1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Piratët në kurs suksesi

Partia e piratëve po u mëson politikanëve të etabluar në Gjermani të kenë frikë. Pas suksesit të tyre sensacional në zgjedhjet për parlamentin e landit të Zarës (Saarland), objektivi i ardhshëm është parlamenti federal.

"Gati për ndryshim!" Slogani zgjedhor synon qëllimisht të kujtojë thirrjen për betejë të piratëve nga shekujt e kaluar. Dhe me sa duket piratët kanë prekur telat e kohës në landin më të vogël joqytet të Gjermanisë. Ata [piratët] morën atje me përpjekjen e parë 7,4 për qind të votave e kësisoj janë të përfaqësuar në parlamentin e landit me katër deputetë. Partia ka zgjuar interes në të kaluarën para së gjithash me tema nga bota e internetit. Për shembull piratët janë angazhuar për liri më të madhe informacioni dhe për një mbrojtje më të mirë të të dhënave në internet. "Këto janë tema, që deri tani nuk janë trajtuar sa duhet prej partive tradicionale", shpjegon për DW-në politologu Gero Neugebauer nga Universiteti i Lirë i Berlinit.

politologu Gero Neugebauer nga Universiteti i Lirë i Berlinit

Politologu Gero Neugebauer nga Universiteti i Lirë i Berlinit

Megjithatë, grupimi nuk do që t'i vënë vulën e një bashkimi veprimtarësh interneti, po kërkon të perceptohet si organizatë politike e mirëfilltë. "Në Gjermani ekziston dëshira për një parti socialliberale, dhe njerëzit në Saarland kanë kuptuar, që kjo parti jemi ne" - shpjegon kundrejt DW-së këtë sukses, plot vetëbesim, Aleks Lessmann, zëdhënës i Piratëve në rrafsh kombëtar. Megjithatë, programi ekziston jo më herët se dhjetori i kaluar. Kërkesat: Të ardhura bazë për të gjithë, të pakushtëzuara, ndarja e plotë e shtetit nga kisha dhe lejimi i të gjitha drogave. "Ne angazhohemi edhe për të drejtën për arsimim falas dhe për mbrojtjen e kafshëve", thotë Aleks Lessmann. Në fushën e politikës ekonomiko-financiare jemi ende duke identifikuar qëndrimet e përbashkëta, vijon ai. "Mirëpo, të gjitha këto do të vijnë më vonë", thotë Lessmann.

Origjina në Suedi

Pikërisht kjo qartësi programatike është sipas vlerësimit të politologut Gero Neugebauer sekreti i suksesit të Piratëve: "Ata nuk thonë prej fillimit: Ne i dimë të gjitha. Dhe kur ju nuk e kuptoni një gjë, atëherë kjo ka të bëj me faktin që jeni të trashë. Jo, ata thonë: Atëherë, le ta mësojmë së bashku." Ndërkohë piratët kanë rreth 22.000 anëtarë në gjithë vendin. Këta janë zakonisht nën 35 vjeç, u interesojnë temat e politikës së internetit dhe janë në kërkim të një alternative kundrejt partive të rrënjosura në shoqëri. Kryesuesja e listës në Saarland, Jasmin Maurer, është vetëm 22 vjeç dhe me shokët e saj të partisë komunikon para së gjithash nëpërmjet rrjeteve sociale facebook dhe twitter. "Ishit klas", ky qe komenti i saj në twitter-Kommentar për suksesin zgjedhor.

Demonstrimi shuarje në vend të bllokimit për të dhënat private në internet

Demonstrimi "shuarje në vend të bllokimit" për të dhënat private në internet

Zanafillën Piratët e kanë në Suedi. Partia qe themeluar atje në 2006-n si lëvizje proteste, për të reformuar të drejtën e e autorit. Asokohe, prokuroria suedeze kishte vënë në shënjestër faqen e internetit "Pirate Bay", në të cilën përdoruesit mund të shkëmbejnë muzikë dhe video. Industria zbavitëse pati ngritur padi kundër kësaj, dhe druante humbje financiare prej downloadimeve të paligjshme. Për të mbrojtur "Gjirin e Piratëve" veprimtarët suedezë themeluan partinë. Pak më vonë pati degë në disa vende evropiane, ndër to edhe në Gjermani.

Kurs drejt Bundestagut

Në zgjedhjet në Saarland partia arriti të mblidhte pikë para së gjithash te të rinjtë (23 për qind e votuesve për herë të parë e vunë kryqin te Piratët). Por edhe përkrahës të partive të etabluara u bindën prej tyre. Sipas një sondazhi të stacionit televiziv ZDF partia e re ia doli të merrte 15 për qind të votave ndër ish-zgjedhës të demokristianëve (CDU), të socialdemokratëve (SPD) dhe të partisë E Majta. Të Gjelbërve ata u morën 6 për qind të mbështetësve.