1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pjellë e krizës, makth i demokracisë

Shprehja parlamentare e forcave të djathta ultra ekstreme në Greqi duket se nuk është një parentezë kalimtare, por një fenomen shoqëror me rrënjët në krizën e thellë ekonomike dhe politike të vendit.

Zgjedhjet e reja të 17 qershorit sipas sondazheve pritet të rikonfirmojnë partinë neonaziste greke Hrisi Avgji (Agimi i Artë) si forcë parlamentare, të afirmuar për herë të parë më 6 maj me 7% dhe 21 deputetë.

Në foto, Ira Londo

Në foto, Ira Londo

Sa më shumë ngushtohet harku kohor i zgjedhjeve të reja të 17 qershorit aq më shumë shtohen episodet e dhunshme kundër të huajve. Në kryqëzimin e rrugëve Pireos & Thrakis një i huaj ndalohet dhe rrihet nga një grup të rinjsh të motorizuar. Në stacionin e trenit Shën Nikollaos keqtrajtohet një pakistanez dhe buletini i ngjarjeve të tilla të dhunshme me autorë pjesëtarë të partisë neonaziste Hrisi Avgji (Agimi i Artë) nuk ka të mbaruar. E majta foli për “skenar dhune” nëpër rrugët e Athinës ku “protagonistë ishin akoma edhe kandidatë për deputetë të Agimit të Artë”. “Jemi shumë të shqetësuar, jemi shumë të frikësuar. Mund të ecësh nëpër rrugët e Athinës dhe të biesh pre e një sulmi, me pasoja të paparashikuara. Nisemi për në punë, një nënë çon fëmijën në shkollë dhe nuk e di nëse do ta çojë e sigurt aty”, i thotë DW-së Ira Londo, kryeredaktore e “Plus-Gazeta Athina”, e cila, siç bën edhe nëpër faqet e gazetës së saj, tërheq vëmendjen për rrezikun e familjarizimit me dhunën raciste që sot ka për viktima të huajt por nesër do të ketë edhe vendasit.

Për indiferentin vjen një ditë që nuk do t'i shpëtojë dhunës

Për bashkëbiseduesen tonë pak rëndësi ka nëse janë apo nuk janë të vërteta ato që thuhen se Hrisi Avgji i konsideron bashkatdhetarët e saj “njerëz të një gjaku” që mund të përfshihen akoma edhe në radhët e saj. “Në qoftë se jemi indiferentë ndaj këtij fenomeni duke kujtuar se ne vetë shpetojmë, atëherë kur të vijë tek ne, kur të trokasë derën tonë, nuk do të jetë aty askush për të na mbështetur”, thotë Ira duke kujtuar kështu edhe shprehjen e famshme didaktike të Bertold Brehtit për indiferentizmin ndaj nazizmit. Sipas saj, të përqendrohesh vetëm në “bëmat” apo akoma edhe në “dekorin” provokativ të simboleve të kësaj partie dhe të mos depërtosh në shkaqet e këtij fenomeni është sikur pas pemës të humbasësh pyllin.

Votuesi grek: “Janë të mirë, po i more në telefon për tre minuta i ke tek dera”

Mimis, siç prezantohet me emrin e tij të shkurtër, jep shpjegimin e tij pse voton për Hrisi Avgjinë, që në zgjedhjet e 6 majit siguroi për herë të parë edhe prezencë parlamentare duke marrë 440.000 vota edhe 21 vende në parlament. Bile jo vetëm që nuk e fsheh, por herë pas here del edhe e thotë me zë të lartë në ballkonin e shëpisë së tij. “Kemi problem të tmerrshëm me të huajt, na marrin punët, na vjedhin”, thotë Mimis, i cili këtë votë të tij ndaj një “force politike ekstreme”, siç e pranon edhe vet, e sheh edhe si “ndëshkim” ndaj evopianëve. “Evropianët na kanë vendosur fashizëm ekonomik, ne Hrisi Avgjinë. Terrorizim ata, terrorizim ne”, thotë bashkëbiseduesi ynë, një ndër mijërat e votuesve grekë që me sa duket do të votojnë sërish me kritere ndëshkimi ndaj klasës politike vendase por edhe troikës për masat shtrenguese. “Hrisi Avgji është e mirë, se po i more në telefon për tre minuta i ke tek dera”, i thotë DW-së edhe nëna e tij Frosua, e cila me siguri ka dëgjuar për veprën që kryen kjo organizatë nëpër gjitoni, ku, duke u ardhur në ndihmë të moshuarve të rrezikuar nga njerëz të krimit ordiner apo njerëzve me probleme shëndetësore, ka zëvendësuar organet e rendit dhe ato të shëndetësisë. Qarkullojnë akoma edhe “bëma” e “legjenda” për veprën e saj humane dhe patriotike, që vështirë mund të dallosh se ku mbaron e vërteta dhe ku fillon spekulimi, që sigurisht i leverdis partisë në prag të zgjedhjeve.

E majta: “Këta njerëz që përdorin dhunën dhe mbjellin urrejtjen janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes”

Në foto, Iasonas Sqinas

Në foto, Iasonas Sqinas

Këtë realitet nuk e mohon as përfaqësuesi i rinisë së partisë radikale Syriza Iasonas Sqinas, i cili rritjen e fenomenit të ekstremistëve, të njohur dhe më parë, e shpjegon me “shtrirjen gjithnjë e më të madhe të varfërisë, pasigurisë dhe mjerimit” për shkak të krizës. “Organizata neofashiste dhe neonaziste si Hrisi Avgji gjejnë rastin dhe shfrytëzojnë dhimbjen e njerëzve dhe shkaktojnë kështu urrejtjen, ksenofobinë dhe racizmin. Aktualisht viktima janë imigrantët, nesër do të jenë ata që do të kenë divergjenca ideologjike dhe pasnesër politike me Hrisi Avgjinë”, i thotë DW-së Sqinas, i cili kërkon që fenomeni të shihet si një proekupacion mbarëshoqëror, pasi “sot mund të jetë në portën e bashkëqytetarit përbri, nesër do të jetë në portën tënde”.

Për Sqinas, pra, ajo çka ndodh në Greqi me këtë fenomen që kompromenton edhe imazhin e saj nuk është befasim, siç shihet nga disa dhe sidomos nga partitë tradicionale që “mjaftohen vetëm me fshikullim verbal”. “Ajo çka kërkohet në radhë të parë është të margjinalizosh politikisht Hrisi Avgjinë, se këta njerëz që përdorin dhunën dhe mbjellin urrejtjen janë pjesë e problemit dhe jo zgjidhja e tij. Një pjesë e tyre janë bile edhe në ndjekje penale” thotë Sqinas dhe përmend rastin e zëdhënësit dhe kandidatit për deputet Ilias Kasidhiaris, gjyqi i të cilit u anulua për të henën e ardhshme, 11 qershor.

Sqinas beson se sekreti i zgjidhjes është i “hapur”, është i shkruar në programin e partisë së tij që sillet si favoriti i zgjedhjeve dhe me zbatimin e tij do tu heqë “avantazhin e fushëveprimit” forcave të tilla. Në radhë të parë me zgjidhjen e problemit të imigracionit klandestin, kësaj plage të hapur që ushqen razicmin dhe telendisë si klandestinët po kështu edhe vendasit. “Greqia nuk mund të jetë magazinë shpirtërash” thotë Sqinas, i cili në fazën e parë sheh si zgjidhje emergjente pajisjen e klandestinëve me dokumente udhëtimi, pra shfuqizimin e Marrëveshjes Dublini II që, ashtu si edhe çështja e shfuqizimit eventual të memorandumit, do të vendosë Greqinë në orbitë konfrontimi me Brukselin dhe troikën.

Hrisi Avgji shkel mbi nervin e ndjeshëm të shoqërisë

Në foto, Nikollaos Mihallolakos

Në foto, Nikollaos Mihallolakos

Deri atëherë Hrisi Avgji do të vazhdojë të gjejë terren të përshtatshëm, duke shkelur jo vetëm mbi nervin e ndjeshëm të njerëzve të dëshpëruar nga kriza por edhe mbi mëkatet e një klase politike të zhvleftësuar. “Kërkojmë votën tënde jo që të bëhemi politikanë profesionistë, kërkojmë votën tënde që të mbarojnë politikanët profesionistë, ata që kanë katandisur vendin në këtë gjendje të kobshme”, u thotë në apelin e tij votuesve kryetari i partisë Nikollaos Mihallolakos, që akuzon akoma edhe masmedian për “manipulim” të opinionit në disfavor të tij dhe paralajmëron për një triumf të dytë të lëvizjes së tij popullore dhe nacionaliste, sikurse e cilëson.

Erdhi për të mbetur

Gjithkush e kupton se fenomeni i Hrisi Avgjisë nuk do të jetë vetëm një parentezë e përkohshme. “Hrisi Avgji nuk erdhi për të ikur. Është e qartë se erdhi për të mbetur”, i thotë DW-së analisti politik grek Fotis Papulias. Kjo sigurisht për sa kohë “demokracia greke nuk do të zgjidhë çështjet e imigracionit, sigurisë, shëndetit, të demokracisë më të gjerë dhe dinjitetit kombëtar”. Pra për sa kohë, siç thotë analisti grek, “nuk do t'i hiqet oksigjeni” atëherë Hrisi Avgji do të telendisë për shumë shumë kohë akoma sistemin shoqëror, jo politik në Greqi.