1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Plane të diskutueshme për hapjen e Bundeswehr-it

Në rregulloren për ushtrinë që miratoi qeveria gjermane në qershor parashikohet që Bundeswehri të hapet edhe për nënshtetas të vendeve të BE-së.

Që nga seria e sulmeve në Francë dhe Gjermani po diskutohet përsëri nëse ushtarët e Bundeswehr-it duhet të angazhohet brenda vendit. Tani po përgatiten planet për stërvitje të përbashkëta të forcave të policisë dhe atyre të armatosura për t'iu kundërvënë situatave të jashtëzakonshme terroriste. Meqe në rregulloren për ushtrinë që miratoi qeveria gjermane në qershor parashikohet që Bundeswehri të hapet edhe për nënshtetas të vendeve të BE-së në operacione të tilla mund të marrin pjesë së shpejti nështetas portugezë ose estonezë

Nënshtetësia gjermane si kusht për ushtrinë

Që nga krijimi i Bundeswehr 61 vjet më parë si ushtarakë mund të punësohen vetëm shtetas gjermanë. Prandaj për hapjen e planifikuar duhet modifikuar ligji për personelin ushtarak. Një përjashtim ekziston që tashmë. Bundeswehri mund të punësojë shtetas jo-gjermane, kur ka për ta nevojë për arsye profesionale. Kjo p.sh. nëse nuk ka kandidatë gjermanë që plotësojnë kriteret. Megjithatë deri tani këto janë vetëm raste të izoluara.

Megjithatë prej vitit 1989 Bundeswehri bashkëpunon me ushtritë e vendeve të tjera të BE-së, si në brigadën gjermano-franceze, atë gjermano-holandeze, apo eurokorps-in që përbëhet nga ushtarë gjermanë, francezë dhe belgë. Në vitin 2014 në divizionin gjermanë të ndërhyrjes së shpejtë ishin të përfshirë 2300 parashutistë holandezë.

Kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini do të krijojë një strategji evropiane për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe për këtë kërkon zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake në radhët e BE-së.

Sinjal i mirë por nuk duhet mbivlerësuar

I ngarkuari i qeverisë gjermane për ushtrinë, Hans-Peter Bartels, tha për gazetën “Welt am Sonntag“ se e konsideron hapjen e Bundeswehrit për qytetarët e BE-së si sinjal të mirë. Kusht është që ata të dinë gjermanisht.

Por shoqata e ushtarëve gjermane e kritikoi ashpër këtë hapje. Ushtari nuk është profesion si të tjerët, tha shefi i shoqatës Andre Vystner, sepse kërkon një lidhje të fortë besnikërie mes shtetit dhe ushtarit që është edhe i gatshëm të japë jetën për vendin. Solidariteti ushtarak ka një karakter të fortë kombëtar, pavarësisht sistemit evropian të vlerave, tha ai.

Hapja jo ide e re

Planet për hapjen e Bundeswehr-it nuk janë të reja. Ato ekzistojnë që nga koha e ish-ministrit të Mbrojtjes zu Guttenberg, 2011.

Ministrja e Mbrojtjes, von der Leyen tha, se kjo hapje nuk do të ndodhë shpejt. Por më tepër stuhi shkaktoi ideja e saj për një projekt pilot për punësimin e qindra refugjatëve nga Siria në Bundeswehr në sektorë të tillë si zerjtaria, logjistika apo teknika.