1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plan i ri për zbatimin e marrëveshjes

Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti8 Maj 2013

Komisioni Evropian pritet që sot (08.05.) të paraqesë një draft të ri të planit për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Ekipet e Prishtinës dhe Beogradit ende me qëndrime të kundërta në Bruksel.

https://p.dw.com/p/18Tv6
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ekipet nga Beogradi dhe Prishtina, përgjegjës për zhvillimin e një Plani për zbatimin e Marrëveshjes së arritur në Bruksel nga kryeministrat e dy vendeve, edhe njëherë i kanë prezantuar përfaqësuesve të Komisionit Evropian qëndrimet e tyre mbi implementimin e marrëveshjes. Pas vlerësimit të Beogradit zyrtar, se me draftin fillestar të planit për zbatim ndryshohet marrëveshja "në dëm të serbëve", këshilltari i kryeministrit të Serbisë, Marko Gjuriq, thotë se pala serbe ka ardhur në Bruksel me një "plan gjithëpërfshirës", i cili siguron që bashkësia e komunave serbe në Kosovë të fitojë të drejtat e parapara në marrëveshje:

"Tani është e nevojshme që pala e Prishtinës të tregohet e arsyeshme, konstruktive dhe e gatshme për të bërë lëshimet e nevojshme për të ardhur deri te një marrëveshje. Nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian nuk kemi dëgjuar asnjë vërejtje të rëndësishme për vizionin e përgjithshëm se si do të duhej të dukej plani për zbatimin e marrëveshjes së arritur."

Kuçi: Ata duan diçka përtej marrëveshjes

Në delegacionin e Prishtinës, i cili dy javë më parë në takimin e parë fillimisht kishte pranuar draftplanin për zbatimin e marrëveshjes, thonë se ata presin që ndërmjetësi evropian në këto bisedime, drejtori për Ballkanin Perëndimor, Fernando Gentelini të paraqesë sot (08.05.) një draft të ri, i cili mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët.

Në foto, Hajredni Kuçi
Në foto, Hajredni KuçiFotografi: DW

Duke vënë në dukje se "ende nuk ka asnjë progres", zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredni Kuçi , thotë se pa dashur të "akuzojë dikend":

"Ne jemi këtu për të arritur deri të implementimi i planit dhe jo për negociata të reja. Këtu ne kemi ardhur për zbatuar marrëveshjen e arritur. Megjithatë ata duan diçka, që është përtej marrëveshjes, ose për të arritur një marrëveshje të re."

Ndërsa pala serbe propozon që të nisë një dialog të ri në nivelin më të lartë politik për çështje të tilla si prona, pozita e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të komunitetit serb në institucionet qendrore të Kosovës. Delegacioni i Prishtinës nga ana tjetër shpreson që sa më shpejt të bihet dakord për planin mbi implemntimin e marrëveshjes duke theksuar se pa planin e zbatimit marrëveshja në mes të Beogradit dhe Prishtinës nuk ka asnjë vlerë.