1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Planet për ndërtimin e kampit të vdekjes

Në fillim të javës (16.02.) në Berlin u hap një ekspozitë origjinale me planet e ndërtimit të kampit nazist të shfarosjes në Auzhvic.

default

Pamje nga ekspozita në ditën e inagurimit, 16.02.2009. Ekspozita qëndron e hapur deri më 28.02.2009

Skicat e planet e ndërtimit u zbuluan vjeshtën e kaluar gjatë shitjes së orendive të një apartamenti. Ekspertët e Arkivit Federal në Gjermani dhe të Qendrës Përkujtimore të Auzhvicit kanë konfirmuar tashmë autenticitetin e dokumentave. Tani ato iu paraqitën për herë të parë publikut.


Skicuesit nuk kanë lënë asgjë pas dore. Ashtu siç është e zakonshme për planet e ndërtimit edhe në to është skicuar edhe zona e gjelbër. Pemë të larta me kurora të gjera, që ngrihen thuajse paqësisht dhe janë gati më të larta se ndërtesat e shfarosjes në masë: krematorët, sallat e kufomave, dhomat e gazit. Materialet e ekspozitës i ka mbledhur historiani dhe redaktori i gazetës Bild, Ralf Georg Reuth. "Këtu mund të shihet një shesh apeli për 30.000 të burgosur. Kjo skicë flet për dimensionin e së gjithës."


E ashtuquajtura "Zonë interesi e SS-ve", siç quhej zyrtarisht, shtrihet kilometra të tërë. Një plan-ndërtim i detajuar i shkurtit 1941 - pra gati një vit përpara Konferencës famëkeqe në Vanze - tregon planet për kampin, që qysh atëherë hodhën bazën për synimet e mëvonshme shfarosëse. Gjithçka është e skicuar, edhe baraka gjigande e të internuarve në Birkenau. Mbi skica nuk është e shkruar fjala "kamp shfarosjeje", pasi zyrat e ndërtimit të SS-ve përpiqeshin t'i shmangnin terma të caktuara. Fjala "kamp përqëndrimi" nuk është askund e shkruar e plotë por gjithnjë me shkurtesën "K.L." (në gjermanisht: „Konzentrationslager“)


"Këtu mund të shihni një sallë, është një sallë "L" pra për kufomat (nga gjermanishtja "Leiche"). Një sallë për kufoma 60 metra e gjatë. E përfytyroni dot?"


Nga stacioni i trenit i qytetit Auzhvic ishin planifikuar degëzime shinash që të çonin në kampin e Birkenaut. Një tjetër plan tregon krematorët, që më pas janë ndërtuar në përputhje me skicat. Të gjitha dokumentat janë atje: themelet për furrat e djegies, bodrumi i kufomave i plotësuar me shënimin "gjatësia sipas nevojës aktuale". Pra ato mund të zgjeroheshin në varësi të numrit të viktimave. "Në të gjitha planet e ndërtimit mund të shihni se sa herët ishte planifikuar e gjitha, përpara se shfarosja në masë të fillonte. Dhe tronditëse në këtë mes është se me sa saktësi dhe kujdes është punuar për këtë gjë."


Një nga studiuesit më të njohur të Auzhvicit, historiani kanadez Robert Jan van Pelt ka ardhur në Gjermani për t'i parë me sytë e tij 28 planet e ndërtimit. "Kam ardhur nga Kanadaja dy ditë më parë. A ia vlente ky udhëtim? Po natyrisht!."


Ai megjithatë e kufizon rëndësinë e skicave. Planet e ndërtimit nuk do të çojnë në shkrimin edhe njëherë të historisë së Auzhvicit. Por ato sjellin detaje të reja, p.sh. mbi planet fillestare, të cilat ishin edhe më të mëdha nga sa u realizua më vonë. Ato tregojnë mbi projektet konkurruese të arkitektëve të ndryshëm, që patën hyrë atëherë në një garë të tmerrshme, se kush do të ndërtonte kampin më efektiv të përqëndrimit. Por sipas studiuesit kanadez, ajo që planet nuk dëshmojnë është vrasja sistematike e hebrenjve qysh përpara konferencës në Vanze në vitin 1942. Vetëm më pas filloi vrasja masive sistematike në kampet e përqëndrimit. Pra priteshin urdhërat nga Berlini por ndërtesat e kampit ishin gati.


Studiuesi Jan van Pelt shprehet: "Ky është një zbulim i rëndësishëm. Planet nuk janë revolucionare por ato mbushin boshllëqet në dëshmitë ekzistuese."


Sidoqoftë Arkivi Federal në Gjermani ka treguar tashmë interes për planet po kështu edhe qendra përkujtimore Yad Vashem në Jeruzalem.

(EXH/VFB)