1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pingpongu politik i Gërdecit

Ani Ruci3 Maj 2008

Ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu largon çdo përgjegjësi ligjore nga vetja. Përgjegjësinë ai e kalon tek eprorët e tij, presidenti dhe kryeministri.

https://p.dw.com/p/DsyZ
GerdecFotografi: AP


Shtatë javë pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, asnjë nga përgjegjësit e saj nuk është vënë para ligjit. Përgjegjësia po kalon, në sy të publikut, si top pingpongu, sa nga një zyrtar i larte tek tjetri. Ndërkohë edhe burokracia po bën punën e vet: ajo po gëzon luksin e paparë, që edhe për një një ngjarje unikale për pasojat e saj tragjike, të arrijë të zvarrisë hetimet.

Zyrtari i vetëm i lartë, deri tani me një akuzë të artikuluar nga Prokuroria, ish ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, tha sot se nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore dhe se ka zbatuar vetem ligjin. Ai tha se demontimi i armeve sovjetiko- kineze në Gërdec bëhej nga Forcat e Armatosura, në krye të të cilave janë drejtuesit e shtetit, eprorët e tij. „Presidenti është komandanti i Forcave të Armatosura. Kryeministri përgjigjet para Presidentit dhe Parlamentit për drejtimin dhe gjendjen e Forcave të Armatosura. Janë autoritete që dekretojnë Ministrin e Mbrojtjes. Ministri nga ana e vet, është njeri politik, nuk është as shofer, as magazinier, as roje deposh, as përecakton rregullat e demontimit të armëve apo ato tësigurisë." tha sot ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu. Me heqjen e përgjegjësisë ligjore nga vetja Mediu u dha përgjigje grupit të Prokurorëve dhe Kryeprokurores Ina Rama, që po hetojnë për Gërdecin.

Reagimi i opozitës

Deklarimeve të sotme të ish Ministrit të Mbriojtjes, Fatmir Mediu u janë përgjigjur flakë për flakë socialistët opozitarë.Nënkryetari i grupit të tyre parlamentar, Erion Braçe.i kërkoi Prokurores së republikës, Ina Rama, të veprojë për të çuar përgjegjësit para ligjit. Kjo thirrje vjen në një kohë kur Parlamenti ka bllokuar hetimet. Kryetarja e tij, Jozefina Topalli shtyu, në mes të kësaj jave, heqjen e imunitetit të Fatmir Medit, aktualisht deputeti republikan, për shkak të mungesës së dokumentacionit shtesë që duhet t´i dërgojë Prokuroria.
„ I kërkojmë Prokurores së Përgjithshme të mos bjerë pre e absurdit të qëllimtë të burokracisë së Parlamentit dhe të fillojë ndjekjen penale të përgjegjësve të Gërdecit." tha Erion Braçe.

Bashkë me thirrjen drejtuar Kryeprokurores, Ina Rama, Erion Braçe ka lënë të kuptohert qartë se në hetim duhet të përfshihet edhe kryeministri Berisha. Sipas Braçes, kryepërgjegjësi i krimit shtetëror të Gërdecit është kryeministri Sali Berisha.

Në shpërthimin, më 15 Marsin e kaluar, të stoqeve të municioneve sovjetiko- kineze, në Gërdec mbetën të vrarë 28 persona, të plagosur 250 vetë dhe qindra shtëpi të shkatërruara. Gjthë zona ku ndodhi shpërthimi nuk mund të jetë e banueshme për tre vjet për shkak të kontaminimit të tokës dhe rrezikun që paraqet për banorët e zonës, Shqipëria duhet të demontojë 110 ton municione të vjetra, si një kusht i anëtarësimit në NATO, pas ftesës pë anëtarësim , të marrë në Bukuresht, Prillin e kaluar.