1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Plagë të vjetra ende të hapura në Spanjë

Ende mjaft rrugë në Madrid mbajnë emra oficerësh të lartë që ndihmuan Frankon për të ardhur me grusht shteti në pushtet.

Kryetari i ri i majtë i bashkisë së Madridit do të ndryshojë emrat e rrugëve nga koha e diktaturës së Frankos. Fjala është për 30 sheshe dhe rrugë në kryeqytetin spanjoll. Këto rrugë mbajnë emra oficerësh dhe ushtarakësh të lartë që ndihmuan Frankon për të ardhur në vitin 1936 me grusht shteti në pushtet dhe që kanë luajtur një rol të madh në regjimin e tij represiv. Kjo ide e kryetarit të bashkisë ka hapur  plagë të vjetra, që në Spanjë ende nuk janë shëruar edhe 40 vjet pas vdekjes së diktatorit.

Fyerje dhe përbuzje për viktimat

E kaluara e ndjek Luis Pérezin në çdo hap. Ai ka qenë shtatë vjet në burg plot tortura gjatë diktaturës ushtarake. Komandanti Zorita, emrin e të cilit mban një rrugë në Madrid, qe bashkëpërgjegjës për këtë, thotë 80 vjeçari. "Nëna ime u persekutua dhe u vra nga policia e Francos, unë isha në burg, se kam luftuar për liri dhe demokraci. Këto emra që mbajnë akoma rrugët janë vërtetë një fyerje dhe përbuzje për viktimat e Frankos." - thotë Luis Pérez.

Ndryshim adrese dhe burokraci

Por shumica e banorëve të rrugës Comandante-Zorita mendojnë ndryshe. Ndryshimi i emrit të rrugës do të thotë ndryshim adrese dhe burokraci. Pronarët e dyqaneve ankohen se do t'u duhet të përgatisin kartëvizita dhe prospekte të reja. "Shumë njerëz na njohin si pastiçeria në rrugën Zorita, prandaj nderrimi i emrit do të na dëmtonte, se ndoshta nuk na gjejnë më. Ndryshimi nuk sjell asgjë." - thotë pronari i saj Gonzalo Otero.

Ideologjia fashiste vazhdon ende të jetojë

Një rrugë tjetër mban emrin "Gjeneral Millan Astray". Ai ishte fashist i ashpër dhe themelues i legjionit spanjoll me të huaj. Për shumë ai është një kriminel që është sjellë brutalisht ndaj disidentëve. Por jo për të gjithë. Juristi Guillermo Rocafort organizon rezistencë kundër riemërtimit të rrugës. Sipas tij atdheu është në rrezik, sepse nuk është fjala vetëm për emrat e rrugëve, por për shumë më tepër. "Nëse ndërrohet emri i rrugës Millan Astray, çfarë do të ndodhë me ne? Ne patriotët do të mënjanohemi. Në qoftë se ne nuk mund t'i ruajmë shembujt nga historia, atëherë brezat e ardhshëm nuk do të dinë më gjë." - thotë Guillermo Rocafort.

Still - Fokus Europa - Spanien (DW)

Rruga "Gjeneral Millan Astray" - që ishte fashist dhe themelues i legjionit spanjoll

Gjenerali puçist Millan Astray vazhdon të nderohet në qarqet e djathta edhe sot. Ideologjia fashiste vazhdon të jetojë në mendjet e shumë njerëzve. Madje edhe legjioni spanjoll vazhdon të ekzistojë si një njësi elitë e forcave të armatosura. Ajo që mungon është një heqja e qartë dore nga epoka e Frankos.

"Ne duhet ta harrojmë të kaluarën, që të mbyllen plagët. Njerëzit duhet të pajtohen dhe të mbajnë mend të mirat e historisë duke parë drejt së ardhmes. Gjysma e Spanjës ka luftuar kundër gjysmës tjetër, dhe në qoftë se tani 40 vjet më pas  një pjesë e shoqërisë do për motive thjesht politike të hapë përsëri plagët, mendoj se kjo nuk është produktive." - thotë Guillermo Rocafort.

Plagë ende të hapura

Ish-luftëtari i rezistencës Perez mendon krejt ndryshe. Të djathtët janë duke përparuar në gjithë Evropën - prandaj është sot përballja me historinë edhe më e rëndësishme: "Ne nuk duam të hapim plagë, por vetë plaga jonë është ende e hapur. Askush nuk e ka shëruar atë, nuk ka asnjë mirënjohje për ata që kanë mbrojtur lirinë dhe Republikën. Kjo është arsyeja pse luftojmë që të sigurojmë që shteti të ngrejë një komision për të gjetur të vërtetën e asaj që ka ndodhur si në të gjitha vendet ku ka pasur luftëra civile, përveç se në Kamboxhia dhe në Spanjë. "

Spanien Streit um Monumente der Franco-Ära (DW/M. Delfin)

30 sheshe dhe rrugë në Madrid mbajnë emra ushtarakësh të lartë që ndihmuan Frankon

Partia Partido Popular, që është në pushtet në Spanjë është kundër këtij komisioni. Kjo s'është habi se kjo parti konservatore është themeluar nga një ish-ministër i Frankos.

Jo përballje me historinë

"Frankizmi nuk është dënuar deri sot në Spanjë. Ende ekziston Fondacioni Francisco Franco, që merr para nga shteti. Në vende të tjera evropiane nuk ka fondacione  për nder të diktatorëve që mbështeten nga shteti. Vetëm në Spanjë! Sepse mentaliteti i partisë në pushtet është që të mos përballet me historinë." - thotë eurodeputetja Paquita Sauquillo.

Prej kohësh viktimat e Frankos kërkojnë një ndryshim në politikë. Dhe Luis Pérez shpreson se emrat e rrugëve në Madrid do t'u kushtohen figurave vërtet shembullore. Debati i zjarrtë tregon se edhe 40 vjet pas fundit të dikaturës Spanja vazhdon të jetë e përçarë.