1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Planet e Edi Ramës për "Rilindjen"

Ai që pritet të jetë në krye të qeverisë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Shqipëri tregon për DW angazhimet e para për gjallërimin ekonomik e rivendosjen e rendit, si dhe raportet Tiranë - Berlin.

Askush nuk mund të parashikojë se kur do të mbyllet procesi i numërimit të votave në Shqipëri dhe se kur do të shpallet rezultati zyrtar përfundimtar. Por të gjitha projeksionet dhe kalkulimet flasin për një fitore të thellë, madje të paparashikueshme në disa rajone të vendit, të koalicionit të majtë të drejtuar nga Edi Rama. Grupimi opozitar i thirrur si "Aleanca për Shqipërinë Europiane", ku bën pjesë dhe partia parlamentare e ish kryeministrit Ilir Meta, LSI, tani që janë numëruar mbi 75 përqind e kutive të votimit pretendon marrjen e shumicës së cilësuar të vendeve në parlamentin e ri, 84 nga 140 mandate deputetësh në total.

Sipas stilit shqiptar Edi Rama e ka shpallur fitoren vetëm pak momente pas mbylljes së procesit të votimeve mbëmjen e 23 qershorit. Me bindjen se "rilindja ka fituar mbi rrënimin", ai ju ka lëshuar mbështetësve mesazhe për të rezistuar deri në fund të procesit të numërimit të votave, për të respektuar, sipas tij, verdiktin e zgjedhësve shqiptarë. I kënaqur nga rezultati që ka arritur, por me përmbajtje për të artikuluar shifra konkrete, shefi i opozitës mendon se "Shqipëria duhet të dalë e pastruar nga njollat e së shkuarës dhe të dalë si një vend dhe popull evropian, që me votën e tyre treguan përkatësinë e tyre shpirtërore ndaj këtij atdheu".

Pamje nga numërimi i votave (24.06.2013)

Pamje nga numërimi i votave (24.06.2013)

49 vjeçari Edi Rama, një ish basketbollist në ekipin kombëtar të para viteve '90, i diplomuar në artet pamore dhe i spikatur si publicist, e nisi karrierën politike në vitin 1998. Ndërpreu emigrimin në Francë për t'u bërë ministër i kulturës në qeverinë e majtë të ish kryeministrit Fatos Nano. Për tre mandate rresht, nga 2000 deri 2011 ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, një post që jo vetëm i forcoi pozitat në hierarkinë e socialistëve, por pa shumë përpjekje në kohët më të turbullta të partisë së tij ai arriti karrigen e kryetarit pas zgjedhjeve të vitit 2005.

Zgjedhje mes dy botësh të ndryshme

Rama i vlerëson votimet e 23 qershorit jo thjesht si një garë e rradhës mes një partie dhe një tjetre, siç duhet në fakt të ndodhë në kushtet e një normaliteti demokratik. Këto janë zgjedhje mes dy botësh të ndryshme në kuptimin më të plotë të fjalës, thotë ai për Deutsche Welle-n. "Mes botës rrënuese të Saliut dhe të partisë së tij familjare dhe botës së rilindur të skuadrës sonë kombëtare, të programit tonë për Rilindjen, të vullnetit tonë që së bashku t'i japim Shqipërisë një rrugë të re e cila do ta ndajë Shqipërinë dhe shqiptarët nga papunësia që rritet përditë, nga taksa e sheshtë që po i merr frymën të gjithë atyre që jetojnë ndershmërisht me biznes, nga braktisja e fshatit të lënë në mëshirë të fatit; nga shërbimet sipas xhepit ku është e pamundur të gjesh një derë hapur dhe çdo derë në këtë shtet hapet vetëm me para".

Po cilat janë angazhimet e para për "rilindjen e Shqipërisë" sipas kreut të PS?

Ai shpjegon për DW-në se një ndër punët e para është analiza e situatës reale në të cilën ndodhen financat, ekonomia, por edhe e tërë struktura e shtetit. "Pasi për vite me radhë ka pasur një përpjekje kriminale për të trukuar statistikat e shifrat në funksion të mashtrimit të qytetarëve përmes një makijazhi të situatës reale e cila në vlerësimin tonë është shumë më e rëndë nga sa paraqitet nga të dhënat zyrtare" - thotë Rama për DW.

Projekti i ri i taksimit dhe rivensodje e rendit brenda 300 ditëve

Në një kohë që duke dhënë hollësi konkrete për qeverisjen e ardhshme të koalicionit të majtë ai rendit si prioritar, atë që e ka artikuluar e riartikuluar gjatë gjithë aktivitetit në fushatën elektorale, që lidhet me politikën e taksave, por pa lënë pas dore premtimin për të kaluar në filtër të gjitha koncesionet e realizuara nga të djathtët në 8 vitet e qeverisjes së tyre. "Do të veprojmë me shpejtësi me projektin e ri të taksimit duke kaluar tek taksimi i ndershëm, që do të ulë taksat për 95% të shqiptarëve dhe do të heqë taksën e biznesit të vogël. Falë taksës së ndershme, të punësuarit me të ardhura deri në 1 milionë e 500 mijë lekë do të përfitojnë çdo muaj rreth 40 mijë lekë të vjetra, ose një rrogë mujore shtesë në fund të vitit. Do të veprojmë me shpejtësi për paketën e lehtësimit të fermerëve, që me të drejtë sot kërkojnë ulje të kostos së prodhimit. Do të veprojmë me shpejtësi për paketën e zgjerimit të TVSh-së për ushqimet bazë të shportës, heqjen e taksës 10% të ilaçeve, e po kështu uljen e faturës së energjisë familjare. Do të fillojmë procesin e transparencës për koncesionet dhe privatizimet duke i kaluar ata që dyshohen për favorizime në dëm të popullit shqiptar në një proces transparence. Do të ndalojmë importin e plehrave brenda 100 ditëve të para. Dhe do të fillojmë punën për përfundimin e procesit të legalizimeve brenda mandatit të parë qeverisës, proces që do ta drejtoj personalisht. Dhe sigurisht do të rivendosim rendin dhe sigurinë brenda 300 ditëve të para, duke i hapur një luftë të pashembullt krimit të organizuar".

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Gjermania konsiderohet si një partner strategjik

Ndër gjërat që Edi Rama pranon se është trajtuar shumë mirë nga të gjitha qeverisjet në Shqipërinë e pas viteve '90 është raporti me Republikën Federale të Gjermanisë. Ai parashikon për DW se qeverisja e të majtëve marrëdhëniet shqiptaro gjermane do i kaloj në një nivel të ri edhe më bashkëpunues dhe të afërt. "Raportet e Shqipërisë me Gjermaninë kanë qenë vazhdimisht të mira, pavarësisht forcave të ndryshme politike që kanë qenë në qeverisje në vendet tona. Gjermania është jo thjesht ekonomia më e madhe, por edhe një vend me një peshë të jashtëzakonshme politike e vendimmarrëse në BE. Për më tepër, kontributi që ka dhënë shteti gjerman e taksapaguesit gjermanë, gjatë tranzicionit të stërzgjatur e të stërmundimshëm shqiptar, pavarësisht faktit nëse në qeverisje ka qenë e majta apo e djathta, ka qenë e mbetet i paçmuar. Në programin tonë për Një Rilindje Shqiptare, Gjermania konsiderohet si një partner strategjik dhe qeveria jonë e re do të bëj çmos që raportet mes vendeve tona të kalojnë në një nivel të ri, edhe më bashkëpunues dhe të afërt".