1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Plagët e hapura të Lindjes së Afërt

Viti 2016 tregoi për Sirinë se rruga për paqen në Siri kalon nga Moska. Siria dhe Jemeni mbeten plagët e hapura të rajonit të Lindjes së Afërt.

Në vitin 2016 avionë ushtarakë rusë dhe sirianë e kthyen Alepon lindore, enklavë e rebelëve, në një rrënojë, viktimat u shtuan, bombat i gjetën njerëzit në gjumë, kufomat qëndruan ditë të tëra në rrënoja, sepse në varreza nuk ka më vend. E tani në të gjithë qytetin valëvitet flamuri sirian. Kjo, jo sepse diplomatët në bisedimet e paqes ia dolën të gjenin një zgjidhje për Sirinë e goditur nga lufta. Jo sepse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u ra dakord për një rezolutë që mund të sillte një armëpushim të përhershëm. Presidenti, Bashar al-Asad, e aleatët e tij, Rusia dhe Irani me ashpërsi të plotë dhe strategji okupimi i gjunjëzuan rebelët. Si rebelët ashtu edhe popullsia u luftuan me të njëjtën ashpërsi.

Guido Steinberg, ekspert për Lindjen e Afërt në Fondacionn gjerman, "Shkenca dhe Politika", (SWP) në Berlin thotë se "Rusia dhe Irani nuk bëjnë dallime në këtë pikë." Ushtria siriane e ngre lart pushtimin e Alepos si "transformacion strategjik".

Alepo - simbol i luftës

Që nga fillimi i luftimeve ky qytet ishte i ndarë - mes trupave të Asadit dhe grupeve të rebelëve, të përbërë nga luftëtarë të moderuar dhe terroristë islamistë. Por në Alepo del në pah edhe dobësia e politikës perëndimore, me në krye SHBA dhe aleatët e saj, të cilët nuk i mbështetën në mënyrë të rregullt grupet e moderuara. "Fitorja është një sukses i madh i regjimit sirian dhe aleatëve të tij, Rusi dhe Iran", thotë Günter Meyer nga Qendra për Studimet Arabe në Mainz. Por lufta nuk ka marrë fund, një luftë përfaqësuese, ku përziehen veç Rusisë dhe Iranit, edhe Arabia Saudite, koalicioni i udhëhequr nga SHB, që lufton kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik".

Syrien Aleppo Waffenstillstand beschlossen (picture-alliance/dpa)

Pas armëpushimit, 29.12, njerëzit dalin në rrugë

"Në të ardhmen lufta do të zhvendoset në Idlib", thotë Meyer. Mijëra rebelë nga Alepo perëndimore janë dërguar në Idlib, një nga fortesat e fundit rebele. Regjimi do ta bëjë të vuajë urie edhe këtë rajon, një strategji si në Alepo, për këtë eskperti Meyer është i bindur. Trupat siriane do ia dalin, vetëm nëse vazhdojnë të kenë mbështetje masive ruse. "Problemi kryesor i shtetit sirian është mungesa e personelit", thotë Guido Steniberg. "Këtë mungesë ata mund ta zëvendësojnë momentalisht me ndihmën e Rusisë, Iranit dhe milicëve të tjerë nga Iraku, Libani dhe Afganistani."

Ndihma ruse

Se sa e fortë është ushtria siriane, mjafton të shohim rastin e Palmyras. Ripushtimi i shpejtë i Palmyras nga i ashtuquajturi "Shteti Islamik", tregon se ushtria është e dobët. Sërish Palmyra u vu nën kontrollin e regjimit. "Ky regjim është në gjendje me mbështetje masive të sigurojë rajonet kryesore, por më shumë jo", thotë Volker Schwenk, korrespondent i ARD-së në Kajro. në intervistë me DW. Por me intervenimin rus, Asadi po del më i fortë nga lufta. "Rusët janë gati të shkojnë shumë larg. U tregua në vitin 2016 se ata janë të vendosur të mbajnë Asadin në pushtet. Kjo nuk do të ndryshojë as në 2017-n", thotë eksperti Steinberg.

IS do të mbetet

Sipas ekspertëve këtë vit që vjen do të ketë rajone që do të sjellin konflikte të reja. Si shembuj eksperti Volker Schwenck përmedn rajonet kurde në veri, por edhe ato të milicëve të IS-it. Territori i IS-it është zvogëluar nga 90.800 kilometra katrorë në 68.300 kilometra katrorë në vitin 2016. Me sulmet në Raka dhe ofensivën ndaj Mosulit është një çështje kohe fundi i kalifatit, thonë ekspertët. Por humbja e territorit nuk do të thotë edhe fund i IS-it. Schwecnk mendon, se rebelët e IS-it do të tërhiqen në rajonet sunite dhe do të veprojnë në të ardhmen në ilegalitet. IS e ka zgjeruar frontin e tij, duke u përpjekur të kryejë sulme terroriste në Europë. Nga ana tjetër ata kanë krijuar degë të tyre në Libi dhe Egjipt.

Jemen Aden Sicherheitskräfte (picture-alliance/AA/W. Qubati)

Forca sigurie në Aden, Jemen

Lufta në vendin më të varfër arab

Arabia Saudite angazhohet edhe në një luftë tjetër përfaqësuese në rajon. Riadi lufton aktivisht në konfliktin e Jemenit, një konflikt që filloi në vitin 2011, në vazhdën e kryengritjeve në botën arabe. Fakti që etnia e Huthit, etni shiite mori mbështetjen e Iranit, ishte pretekst i mjaftueshëm për Arabinë Saudite të interpretonte konfliktin e Jemenit si sulm të Iranit ndaj interesave saudite. Në mars 2015 filloi lufta e drejtuar nga arabët, e parashikuar si një aksion afatshkurtër, por që tanimë është një luftë, së cilë nuk i dihet fundi dhe që po e çon drejt katastrofës vendin më të varfër arab. Sipas të dhënave të Unicefit, në këtë vend ndërron jetë çdo dhjetë minuta një fëmijë për shkak të mungesës së ushqimit.

Lufta në Jemen i kushton shumë Arabisë Saudite, megjithëse Riadi merr mbështetjen amerikane, sepse pas marrëveshjes me Iranin, Uashingtoni nuk donte të zemëronte më shumë shtëpinë mbretërore saudite. Arabia Saudite mori refuzimin e Egjiptit për luftën në Jemen. Irani mbështet ende Huthit, ndërsa Arabia Saudite nuk ka më objektiva bombardimi se çdo gjë është kthyer në rrënoja. Sipas ekspertëve ka gjasa që të arrihet armëpushimi vitin e ardhshëm, sepse kemi të bëjmë me një luftë pa perspektivë. Ndërsa për Sirinë paqja është ende larg.