ahtisarit u garanton serbëve një lloj gjysmëautonomie brenda territorit të Kosovës, por ata nuk dëshirojnë që t'i shfrytëzojnë ato të drejta, por dëshirojnë që përmes barrikadave ta forcojnë statusin e tyre, në një autonomi.

Serbët nuk e pranojnë planin Ahtisari

Driton Lajqi, analist kosovar

Driton Lajqi, analist kosovar

“Si propozim, ky plan që shpesh flitet se mund të jetë, “Ahtisari Plus”, tani për tani nuk ka gjetur mbështetje për faktin se çdo negociatë e çfarëdo natyre qoftë ajo, ka rënë nën hijen e dhunës së ditëve të fundit. Kështu që aktualisht nuk mund të flasim për diçka ndryshe, përveç asaj që serbët mund të gëzojnë atë çfarë u garanton pakoja e Marti Ahtisarit”, thotë Driton Lajqi.

Qeveria e Kosovës në një të ardhme të afërt parashikon edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës. Ky plan edhe pse është vonuar për shkak të zhvillimeve në veri, vazhdon të jetë i vlefshëm në sirtarët e qeverisë dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Përfaqësues të kësaj zyre thanë për DW: “Ne gjithmonë e kemi thënë se vendosja e rendit dhe ligjit është një parakusht për progres në veri të Kosovës dhe në këtë linjë ne mirëpresim aktivitetet e koordinuara të qeverisë, EULEX-it dhe KFOR-it, për të forcuar rendin dhe ligjin në veri. ICO, mbështet angazhimet e qeverisë për të promovuar paqen dhe ndryshimet demokratike në veri dhe për të kompletuar angazhimet e nevojshme teknike në krijimin e komunës veriore të Mitrovicës”.

Sipas tyre, plani i Marti Ahtisarit mbetet bazë për decentralizimin në Kosovë dhe i garanton komunitetit serb që të qeverisin me vendbanimet e tyre.

 

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi