1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pikë kthese

Presidenti i SHBA ngurroi gjatë me vendimin për t'i sulmuar edhe në Siri terroristët e "Shtetit Islamik". Ky vendim është në pikëpamje të shumëfishtë një pikë kthese, mendon Alexander Kudascheff.

Është një pikë kthese në Lindjen e Afërme. SHBA veprojnë seriozisht - dhe godasin më vendosmëri kundër IS. Në Siri, atje ku "Shteti Islamik" ka bazën kryesore - në Rakka dhe rrethina. Dhe ata nuk godasin të vetëm: godasin me aleatët arabë! Midis tyre edhe Arabia Saudite, e cila dyshohet se e ka mbështetur dhe financuar milicinë terroriste. Kjo tregon: SHBA nuk shkojnë të vetme në luftë kundër islamistëve fundamentalistë në Siri dhe në Irak. Ata kërkojnë një aleancë më të madhe, edhe nëse deri tani nuk kanë arritur të fitojnë një mandat të OKB-së. Dhe aleatët tradicionalë të Uashingtonit - Britania e Madhe dhe Franca - janë në parim të gatshme të godasin gjithashtu.

Përfiton Assadi nga lufta kundër IS?

Është një pikë kthese në Lindjen e Afërt. Sepse, megjithëse pushtetmbajtësi sirian, Bashar al Assad as që u pyet, nëse lejohet të jepet goditje në vendin e tij të shkretuar dhe të ndarë nga lufta civile, është e mundur që Assadi të përfitojë më tepër nga lufta kundër IS. Assadi ka qenë deri tani shtresë e ulët në Lindjen e Afërt, një autokrat dhe pushtetmbajtës, i cili është deri tani përgjegjës për 200.000 të vrarë dhe për miliona refugjatë. Por në përplasjen, në luftën kundër milicisë islamike, Assadi mund të shndërrohet papritur në partner strategjik dhe taktik. Zgjedhja midis IS dhe Assadit në aspektin politik vërtet nuk të ngjall oreksin, por midis të dyjave aleanca do të preferojë Assadin.

Kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff

Kryeredaktori i DW Alexander Kudascheff

Lufta kundër IS që ka nisur me sulmet ajrore është edhe një pikë kthese për Presidentin amerikan Obama. Mbajtësi i Çmimit Nobel të Paqes nuk donte që SHBA të zhvillojnë më luftëra. Ai i tërhoqi trupat amerikane nga Iraku, në Afganistan ka nisur tërheqja dhe do të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. SHBA nën Obaman ishin një fuqi e madhe në tërheqje, disa madje folën për një rilindje të izolacionizmit. Tani nga ana ushtarake ato janë sërish aktive në Lindjen e Afërt. Aktualisht, kështu thuhet, vetëm nga ajri dhe jo në tokë. Por për sa kohë mund të mbahet ky pozicion, kur e gjithë përvoja e historisë ushtarake e di se luftërat fitohen në tokë? Me humbje të mëdha - natyrisht.

Lufta kundër IS duhet të zhvillohet edhe në Evropë

Dhe është një pikë kthese edhe në vendosmërinë politike. Që IS jo vetëm të luftohet dhe frenohet, por edhe të asgjësohet. Brutaliteti i pabesueshëm i islamistëve, i inskenuar nga ana mediale, dëshira e tyre për ta shkatërruar Lindjen e Afërt nga pikëpamja kulturore, që t'i jepet fund larmisë mijëravjeçare të këtij rajoni nuk pranohet. Kjo luftë kundër luftëtarëve fetarë mesjetarë të hershëm është me të vërtetë një luftë kundër terrorizmit. Kundër islamizmit. Por lufta kundër magjepsjes prej një feje islame të kuptuar si në fillimet e saj tani sa ka nisur. Jo vetëm në Lindjen e Afërt, por edhe në Evropë dhe në Gjermani, ku mijëra të rinj janë të gatshëm që të hidhen drejt vdekjes për Allahun.