1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Petroviç: Elektorati serb kurrë nuk ka patur një detyrë “më të lehtë”

Slobodan Petroviç, kryetar i Partisë Liberale Serbe dhe zëvendëskryeministër i Kosovës, flet për pikësynimet politike të "Listës serbe" në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.

DW: Zoti Petroviç, "Lista Serbe", në të cilën bën pjesë edhe Partia Liberale Serbe, që ju përfaqësoni, a do të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, edhe nëse në fletëvotimet do të jenë simbolet e Republikës së Kosovës?

Petroviç: Po, "Lista serbe" do të marrë pjesë në zgjedhje. Ne nuk jemi fort të kënaqur me vendimet, që ka marrë KQZ-ja një javë para zgjedhjeve, vendime, që definitivisht do të ndikojnë në një numër të caktuar votuesish, por mospjesëmarrja do të jetë jashtëzakonisht negative për bashkësinë serbe. Prania jonë në institucione ka rëndësi esenciale, sepse në këtë mënyrë ne mund të luftojmë më së miri për të drejtat tona dhe vetëm kështu mund të jemi një faktor politik serioz.

Për herë të parë forcat politike serbe dalin gati plotësisht të bashkuara në zgjedhjet në Kosovë. Dalja në mënyrë unike si subjekt politik, paraqet lehtësi për pjesëmarrjen e elektoratit serb në zgjedhje?

Elektorati serb kurrë nuk ka patur një detyrë “më të lehtë”, sepse të gjithë faktorët seriozë politikë janë në të njëjtën listë. Me këtë nuk dua të diskretitoj kundërshtarët politikë, por konstatoj diçka, që është fakt. Unë jam shumë krenar për të gjitha opsionet politike në Kosovë, sepse kanë treguar një nivel të jashtëzakonshëm përgjegjësie dhe në zgjedhjet, para të cilave ndodhemi, do të dalin unikë. Gjithashtu shpresoj se votuesit do të arrijnë ta kuptojnë këtë dhe do të votojnë për listën e bashkuar.

Cili është fokusi kryesor i platformës zgjedhore të "Listës serbe", objektivi, që synon ajo të realizojë me daljen në zgjedhje?

Qëllimet e përbashkëta të komuniteteve tona kanë çuar edhe në formimin e listës së përbashkët. Mbijetesa dhe mbetja e komunitetit serb në Kosovë është për momentin gjëja më e rëndësishme dhe këtë mund ta arrijmë vetëm të bashkuar. Të bashkuar duhet të bëjmë më shumë, të ndihmojmë më shumë, të kërkojmë më shumë. Qëllimi ynë është që të bëjmë sa më shumë dhe sa më mirë për të gjithë serbët, që jetojnë në Kosovë. Që ata t'i kthejmë në legjitimë dhe legalë. Që t'u garantojmë shkolla më të mira, më shumë kopshte, rrugë më të mira, më shumë vende pune. Mundësinë për të qenë të mbrojtur, por edhe nëse kanë ndonjë problem, të ankohen. Që të kthejmë sa më shumë persona të zhvendosur në Kosovë. Që të mbrojmë dhe të ruajmë gjuhën tonë, zakonet, kulturën. Qëllimi ynë është që të mund të bëhemi si çdo qytetar tjetër i Evropës me të gjitha të drejtat.

Sa jeni të kënaqur me përfshirjen e serbëve, me mundësitë, që u ofrohen për kontribuar në institucionet e shtetit të Kosovës? Çfarë duhej të ishte më mirë?

Me pjesëmarrjen masive të votuesve në zgjedhjet, që kemi përpara, mund të marrim më shumë se 10 vendet e garantuara. Më shumë vende do të thotë prani më e madhe në institucionet e Kosovës e në këtë mënyrë edhe më shumë mundësi për të bërë më shumë për komunitetin tonë.

Nëse "Srpska lista" do të dalë e suksesshme në votime, a jeni në dispozicion për koalicion dhe me cilat parti shqiptare do të preferonit të bashkëpunonit?

Për koalicionet e mundshme paszgjedhore do të bisedojmë pas zgjedhjeve. Ne nuk përjashtojmë askënd dhe me të gjithë jemi të gatshëm të bisedojmë. Por nuk do të doja të spekulloja për këtë, para se të marrim rezultatet e votimeve.

Çfarë roli ka luajtuar partia juaj Liberale Serbe (SLS), me qëllim që serbët dhe shqiptarët të jetojnë mirë dhe në paqe në një shoqëri dhe mjedis të përbashkët?

Rol të madh. Ne që nga krijimi i partisë jemi për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës, për bashkëpunimin, dialogun dhe për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi, që nuk do të ishte në dëmin e askujt. Sepse ne jemi fqinj, miq, bashkëpunëtorë dhe kolegë. Ne jetojmë me njëri-tjetrin. Dhe këtë mendim përfaqësojnë të gjithë anëtarët e SLS. Ata të gjithë besojnë te dialogu dhe bashkëjetesa.

Si mendoni se duhet vazhduar dialogu me Serbinë pas zgjedhjeve, duke patur parasysh faktin se shumica e pikave të marrëveshjes Thaçi-Daçiç nuk janë zbatuar ende? A mendoni se duhet vazhduar implementimi i marrëveshjes ekzistuese, apo nevojiten bisedime të reja?

Eshtë shumë e rëndësishme që të vazhdojë implemetimi i marrëveshjes, që është nënshkruar në Bruksel dhe të dy palët janë obliguar për ta përmbushur. Askush nuk është i kenaqur me tempon, me të cilën po implementohet marrëveshja, por që në këtë moment të fillohen bisedime të reja, nuk është zgjidhje. Pas zgjedhjeve, të dyja palët duhet t'i përkushtohen më seriozisht implementimit dhe të realiziojnë atë, për të cilën kanë rënë dakord para më shumë se një viti.

Çfarë pasojash mund të sjellë mosdalja e serbëve në zgjedhje?

Konsekuencat e bojkotit do të ishin shumë të keqia. Mospjesëmarrje do të thotë mungesë pranie në institucione, më pak shanse, që zëri i tyre të dëgjohet dhe kthim te ajo, që kemi patur dy vjet më parë. Ngrirja politike e situatës mund të sjellë vetëm dëm në këtë moment.

A prisni të merrni edhe ndonjë votë nga shqiptarët?

Shpresoj se po. Si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe zëvendëskryeministër kam ndihmuar dhe kam punuar për të mirën e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Dhe unë uroj të gjithë neve, që së shpejti të vijë koha, kur votuesit të dalin në zgjedhje e të votojnë për programet dhe individët dhe jo për shkak të përkatësisë kombëtare.