1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesëmarrje e konsiderueshme në zgjedhjet lokale në Kosovë

B. Shehu3 Nëntor 2013

Procesi i votimit në veri të Kosovës u shoqërua me incidente, pa pasoja në njerëz, por me dëmtim të materialit zgjedhor.

https://p.dw.com/p/1AB0j
Fotografi: DW

Në Kosovë të dielën (03.11) u zhvilliuan zgjedhjet për kryetarë komunash dhe këshilltar për asambletë komunale. Procesi i votimeve u cilësua i qetë pa incidente, me përjashtim të zonave në veriun e Kosovës. Pjesmarrja në votime në nivel të Kosovës, sipas kryetarës së KQZ-së, Valdete Daka, ishte 45.79%. Në këtë përqindje nuk është përfshirë numri i votuesve nga pjesa veriore e Kosovës. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha pas mbylljes së qendrave të votimit se grupe të organizuara ekstremiste serbësh, demoluan disa qendra votimi dhe shkatërruan material të konsiderueshëm zgjedhor. “Republika e Kosovës përmbylli një proces zgjedhor jo aq të lehtë, për faktin që u zhvilluan zgjedhje edhe në veri të Kosovës. KQZ, njofton se në orët e pasditës, grupe huliganësh kanë hyrë në disa qendra të votimin në veri të Mitrovcës. Ata kanë rezikuar stafin vendor dhe ndërkombëtar”, tha Valdete Daka. Ajo tha se KQZ, kërkon nga organet e drejtësisë që materiali zgjedhor të sillet në qendërn e numërimit në Prishtinë dhe pastaj të konstatohet gjendja. “Pas verifikimit të materialit zgjedhor, atëherë mund të konstatohet nëse materiali zgjedhor nga komunat veriore është i vlefshëm apo jo”, thotë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Valdete Daka
Valdete Daka, kryetare e KQZ-sëFotografi: DW

Nga 1 milionë e 779 mijë votues të regjistruar, të drejtën e votës e shfrytëzuan 814,718 votues. Në këtë numër nuk përfshihet numri i votuesve të veriut.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një deklaratë për media pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, vlerëson se “zgjedhjet komunale të 3 nëntorit janë mbajtur në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, në pjesën më të madhe të vendit”. Mirëpo, presidentja Jahjaga shpreh indinjatën e thellë dhe dënon fuqishëm frikësimin dhe pengimin e qytetarëve të komunitetit serb të pjesës veriore për të marrë pjesë në zgjedhje. “Parandalimi, frikësimi, shantazhimi i qytetarëve dhe dhuna e shfaqur në disa vendvotime nga grupe të caktuara në pjesën veriore të territorit të vendit, është në kundërshtim me parimet demokratike në shoqëri, pengon procesin e ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës dhe tolerant si dhe cënon rrugën e integrimit evropian të Kosovës”, thotë presidentja Atifete Jahjaga.

Incidentet dhe parregullsitë që kanë ndodhur në disa pjesë të Kosovës, sipas presidentes, janë duke u hetuar dhe duke u procesuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e procesit. “Aktet e tilla do të pasohen me veprim të shpejtë të mekanizmave të sigurisë me qëllim të vendosjes së rendit dhe të qetësisë dhe të sundimit të ligjit në veri”, thotë presidentja Jahjaga.

Në veri të Kosovës pavarësisht incidenteve të shkaktuara, nuk ka asnjë person të arrestuar deri të dielën në mbrëmje. Mirëpo, të arrestuar ka rreth 20 persona në rajone të ndryshme të Kosovës, për disa incidente që policia i cilësoi të izoluara. Prokuroria e shtetit njofton se nga këto arrestime nëntë raste cilësohen vepra penale.

Procesi zgjedhor për kryetar komunash dhe këshilltar për asambletë komunale u zhvillua në 38 komuna të Kosovës. Në garë ishin 103 subjekte politike, me 7.932 kandidatë. Zgjedhjet lokale të tre nëntorit u monitoruan nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtar. Një mision vëzhgimi në Kosovë ka dërguar për herë të parë edhe Bashkimi Evropian, mision ky që kryesohet nga Roberto Gualtieri, deputet në Parlamentin Evropian. Ky mison akoma nuk ka dhënë vlerësimin për zgjedhjet.