1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Plagjiaturat" e eurodeputetëve

Fraczek Jennifer / Bahri Cani14 Shkurt 2013

Sa e madhe është influenca e ekonomisë në projektligjet e BE-së? Disa ekspertë dyshojnë se europarlamentarët janë të influencuar nga qarqe të ndryshme, por mendimet janë të dyjëzuara.

https://p.dw.com/p/17eDx
Symbolbild Lobbyismus in Brüssel
Symbolbild Lobbyismus in BrüsselFotografi: bilderbox

Të hartosh projektligjeve për 500 milionë banorët e Bashkimit Europian është një çështje mjaft e ndërlikuar. Për të shmangur efektet eventuale negative europarlamentarëve u duhet të marrin mendimin e ekspertëve. Por ata jo gjithmonë janë krejt të pavarur , e nëse ekspertët e japin konsulencën në emër të një sipërmarrjeje, apo organizate, atëherë bëhet fjalë për lobiistë.

Europarlamentari ekologjist Jan Philipp Albrecht deklaroi së fundi se firmat janë veçanërisht aktive dhe angazhohen për t'ua afruar deputetëve pozicionet e tyre. Ato angazhohen më shumë se organizatat joqeveritare për shembull. Në vitin 2012 ka pasur nëntë herë më shumë ftesa të lobiistë ekonomik për pjesëmarrje në aktivitetet e tyre, sesa të grupeve të tjera të interesit. Disa deputetë nuk janë imun ndaj kësaj dukurie.

Kështu mendon të paktën Marco Maas, një nga themeluesit e organizatës LobbyPlag, ku bëhet analiza e projektligjeve për BE-në. Në disa prej këtyre projektligjeve mund të gjenden pjesë të tëra, të cilat janë përshkruar nga propozimet e ndryshme të lobiistëve. Nga kjo shihet se influenca e tyre është "shumë, shumë më e madhe se ajo e OJQ-ve".

Influenca e ekonomisë dhe OJQ-ve

E një mendimi tjetër është ekspertja për çështje politike Heike Klüver, nga Universtiteti i Konstancës. "Sugjerohet shpesh se shoqatat ekonomike kanë një influencë më të madhe në marrjen e vendimeve dhe nxjerrjen e ligjeve. Por kur shikon mënyrën e funksionimit të BE-së, kjo nuk është e vërtetë", pohon Klüver. Ajo ka analizuar 56 projektligje dhe ka konstatuar se influenca e ekonomisë dhe OJQ-ve është gati e njëjtë. "Nuk kam mundur të gjej ndonjë dallim tepër të madh", pohon ajo.

Klüver është e mendimit se europarlamentarët kanë nevojë edhe për ekspertë, të cilët do të ndihmonin në hartimin e projektligjeve. Të këtij mendimi janë edhe disa ekspertë të tjerë. Por ata janë të vetëdijshëm se në disa projektligje ka edhe pjesë të tëra që kopjohen nga propozimet e sipërmarrjeve apo grupeve të ndryshme të interesit. "Tek disa studime të bëra në Parlamentin Europian kolegët e mi kanë gjetur pjesë të tëra të kopjuara nga të tjerët. Por nuk mund të flitet për një fenomen që ka të bëjë vetëm me kopjime nga sipërmarrjet, sepse këto bëhen edhe nga propozimet e OJQ-ve", pohon Klüver.

Strategjitë e ndryshme

Strategjia e lobiistëve zhvillohet në përgjithësi në dy drejtime: përmes ndikimeve të jashtme dhe të brendshme. E Para ka të bëjë me orgnaizimin e fushatave dhe demonstratave. Ndërsa e dyta nënkupton kontaktimin e drejtpërdrejtë me europarlamentarët. Këtu ka forma të ndryshme të konsultimeve, takimeve, drekave dhe darkave.

Ekspertja mendon se kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e përfaqësimit të interesave dhe pozicioneve për zgjidhjen e ndonjë problemi të caktuar. Komisioni i BE-së ka madje edhe një regjistër të lobiistëve. Komisioni i BE-së i hedh poshtë të gjitha akuzat për mungesë transparence. "Komisioni nuk përdor kurrë tekste, të cilat janë hartuar nga grupet e interesave apo lobet", kumtoi Frederic Vincent, një zëdhënës i Komisionit.

Sipas tij, të gjitha kontributet e shoqërisë civile bëhen publike në faqen e Komisionit. Ndërsa me rastin e hartimit të dokumenteve bëhen publike të dhënat që janë përdorur.