1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Piratët në Evropën Juglindore kërkojnë më shumë transparencë

Ndërkohë që lëvizja e piratëve në Rumani dhe Serbi përpiqet ende për njohjen zyrtare si parti, ajo në Kroaci planifikon tashmë fushatën e saj elektorale. Ndërsa në Greqi piratët luftojnë për të hyrë në parlamaent.

default

Themeluesi i partisë pirate rumune është rritur në një kohë kur çdokush që kishte një makinë shkrimi, kontrollohej rregullisht. Kështu pushtetmbajtësit në Rumani donin të pengonin që qytetarët të shtypnin fletushka të paligjshme. Për këtë arsye liria e mendimit për 55-vjeçarin Claudiu Marginean nuk është e vetëkuptueshme as sot - ndryshe nga të ashtuquajturit "digital natives" në Rumani, të rinjtë të cilët janë rritur me mediet e reja pas rrëzimit të komunizmit.

Transparencë, vendime demokratike nga baza, liri të përdorimit të të dhënave në internet - këtë kërkojnë edhe piratët rumunë. "Tek partitë pirate nuk ka ndryshime thelbësore kombëtare. Ne jemi praktikisht një lloj kombi i internetit, i cili në këtë moment ekziston në të gjithë planetin", thotë themeluesi i piratëve rumunë, Claudiu Marginean. Ish-arkitekti nuk është pirati i vetëm në familje: vajza e tij 20 vjeçare, e cila studion në Londër, angazhohet në lëvizjen pirate britanike.

Megjithëse piratët rumunë janë ndër themeluesit e organizatës ndërkombëtare ombrellë "Partitë pirate ndërkombëtare" (PPI), në Rumani ata ende nuk janë rregjistruar si parti zyrtare. Arsyeja: në Rumani janë të nevojshme 25.000 firma për themelimin e një partie. Claudiu Marginean dhe shokët e tij shpresojnë që të mund të mbledhin një numër të mjaftueshëm firmash përpara zgjedhjeve parlamentare në Rumani në nëntor.

Teknologji për më shumë liri qytetare

Edhe në vendin fqinj Serbi lëvizjes pirate i mungojnë mijëra firma për t'u regjistruar si parti dhe për t'u paraqitur në zgjedhje. Shumë njerëz në Serbi mendojnë se kjo lëvizje merret vetëm me piraterinë në internet, ankohet Ivan Vuković, koordinator i lëvizjes pirate serbe: "Por ne nuk angazhohemi për shitjen e CD-ve të kopjuara, ne jemi thjesht njerëz të cilët gjithçka që kanë duan ta ndajnë lirisht me të tjerët: ide, lidhje, muzikë dhe video. Meqenëse kjo është e mundur, ne jemi të bindur se askush nuk duhet të na e mohojë të drejtën ta bëjmë këtë."

Dario Vidović

Dario Vidović

Piratët angazhohen për më shumë se vetëm lirinë e internetit, mendon edhe Dario Vidović. Ai është bashkëthemelues i lëvizjes në Kroaci, e cila në mes të prillit arriti të regjistrohej si parti: "Teknologjia ka përparuar aq shumë sa bën të mundur më shumë liri qytetare - kështu mund të realizohet një demokraci direkte".

Transparenca si program ekonomik

Edhe kërkesa e lëvizjes pirate në botë, për një të ashtuquajtur "demokraci likuide", pra për pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve në vendimmarrje, përkrahet nga piratët në Evropën Juglindore. Parti dhe bashkime pirate në rajon ka ndër të tjera në Bullgari, Hungari dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në plan ndërkombëtar lëvizje pirate ka në rreth 60 vende, pjesa më e madhe në Evropë.

Veçanërisht të suksesshëm janë piratët në Gjermani, ku sipas anketimeve të fundit arrijnë 11 deri 13 për qind të zgjedhësve. Kjo u jep mbështetje edhe kolegëve të tyre në Evropën Juglindore. Ajo është veçanërisht e nevojshme këto javë për piratët

Partia e Piratëve në Gjermani si shembull

Partia e Piratëve në Gjermani si shembull

grekë pasi në 6 maj ata për herë të parë marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Partia Pirate është forca më e re politike në Greqinë e kërrusur nga kriza: vetëm tre muaj më parë ajo u njoh zyrtarisht si parti. Ndërkohë që partitë e etabluara në Greqi kanë mijëra punonjës të paguar për fushatën elektorale, piratët duhet t'ia dalin mbanë me 150 vullnetarë. Objektivi i tyre: të luftojnë krizën ekonomike dramatike me idealet e piratëve.

Akses në dosjet shtetërore

Anestis Samourkasidis,

Anestis Samourkasidis

"Ne u shpjegojmë njerëzve se transparenca dhe drejtësia funksionuese janë lufta më e mirë kundër korrupsionit. Kjo është tema jonë më e rëndësishme ekonomike", thotë Anestis Samourkasidis, zëdhënës i piratëve grekë. Vetëm nga korrupsioni masiv vendi humbet çdo vit miliona nga paratë e taksapaguesve. Në mënyrë që çdo funksionar të administrojë mirë paratë, partia e piratëve kërkon që çdo qytetar të ketë të drejtën të shohë dosjet shtetërore nga çdo sektor. I vetmi përjashtim: dokumente delikate që kanë të bëjnë për shembull me sigurinë kombëtare.

Ashtu si piratët grekë edhe ata rumunë shpresojnë të hyjnë brenda këtij viti në parlament. Ata kërkojnë një të ardhur bazë të panegociueshme për çdo qytetar. Se si mund të realizohet kjo në aspektin ekonomik Claudiu Marginean ende nuk e di dhe e pranon hapur këtë: "Fillimisht duhet të hyjmë në parlament dhe të shohim saktë se çfarë ndodh. Pastaj mund të thuhet se çfarë është e realizueshme", mendon themeluesi i piratëve rumunë. "Në vendin tonë shumë gjëra bëhen pas dyerve të mbyllura", thotë Claudiu Marginean. Vetëm pasi të mbërrijnë në qarqet më të larta të politikës mund të marrin informacionet e duhura për të ndryshuar diçka. Ata shpresojnë para së gjithash në votat e të rinjve, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës nga partitë e etabluara. Edhe kjo i lidh ata me lëvizjet pirate nga gjithë Evropa.

Autor: Alexandra Scherle / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj