1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

'Pikniku panevropian' në kufirin hungarezo-austriak çan Perden e Hekurt

Në gusht 1989, 500 qytetarë nga RDGJ morën pjesë në një "piknik paneuropian" në kufirin hungarezo-austriak. Gjatë piknikut u hap simbolikisht një postë kufiri, që mundësoi arratisjen e tyre në Perëndim. Nisi ikja masive.

Kufitarë austriakë hapin simbolikisht një portë kufiri me Hungarinë,19 gusht 1989

Kufitarë austriakë hapin simbolikisht një portë kufiri me Hungarinë, 19 gusht 1989

Hungaria nuk e kishte hapur kufirin me Austrinë, por i kishte prerë simbolikisht telat me gjemba

Normalisht qytetarët e RDGJ-së mund t'i kalonin pushimet vetëm në vendet e tjera socialiste. Në një kohë kur në Berlinin Lindor, me gjithë ndryshimet në Moskë, udhëheqja organizonte me ngulm festimet e 40 vjetorit të themelimit të shtetit të RDGJ-së, mijëra qytetarë të ish RDGj-së shfrytëzuan pushimet e verës për t'u larguar nga vendi. Ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në Pragë dhe Budapest si dhe përfaqësia e RFGJ në Berlinin Lindor u mbushën me bashkëatdhetarë të ikur nga RDGJ-ja. Si rezultat ata u detyruan të mbyllnin dyert. Por shumica e refugjatëve gjetën një rrugë të posaçme. Hungaria më 27 qershor nuk e kishte hapur kufirin me Austrinë, por i kishte prerë simbolikisht telat me gjemba dhe kishte reduktuar masat e kontrollit.

Asnjë ditë nuk kalonte pa qindra qytetarë të RDGJ-së, që kalonin në Austri dhe prej këtej në RFGJ. Ata iknin nga tutela e Shtazit (sigurimit të shtetit) dhe nga pasojat e ekonomisë socialiste plot mungesa.

"Nuk mund ta besoj, se jam këtu. Kam zbritur këtu direkt nga autobuzi nga Sopron dhe kam dalë këndej. Iu bashkangjita njerëzve që donin të iknin. Njëqind metra para kufirit autobusët ndaluan dhe u zbrazën, të gjithë vrapuan te kufiri, kërcyen binarin dhe unë gjendesha në Austri."

19 gusht 1989: grupe opozitare hungareze dhe unioni Paneuropa ftuan për "Piknikun Paneuropian"

Për 19 gushtin, një ditë para festës kombëtare hungareze, grupe opozitare hungareze dhe unioni Paneuropa kishin bërë ftesë për "Piknikun Paneuropian". Pikniku do të mbahej në zonën kufitare në St. Margareten në Burgenland dhe në Sopron në Hungari. Aty do të hapej simbolikisht për disa orë një portë kufiri, e mbajtur mbyllur për dekada me radhë. Aktiviteti gjeti aprovimin e të dy vendeve dhe zhvillohej nën patronazhin e deputetit europian Otto von Habsburg dhe të ministrit hungarez të shtetit, komunistit reformator, Imre Poszgay. Ndër pushuesit nga Gjermania Lindore, në Hungari lajmi u shpërnda si rrufeja. Në Piknik marrin pjesë 15.000 vetë, qindra qytetarë nga RDGj-ja shfrytëzuan rastin për t'u arratisur në Austri. Megjithë urdhërin për të shtënë me armë, kufitarët hungarezë nuk qëllojnë, kur refugjatët nga RDGJ-ja thyejnë me trupat e tyre një nga binarët e kufirit.

600 qytetarë të RDGJ-së u arratisën në Austri pas hapjes së portës së kufirit

600 qytetarë të RDGJ-së u arratisën në Austri pas hapjes së portës së kufirit

Përditë në kufirin hungarezo-austriak hiqeshin tela me gjemba

Kjo ikje masive është një e çarë në Perden e Hekurt. Kjo e çarë kishte nisur që me 2 maj, kur qeveria hungareze bëri të njohur heqjen e pengesave të kufirit në drejtim të Perëndimit. Ditë për ditë në kufirin hungarezo-austriak hiqeshin nga 600 Meter tela me gjemba. Në qershor ministrat e jashtëm të të dyja vendeve e morën vetë gërshërën në dorë. Ministri i jashtëm i atëhershëm austriak, Alois Mock u shpreh:

"Unë falenderoj homologun tim hungarez Gyula Horn për këtë akt simbolik. Ky është momenti më i bukur i veprimtarisë sime diplomatike dhe politike."

Me 10 Shtator gardhi kufitar ra fare. Hungaria i lejoi të gjithë qytetarët e RDGJ-së që edhe zyrtarisht të udhëtonin për në Perëndim. Më vonë kur efekti i kësaj vere nisi të shpaloset në dimensionin e tij të plotë dhe Muri kishte rënë, Kancelari gjerman Helmut Kohl i bëri një falëndërim të posaçëm qeverisë së Budapestit.

Tre muaj pas piknikut paneuropian ra në Berlin Muri

"Pa vendimin e guximshëm të qeverisë hungareze, që i la të dilte qytetarët tanë gjermanë, nuk do të kishin qenë të mundura në këtë masë ndryshimet dramatike dhe fillimi i reformave në RDGJ, së paku jo kaq shpejt. Hungaria hoqi atëherë gurin e parë të Murit."

Tre muaj pas piknikut paneuropian ra në Berlin Muri. Sot një muze i hapur në St. Margareten kujton ngjarjet e paharrueshme të asaj kohe.

Autor: Daniel Sheshkevic/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 18.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JDYc
  • Data 18.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JDYc