1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pikëkalimet kufitare me Serbinë tensionojnë veriun e Kosovës

Serbët gjatë gjithë natës dhe aktualisht tani po mbajnë të bllokuar rrugën Mitrovicë - Rashkë në përpjekje për të penguar policinë e Kosovës për të marrë nën kontroll pikëkalimin kufitar në Jarinje

Ushtarë të Bundesverit gjatë kontrollit të një ure në Veri të Mitrovicës

Ushtarë të Bundesverit gjatë kontrollit të një ure në Veri të Mitrovicës

Vetëm disa ditë pas vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë Policia e Kosovës ka ndërrmarrë një aksion për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Ngarkesat me mallra të Serbisë janë ndaluar në të gjitha pikëkalimet kuftare të Kosovës që nga momenti i marrjes së vendimit, por jo edhe në pikat e Kosvës veriore 1 dhe 31, pika këto që i ka kontrollouar EULEX-i.

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili është në Veri të Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës, deklaroi për mediat në vend se janë të vendosur për realizimin e aksionit të tyre në marrjen nën kontroll të pikës 1 dhe 31. Mediet raportojnë se Policia e EULEX-it po pengon hyrjen në pikën 1 të Njësisë Speciale të Kosovës, konkretisht në fshatin Rudare të Leposaviqit. Në pikën 31 është vendosur një njësi speciale prej 40 policësh të Kosovës, ndërkaq në pikën 1 nuk po arrihet një gjë e tillë pasi serbë të asaj pjese kanë bllokuar rrugën.

Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm i Kosovës

Bajram Rexhepi, Ministër i Brendshëm i Kosovës

Kuçi: E gjitha po bëhet për vënien e sundimit të ligjit

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi vlerësoi për mediet kosovare se aksioni është i menduar mirë dhe i konsultuar. Kuçi më tej vlerësoi se nuk duhet të ketë panik dhe të frikësohen serbët e asaj pjese, pasi sipas tij, e tëra po bëhet për vënien e sundimit të ligjit dhe shumë shpejt edhe qytetarët e asaj ane do të shohin se janë çliruar nga një pjesë e njerëzve që flasin gjoja në emër të patriotizmit. Ai tha se aksioni i mbrëmshëm mund t'i pengojë vetëm ata që merren me kontrabandë dhe jo ata që dëshirojnë stabilitet dhe sundim të ligjit.

Kuçi ka shtuar më tej se KFOR-i është duke e kryer punën e vet, ndërsa shprehu besimin se edhe EULEX-i do të ketë aktivitet shtesë. Sipas tij, edhe ata që kanë qenë hezitues të këtij aksioni do t'i shohin rezultatet pozitive.

Nga ana tjetër komandanti i përgjithshëm i Kforit, Erhard Bühler gjatë natës ka biseduar me të ashtuquajturin ministër për "Kosovën dhe Metohinë", Goran Bogdanoviq dhe shefin e grupit negociator të Beogradit, Borislav Stefanoviq dhe pas kësaj ka udhëtuar për në Mitrovicë për të vazhduar bisedimet me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës.

Vendi i bllokuar pandërprerë vëzhgohet nga helikopterët e KFOR-it. Edhe në Kolashin të Ibrit papritmas pjesëtarë të njësisë speciale kanë marrë nën kontroll kalimin kufitar në Brnjak ndërkohë që qindra serbë lokalë kanë bllokuar rrugën Zubin Potok - Ribariq në vendin e quajtur Banje. Në Leposaviq nata ka kaluar e qetë përderisa në Brnjak policia ka arrestuar disa persona dhe ka rrahur një serb, njoftojnë mediet serbe. Zyrtarë kosovarë njoftojnë ndërkaq për plagosjen e një polici.


Stefanoviq: Duan t'i spastrojnë serbët

Lumi Ibër në Mitrovicë

Lumi Ibër në Mitrovicë

Stefanoviqi pas bisedimeve që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, Bühler, qytetarët e mbledhur në Leposaviq i falenderoi edhe njëherë që treguan se mund të mbrojnë siç u shpreh ai "atë që është e jona". "Çdo përpjekje e tillë, e të tilla do të ketë ende, paraqet përpjekje për të ndryshuar me dhunë dhe në mënyrë të njëanshme krejt atë çfarë ne e kemi ruajtur dhe mbrojtur që nga viti 1999", theksoi Stefanoviq.

Me komandantin e KFOR-it, siç tha ai: " Është rënë dakord që nëse njësia speciale Rosa tërhiqet atëherë edhe serbët do të zhbllokojnë rrugën dhe do të lejojnë të kalojnë vetëm makinat e KFOR-i:

"Ky është një aksion i organizuar dhe koordinuar në mënyrë që të paragjykojë rezultatin e bisedimeve. Ata duan të në imponojnë atë që është zgjidhja përfundimtare, por ne nuk mund ta pranojmë një gjë të tillë. Ju lutem qëndroni të bashkuar, mos bini në provokime dhe mos përdorni metoda të dhunshme. Ata duan që brenda 24 orëve këtu mos të ketë serb dhe për këtë ne nuk do t'iu japim atyre asnjë shans", theksoi Stefanoviq.


EULEX-i nuk merr pjesë në aksionin e Policisë së Kosovës

Përfaqësuesi i EULEX-it, Nicholas Hawton deklaroi që ka shumë rëndësi që situata të zgjidhet me mjete paqësore. Ai theksoi se EULEX-i nuk është i përfshirë në asnjë mënyrënë aksionin e njësive speciale të policisë kosovare.

"EULEX dhe Bashkimi Evropian në Bruksel e kanë bërë të qartë se problemi i vulave doganore duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të tanishëm në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Veprimet e njëanshme të njërës apo palës tjetër nuk kontribuojnë në këtë mes", deklaroi zëdhënësi i Eulex-it Nicholas Hawton.

Autor: Esat Ahmeti (telegrafi, beta, infoglobi)

Redaktoi: Mimoza Kelmendi/Auron Dodi

DW.COM