1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pjesë të konkratës kolektive kanë mbetur vetëm në letër

Me 16 maj sindikatat në Kosovë do të organizojnë protesta sindikale. Sindikalistët kosovarë protestojnë kundër papunësisë dhe shkeljeve të të drejtave të punëtorëve që janë në marrëdhënie pune.

Të papunë në Kosovë.

Sipas statistikave 40 mijë kosovarë kërkojnë punë. Në fakt papunësia në Kosovë është në rritje.

Protesta sindikale me moton “luftoje krizën, njeriu prioritet”, do të organizohen më 16 maj edhe në Kosovë. Kështu BSPK-së, i bashkohet thirrjes së Konfederatës Sindikale Evropiane, për të shënuar me protesta ditët e aksionit evropian, ku punëtorët në shumë qendra evropiane, përfshirë këtu edhe Prishtinën, do të kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës. Përveç kësaj, do të protestohet edhe për shkak të krizës globale dhe papunësisë në rritje.

Kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi, thotë se që nga përfundimi i luftës sindikalistët kosovarë nuk kanë qenë shumë aktiv me protesta, sepse kanë dashur të jenë faktor stabititeti, por tani, pas shpalljes së pavarësisë sindikalistët do të kërkojnë të drejtat e tyre. "Nuk mund të tolerohet më moszgjidhja e kërkesave për punonjësit kosovarë, që kanë kaluar tre valë shkurtimesh masive nga puna. Regjimi i Millosheviqit, gjatë viteve 90-ta largoi 150 mijë punëtorë nga puna dhe sot pas 18 vitesh, as 10 përqind e kësaj shifre nuk është kthyer në punë. Papunësia tjetër po ndodh gjatë procesit të privatizimit, i cili ka shkaktuar shkurtime nga puna të mbi 70 mijë punëtorëve. Ndërsa, vala e tretë janë të rinjtë kosovarë, që kanë kryer studimet dhe nuk gjejnë punë, por të vetmen shpresë e kanë të marrin një pasaportë dhe të emigrojnë jashtë vendit," thotë Haxhi Arifi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bazë të statistikave shënon mbi 40 mijë kosovarë që kërkojnë punë. Zgjidhje për ta, tash për tash nuk ka, por Ministri i punës Nenad Rashiqi, thotë se kjo ministri po mundohet që të paktën të gjejë punë sezonale, për të rinjtë kosovarë. “Kemi shumë projekte për të zbutur papunësinë, por është e pamundur që ta zgjidhim në tërësi këtë problem. Ne kemi ndërmarrë një nismë me ndërmarrjet private kosovare dhe kemi arritur të punësojmë afro 500 të rinj. Po ashtu, një grup prej 30 kosovarësh, i kemi dërguar me punë sezonale në Afganistan në kuadër të ushtrisë amerikane dhe me projekte të tilla po mundohemi ta zbusim sadopak papunësinë," thotë minsitri Rashiqi.

Në Prishtinë, gjithandej shifen turma me njerëz, të cilët që në orët e para të mëngjesit dalin në rrugë me shpresën që dikush tu ofrojë ndonjë punë ditore. “Dal në rrugë dhe shpresoj, që dikush të më ofrojë një punë ditore dhe të marr ca të holla. Ka raste kur qëndroj këtu deri në orën nëntë të darkës, duke pritur që të bëj ndonjë punë dhe tu siguroj bukën fëmijëve.”

“Ne pothuaj gjatë gjithë kohës jemi pa punë. Jemi 18 antarë të familjes dhe të gjithë jemi pa punë. Ka raste kur një javë qëndroj në rrugë dhe nuk mund ta gjejë të paktën një punë ditore”.

“Ka pesë vjetë që jam i papunë. Shumë rrallë mund të gjej ndonjë punë edhe atëherë kur dikush më merr që të punoj, punët janë zakonisht shumë të rënda, ngarkim - shkarkimi mallrash, ndonjë punë për pastrim. Pra punë të kësaj natyre”.

Papunësia në Kosovë është një problem që i përcjell qytetarët tash e 20 vjet. Mirëpo, edhe atyre punonjësve që janë në marrëdhënie pune, qoftë në sektorin privat apo shtetëror u shkelen të drejtat e punës. Bashkimi i Sindikatave të punotorëve kosovarë, ka kohë që ka nënshkruar me qeverinë një “kontratë kolektive”, e cila thuhet se garanton të drejtat e punëtorëve dhe rrit sigurinë e tyre në punë. Mirëpo, implementimi i kësaj kontrate, kërkon miliona euro dhe një pjesë e kontratës kolektive vazhdon të mbetet vetëm e shkruar në letër. Punëtorët, nëpërmjet kontratës kolektive kërkojnë të drejtat e tyre, mirëpo edhe qeveria e vendit në këtë rast është vënë në presionin e mekanizmave financiarë ndërkombëtar, të cilat mbikqyrin buxhetin e Kosovës. Vërejtje për nënshkrimin e kontratës kolektive janë shënuar nga “Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky mekanizëm i rekomandon qeverisë së Kosovës vazhdimisht, që të mos rrezikojë kolapsin e buxhetit të varfër të vendit. Ky mekanizëm i rekomandon qeverisë madje që të zvogëlojë numrin e të punësuarve në administratë, sepse 70 mijë punëtorët e administratës në Kosovë janë një ngarkesë e papërballueshme për buxhetin, i cili llogaritet të jetë jo më i madh se një miliardë euro.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama




  • Data 15.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hr6O
  • Data 15.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hr6O